Drejtësia

Vrasja për hakmarrje në Kavajë, burg për Habib Rexhën. Lirohet shoku i tij

Gazeta Si - Gjykata e Durrësit ka caktuar arrest me burg për Habib Rexhën, autorin e vrasjes së Arian Gosës në 21 maj brenda një lokali në Kavajë.

Ndërsa shoku i tij, Erivs Kurti i cili dyshohet se e kishte ndihmuar të largohej pasi kreu krimin e rëndë, është lënë i lirë në "arrest shtëpie" nën akuzën e moskallëzimit të krimit.

Ngjarja që tronditi vendin ndodhi në një lokal në Kavajë, ku Gosa u vra me një plumb në kokë në sy të babait të tij. Habib Rexha u arratis për t’u dorëzuar pak ditë më vonë.

Autori pretendon se u hakmor për vëllanë e tij, i cili humbi jetën në në përleshje me vëllanë e Arjan Gosës. Gjatë kësaj përleshjeje vdiq edhe vëllai i Gosës.

Familjet kishin menduar se saga e hakmarrjeve ishte mbyllur për shkak se ishte shkaktuar nga një viktimë për secilën familje.

Në dëshminë e tij, ku shpjegonte arsyet e krimit të rëndë të kryer të dielën e 21 majit, Habib Rexha shprehet se ishte ndjerë i frikësuar nga Arjan Gosa, i cili sipas tij kishte hapur fjalë se do të vriste familjarët e fisit Rexha në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Edmond Gosa.

Ky i fundit ndërroi jetë së bashku me Altin Rexhën në 29 mars të këtij viti pas përplasjes që këta të fundit patën me njëri-tjetrin për një konflikt të ndodhur për arsye banale.

Të dy vranë njëri-tjetrin me thikë dhe me armë zjarri, duke ndërruar jetë në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë