Dosje

Dëshmia tronditëse e babait të Arjan Gosës në Kavajë: Nuk e pashë autorin, dëgjova vetëm një krismë

Gazeta Si - Osman Gosa humbi dy djemtë e tij brenda dy muajsh në dy ngjarje të rënda kriminale në Kavajë.

Në vrasjen e Arjanit të dielën pasdite, 78-vjeçari ishte i pranishëm dhe gjatë dëshmisë së parë në polici ka thënë e nuk e priste që familja Rexha të hakmerrej.

Sipas dëshmisë së tij, ai ka qenë në një lokal së bashku me djalin e madh Arjanin, i cili ishte kthyer në vendlindje që në mars pas vrasjes së të vëllait.

Të dy janë ulur në pjesën e jashtme të lokalit dhe kanë qenë me kurriz nga rruga, ndaj nuk e kanë parë autorin kur ka hyrë në lokal.

“Ishim duke parë ndeshjen. Dëgjova vetëm një krismë dhe e pashë djalin që ra në tokë dhe një njeri që iku me vrap”.

Kaq ka mundur të dëshmojë, 78-vjeçari Osman Gosa i cili në një hark të shkurtër kohor, brenda më pak se dy muaj humbi dy djemtë e tij, përkatësisht Edmondin 43 vjeç dhe Arjanin 47.

Ai shprehet se kishte shkuar me djalin të shikonte ndeshjen e Napoli-Inter në një lokal pranë banesës.

“Ne nuk mendonim se ngjarja e marsit do të  vazhdonte. Në ngjarjen e parë, vdiqën të dy. Nuk kishte pse të vazhdonte me kjo histori. Neve nuk ruheshim, pasi s’na shkonte ndër mend që familja Rexha do te vazhdonte. Djali im Ariani pak ditë me parë kishte ardhur nga Italia, pasi jetonte atje, - është shprehur 78-vjeçari. - Dolëm te pinim kafe dhe të ndiqnim ndeshjen Napoli-Inter. Ishim ulur në tavolinë, pasi konsumonim cigare dhe ishim kthyer me shpinë nga rruga dhe po shikonim ndeshjen. Nuk e pamë fare”.

Më tej ai shtoi se u shokua nga kjo situatë dhe se djali i tij humbi jetën menjëherë para se ai të reagonte dhe të bënte diçka.

“Vetëm kur plasi arma ktheva kokën dhe pashë që Ariani u këput dhe pashë një person që doli me vrap. U shokova kur pash tim bir te goditur në kokë. S’kishte asnjë shprese, humbi jetën menjëherë. Nuk di çfarë të them me shumë”, ka deklaruar i ati i Arian Gosës.

Sakaq, autori, Habib Rexha është në arrati dhe policia ka ofruar 10,000 euro shpërblim për kapjen e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë