Rend dhe Ligj

Vrasja për hakmarrje në Kavajë. I vëllai iu ekzekutua në mars pas një sherri banal. Identifikohet autori, policia jep 10 mijë euro

Gazeta Si - Një 48-vjeçar mbeti i vrarë me armë zjarri pasditen e kësaj të diele në Kavajë, ku nga të paktën një e shtënë humbi jetën në vend Arian Gosa, vëllai i Edmond Gosës.

Shkak i vrasjes dyshohet se është hakmarrja, pasi më 29 mars ndodhi një vrasje e dyfishtë, ku pas një sherri banal, vranë njëri-tjetrin me thikë dhe pistoletë Edmond Gosa, vëllai i Arjan Gosës, dhe Altin Rexha.

Policia tha se Habib Rexha, 31-vjeç, dyshohet të jetë autori i vrasjes këtë të diel, i cili u shpall në kërkim. Ai mësohet se është vëllai i Altin Rexhës, 43-vjeçarit që u vra para rreth dy muajsh pas sherrit me Armand Gosën.

Zyrtarisht policia, në njoftimin e saj për mediat tha më herët se shkak për vrasjen dyshohet se ishte pikërisht motivi i hakmarrjes. Aktualisht Habib Rexha ndodhet në arrati dhe policia po punon për kapjen e tij.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 10 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autori

Viktima e sotme po pinte kafe me të atin në një lokal, kur një person ende i pa identifikuar e ka qëlluar me një plumb pistolete në kokë, ndërsa autori është larguar më pas në këmbë.

“Më datë 21.05.2023, rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin A. G. Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit", - njofton policia.

Shkak i vrasjes paraprakisht dyshohet të jetë hakmarrja, e ndërsa dyshimet bien mbi fisin Rexha si porositës të atentatit. Pas vrasjes autori është larguar në këmbë, ndërsa deri më tani nuk ka ende asnjë gjurmë prej tij. Policia dhe grupi hetimor janë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Ende nuk dihet nëse autori pas ka ikur me këmbë është ndihmuar apo jo nga persona të tjerë për t’u larguar nga zona e Kavajës. Grupi hetimor do të vëzhgojë kamerat e sigurisë në zonë, si edhe ato të lokalit ku ndodhi vrasja, të cilat mund të çojnë në gjurmët e autorit.

Me këtë ngjarje të rëndë kriminale, ka marrë përmasa edhe më tragjike përplasja e ndodhur 2 muaj më parë në Kavajë, ku një sherr mes dy 43-vjeçarëve çoi në vdekjen e të dyve.

Edmond Gosa, i cili njihej edhe me emrin Armand Gosa, mbeti i vrarë më 29 mars të këtij viti po në Kavajë, pas një konflikti me Sali Rexhën, i njohur po ashtu me emrin Altin Rexha. Ngjarja në fjalë ndodhi në një lokal dhe dy 43-vjeçarët vranë njëri-tjetrin.

Gosa e goditi me thikë, ndërsa Rexha e qëlloi me armë zjarri, duke hummbur jetën të dy në vend. Sherri mes palëve kishte nisur në verën e vitit 2022 në një lokal në Kavajë.

Armand Gosa kishte ofenduar Altin Rexhën për origjinën e tij, duke i thënë se “malokët nuk kanë punë në Kavajë”. Prej atij momenti, Rexha kishte marrë një armë pa leje dhe e mbante për vetëmbrojtje.

Në fakt, vëllezërit Gosa qenë përfshirë dhe në një krim tjetër 10 vite më parë. Në nëntor të vitit 2012, në lagjen nr.2, Kavajë, vëllezërit Arian Gosa dhe Armand apo Edmond Gosa, pas një grindjeje banale që Arian Gosa kishte patur një ditë më parë me Gentian Gjuzin, janë përplasur me të në momentin kur ai po dilte nga një dyqan, duke e plagosur rëndë me mjet prerës.

Gjuzi humbi jetën pak muaj më vonë në spitalin e neurokirurgjisë. Sherri në atë kohë lindi për një shikim dhe solli për pasojë humbjen e jetës së babait të dy fëmijëve, 41-vjeçarit Mentor alias Gentjan Gjuzi.

Ngjarja u mor përsipër nga Armand Gosa, që u dënua nga Gjykata e Kavajës me 2 vite burg, ndërsa Gjuzi i goditur me kazëm në kokë, vdiq disa muaj më pas në spital.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë