Dosje

Vrasja në Kavajë/ Autori u kthye nga Italia për hakun e të vëllait. Iku me vrap i armatosur

Gazeta Si - Pa kaluar as dy muaj nga vrasja të vëllait pas një konflikti banal, ku viktima dhe autori vranë njëri-tjetrin në rrugë, Habib Rexha kishte mbërritur nga Italia dy javë më parë për të realizuar hakmarrjen.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se autori i dyshuar i vrasjes së Arian Gosës, ka studiuar lëvizjet e viktimës para se ta ekzekutonte me armë zjarri në sy të të atit.

Habib Rexha u identifikua nga policia nga një kamera sigurie që ndodhet në një biznes rreth 100 metra larg lokalit ku ndodhi ngjarja.

Nga kamerat e sigurisë të biznesit, shfaqet autori i krimit duke ikur me vrap në këmbë, i pa maskuar, me një çantë në dorë dhe pistoletën.

Autori i dyshuar i vrasjes, Habib Rexha

Grupi hetimor ka dyshime se autori ka ndjekur dhe vëzhguar ditën e djeshme të gjitha lëvizjet e viktimës Arian Gosa, deri në momentin kur ky i fundit ka shkuar të konsumojë një kafe me babanë e tij në lokal.

Arian Gosa kishte vetëm pak minuta që ishte ulur në kafe me babanë e tij deri në momentin që u afrua Habib Rexha dhe e qëlloi me plumb në kokë. Habib Rexha jetonte në Itali, dhe ishte kthyer në Shqipëri pas vrasjes së të vëllait në 29 mars të këtij viti.

Disa qindra metra larg vendit ku ndodhi vrasja, Rexha është futur në mjetin që shihni në foton e mëposhtme dhe është larguar nga vendngjarja.

Hetuesit dyshojnë se që pas ngjarjes së para dy muajve, 31-vjeçari ka nisur të planifikojë hakmarrjen.

Por vëzhgimin e lëvizjeve të viktimës e ka bërë vetëm një ditë para ngjarjes, të paktën kështu rezulton deri në hetimet e deritanishme.

Policia ka vënë në dispozicion të çdo qytetari që jep informacion për vendndodhjen e Habib Rexhës 10 mijë euro.

Makina me të cilën dyshohet se është larguar autori i vrasjes së Arian Gosës

Brenda më pak se dy muajsh familja Gosa humbi dy djemtë e saj në dy ngjarje kriminale që kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Policia deklaroi se vrasja është kryer për motive hakmarrjeje. Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, 43-vjeçarit që mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 29 mars në Kavajë. 

Sipas Prokurorisë dhe policisë, vrasja e marsit ndodhi për motive të dobëta. Nga hetimet mbi ngjarjen, delse Edmond Gosa e fyente vazhdimisht Altin Rexhën në lidhje me origjinën e tij.

Ndërsa konflikti pati nisur për një “vështrim të shtrembër” mes tyre. Mbrëmjen e 29 marsit, teksa Rexha ndodhej bashkë me djalin e vet në afërsi të banesës së tij, është konfliktuar sërish me Edmond Gosën, i cili e ka qëlluar me thikë.

Habib Rexha largohet me vrap pasi realizoi krimin

Rexha i është kundërpërgjigjur me një armë zjareri që mbante me vete dhe të dy kanë humbur jetën. Ditën e djeshme Habib Rexha është hakmarrë për vrasjen e të vëllait duke e vrarë atë në prani të të atit, Osmanit. Policia vazhdon të jetë në kërkim të autorit.

Ndërkohë, dy vëllezërit Gosa kanë qenë përfshirë dhe në një tjetër sherr banal para 20 vjetësh, që përfundoi me vdekjen e të plagosurit prej tyre, Gentian Gjuzit pak muaj pas ngjarjes që ndodhi në nëntor të vitit 2012 në qytetin e Kavajës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë