Mendim

Vrasja e Marigonës / Imuniteti patriarkal dhe femicidi janë të rrënjosur thellë në Kosovë

Nga Besa Luci* - Të dielën pasdite, dy burra e lanë trupin e pajetë të një gruaje të re te Qendra e Emergjencës në Ferizaj. Edhe një vdekje.
Të dielën pasdite, trupi i kësaj 18-vjeçareje tregoi shenja dhune, lëndime, të cilat ajo i kishte përjetuar për dy ditë rresht, të paktën për dy ditët për të cilat ne jemi në dijeni. Edhe një vrasje.
Të dielën pasdite, u dha lajmi se Marigona ishte e vdekur edhe pse trupi dhe zëri i saj veç ishin marrë, ajo kishte qenë e pajetë qe një ditë tashmë. Edhe një rast femicidi.
Të dielën, më 22 gusht, trupi i dhunuar, i ngacmuar, i pajetë i Marigonës 18 vjeçare u hodh, pasi ishte torturuar për dy ditë radhazi; tanimë e vdekur për një ditë të tërë; vdekur nga trauma prej thyerjes së gjymtyrëve; lënë në spital në Ferizaj. Marigona 18 vjeçare dyshohet se u vra nga partneri i saj dhe bashkëfajtori tjetër/ndihmësi i tij. Ajo u torturua dhe u vra sepse ajo ishte grua.
Vdekje. Vrasje. Femicid.
Tërë javën, shumë prej nesh u përfshimë prej një vargu emocionesh – zemëratë, mllef, shok, frustrim. Të gjitha përzier me dhimbje.
Dhimbje që ekzistenca e grave kontrollohet e kufizohet jo vetëm duke ua ndaluar pjesëmarrjen e barabartë në shoqëri, por përmes dhunës së vazhdueshme kundër trupave e mendjeve të tyre, deri te vdekja – veç pse janë gra. Dhimbje që trupat e grave keqtrajtohen, ngacmohen, përdhunohen apo torturohen sipas ideve të disa burrave për nderin. Dhimbje që jetët e grave po shuhen në një shoqëri që me të madhe ka toleruar e justifikuar dhunën, e ka bërë këtë aq shumë sa dhuna është normalizuar – gratë mund të vriten veç pse janë gra.
Marigona nuk është rasti i parë i femicidit në Kosovë dhe me siguri nuk do të jetë as i fundit. Prej vitit 2017 deri në vitin 2020, të paktën 74 gra janë vrarë nga partnerët apo të afërmit meshkuj, shpeshherë pas të qenit të ngacmuara, rrahura, dhunuara apo torturuara. Përafërsisht një në muaj. Veç pse janë gra.
Diana Kastrati, Valbona Marku, Klara Marku, Donjeta Pajazitaj, Antigona Morina, Zejnepe Berisha, Dafina Zhubi, Sebahate Morina. Kjo është vetëm një listë e pjesshme e viktimave të mëparshme. Është një listë tjetër, më e gjatë, një listë e pashkruar e grave që në këtë moment janë duke përjetuar keqtrajtim e dhunë përbrenda mureve të shtëpive të tyre.
Gratë vazhdimisht po e ngrenë zërin, po protestojnë. Gratë po thonë #asnjëmëshumë, edhe pse kjo thuhet me frikën e fshehur dhe dijen që edhe një më shumë, edhe shumë më shumë do të vriten. Marigona tashmë është njëra prej atyre “një më shumë”, prej të cilave thamë se s’do të ketë më.
Por, diçka duket ndryshe këtë herë, një kundërshti më e madhe, një kërkim më i mllefosur për llogaridhënie nga sistemi gjyqësor që i lejoi këta dy burra me aktakuza serioze kriminale, përfshirë këtu njërin për tentim-vrasje e tjetrin me sa duket me 135 raste penale, të bredhin të lirë ndër ne. Tani, dyshohet se ata kanë vrarë, një rikujtim që shumica e viktimave të femicidit i kanë raportuar burrat paraprakisht te autoritetet, burrat që më pas u bënë vrasësit e tyre.
Duket që kësaj here ka një këmbëngulje më të fuqishme në atë se kushdo që provon të arsyetojë apo relativizojë femicidin, qoftë individ a institucion, nuk do shpëtojë pa u përmendur e kritikuar.
Kundërshtia është më e madhe këtë herë pjesërisht për faktin që vetë gratë po e ngrisin zërin vazhdimisht, po e raportojnë dhunën, po e dokumentojnë ngacmimin, po e sfidojnë shtypjen. Shumica e viktimave të përmendura më lart i kanë raportuar vrasësit e tyre te autoritetet, e disa prej tyre bile e kanë bërë këtë disa herë para se të vriteshin.
Por, ende, disi individët e dënuar me vepra penale po përballen me dënime të shkurtra ose rastet e tyre po zgjaten vazhdimisht nga sistemi, siç është rasti me vrasësit e dyshuar të Marigonës.
Individët me histori të dëshmuar të ngacmimeve, dhunës e kërcënimeve për vdekje përbëjnë rrezik të madh për gratë, por nuk trajtohen si të rrezikshëm nga sistemi ligjor. Prokurorët dhe gjykatësit, të cilët vazhdimisht dështojnë në zbatim të ligjit e të cilët, në vend se të bëjnë atë për të cilën janë të thirrur, zgjedhin të marrin vendime bazuar në logjikën e tyre patriarkale, kurrë nuk janë përballur me pasojat për neglizhencën e tyre, për dështimin e tyre e mbi të gjitha, për bashkëfajësinë e tyre në vrasjet e grave, veç pse ato janë gra.
Vrasësit e dyshuar të Marigonës – Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu – janë produkte të shoqërisë sonë. Janë produkte të normave të ngurta mbi atë se çfarë e përbën familjen, ku djemtë dhe burrat lartësohen e vajzat dhe gratë përulen. Janë produkte të një sistemi arsimor që djemve ua rrënjos ndjenjën e superioritetit dhe privilegjit, kurse vajzave atë të inferioriteti dhe vetë-dyshimit.
Janë produkte të institucioneve shtetërore që duke zgjedhur të neglizhojnë rastet e dhunës bëhen bashkëkomplotistë në rastet e femicidit. Ata janë produkte të narrativave prokurorialë që vënë theksin te “xhelozia” si motiv arsyetues, pikërisht siç bënë prokurorët sërish në rastin e Marigonës. Kështu, prokurorët normalizojnë dhunën dhe gjykatësit e bëjnë po të njëjtën gjë kur u japin dënime minimale burrave që i vrasin bashkëshortet e tyre, mu ashtu siç bënë në rastin e Zejnepe Berishës.
Ata janë produkte të një sistemi ekonomik, i cili sa është i dobët e i padrejtë është po aq patriarkal ngase operon asisoji që t’i rehatojë burrat e t’i përjashtojë gratë; brenda familjeve të tyre grave u mohohet e drejta në pronë derisa brenda shtetit e strukturave të punësimit ato pengohen në mënyrë aktive qoftë në gjetjen e punës apo mbajtjen e saj. Janë produkte të kulturës mediatike që e lavdëron hipermaskulinitetin, që nxitë urrejtjen ndaj grave dhe që u ofron platformë atyre që përçmojnë e nënvlerësojnë zërat dhe përvojat e grave.
Teksa gratë janë viktimat, gratë janë edhe ato që po udhëheqin protestat, ato që po raportojnë dhunën, ato që po kërkojnë llogaridhënie pa ndalur. E megjithatë, ato prapë po lihen në mëshirë të fatit e prapë po fajësohen se gjoja po heshtin.
Pra, shumë më shumë zëra të grave po bëhen më të lartë, më të mllefosur e më të pakompromis. E gjithë kjo po shndërrohet në një revoltë kaq të nevojshme.
Dhe kjo revoltë ofron qartësi. Është e qartë se dhunuesit e kishin njëfarë ndjenje të të qenit të pandëshkueshëm. Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu u ndien mjaftueshëm rehat, patën vetëbesim mjaftueshëm sa për ta hedhur trupin e Marigonës në spital, sikur ky veprim s’do të ketë kurrfarë pasoje për ta ose që nëse do të kishte, ata janë imunë ndaj tyre. Imunitet patriarkal.
Sipas dyshimeve, pasi e torturuan për dy ditë rresht dhe më pas e vranë, ata të dy e lanë Marigonën në spital. Sikur, për arsye të pakapshme, ajo të mos ketë vdekur ende, sikur torturimi i saj nuk është boll krim, për aq kohë sa ajo mbase nuk ka vdekur; ose sikur ‘ja, po ua sjellim trupin; nuk na duhet më; tani, merruni ju me të; bëni çfarë të doni me trupin, nuk është përgjegjësi e jona’. Sikur ta hedhësh një gjë që s’të duhet më.
Teksa zbulohen më shumë informata rreth shkakut të vdekjes, detaje që natyrisht veç e shtojnë mllefin e dhimbjen, disa mund të përpiqen ta përshkruajnë këtë rast si një rast i përveçëm i brutalitetit. Ose, si zakonisht, disa edhe mund të përpiqen t’i justifikojnë kryesit e krimit, duke thënë që ka pasur motiv të arsyeshëm që e ka nxitur këtë brutalitet. Prokuroria tanimë e ka bërë këtë gjë, duke na e dhënë ‘xhelozinë’ si motiv në rastin e Marigonës.
Revolta po rritet. Përgjegjësia kolektive, llogaridhënia shtetërore, heshtja individuale dhe bashkëfajësia shoqërore – të gjithë, secili prej nesh bëjmë pjesë në vdekjen e Marigonës, në vdekjet e plot grave para saj dhe në vdekjet e shumë prej grave që mund të jenë cak në të ardhmen. Të zgjedhësh të shpërfillësh vdekjen e Marigonës, apo të zgjedhësh t’i shmangesh së imagjinuarit të 48 orëve të fundit nëpër të cilat kaloi ajo, i bie të kontribuosh në epideminë e vazhdueshme të femicidit.
Të dielën, më 22 gusht, trupi i torturuar, dhunuar, ngacmuar e i pajetë i Marigonës 18 vjeçare u hodh në spitalin e Ferizajit, pasi ishte keqtrajtuar, ngacmuar e dhunuar për dy ditë rresht, gjymtyrët e saj të thyera, të thyera aq fort sa familjarët e saj thonë se ajo nuk njihej më; se dita kur e kishin lënë te spitali, nuk ishte dita kur ajo vdiq, pasi ajo veç kishte qenë e vdekur qe një ditë më parë.
Imagjinoni ato 48 orë. Imagjinoni të gjitha orët, për të cilat ne nuk ia kemi idenë. Imagjinoni çka është duke u ndodhur tani grave tjera, të cilat mund bëhen apo të mos bëhen viktimat e radhës.
Femicid – gratë po vriten nga burrat vetëm sepse janë gra. Ky nuk është përkufizim fjalori, ky është realiteti sot. / *kosovotwopointzero


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë