Dosje

Vrasja e Briken Sanajt u planifikua në një lokal në Lezhë, autori e priti dy orë në një pemë ulliri te ‘Kodra e Diellit’

Gazeta Si - Plani për ekzekutimin mafioz të Briken Sanajt disa javë më parë në zonën e "Kodrës së Diellit" në Tiranë, u organizua në një lokal në Shëngjin.

Autori i dyshuar nga policia, Valmir (Vladimir) Kola, i cili mendohet ta ketë vrarë për hakmarrje, e priti 39-vjeçarin dy orë në një pemë ulliri pranë garazhit ku ai parkonte automjetin.

Një ditë pas identifikimit të autorit të dyshuar dhe bashkëpunëtorëve të tij nga policia, mësohet se dy shtetasit nga Kosova të shpallur në kërkim, dyshohen të jenë vrasës me pagesë në Shqipëri dhe Kosovë.

Ata i kanë shitur automjetin autorit të dyshuar të kësaj vrasjeje, Valmir Kola në 24 tetor, 6 ditë para vrasjes.

Burime nga hetimet, thonë se ata e kanë kaluar mjetin në mënyrë të rregullt në doganën e Morinës dhe shitjen e kanë bërë në një lokal në Shëngjin.

Kjo mësohet se është provuar nga kamerat e sigurisë së lokalit. Më pas makinës i janë mbivendosur targa të vjedhura.

Lëvizjet e Briken Sanajt nga ambientet e një lokali në Shëngjin pas dasmës së shokut të tij, dyshohet se janë sinjalizuar nga një tjetër person, i cili ndodhej gjithashtu në dasmë.

Autoritetet mësohet se po punojnë për të kapur pikërisht edhe këtë person, i cili ka luajtur rolin e informatorit të lëvizjeve të viktimës.

Autori i dyshuar, Valmir (Vladimir) Kola, mësohet se e ka pritur 2 orë viktimën tek një pemë ulliri pranë garazhit, ku do parkohej automjeti.

Kola mësohet se ka hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe po në të njëjtën është larguar jashtë vendit për të shmangur çdo dyshim për praninë e tij.

Burime nga grupi i hetimit, dyshojnë se autori fillimisht shkoi drejt Malit të Zi dhe më pas dyshohet në Belgjikë.

Gjithnjë sipas të njëjtave burime, në kërkim nga policia është edhe vëllai tjetër i tij, Agustin Kola, i cili dyshohet se ndodhet në Spanjë. Ai dyshohet të ketë pasur një rol nxitës në ekzekutimin e Sanajt.

Policia shpalli të enjten në kërkim 3 persona të dyshuar si të përfshirë në ekzekutim, mes tyre Valmir Kolën, i cili dyshohet si autor i vrasjes së Sanajt. Kola dyshohet se ka vepruar i vetëm në këtë ekzekutim ndërsa për krijimin e kushteve është ndihmuar nga dy shtetas kosovarë.

Konkretisht Kened Antoni, i cili rezulton se ka shitur makinën Benz që u përdor në krim tek Gjelosh Krasniqi, dhe më pas e kanë futur atë në Shqipëri për ta përdorur Vladimir Kola.

Shkak i vrasjes së 39-vjeçarit dyshohet të jetë bërë gjakmarrja, zanafilla e të cilës nis prej vitit 2012 në Lezhë për një vajzë, kur familjari i Valmirit është plagosur rëndë nga i vëllai Briken Sanajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë