Ngjarje

Vrasja te ‘Kodra e Diellit’ dyshohet për hakmarrje, Briken Sanaj sapo ishte kthyer nga një dasmë

Gazeta Si - Briken Sanaj, 39-vjeçari i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Tiranë, kishte qenë në një dasmë në Lezhë para se të vritej.

Kur ka mbaruar dasma e kushëririt të tij, ata kanë sjellë nusen në Tiranë tek pallati ku jetonte prej më shumë se një viti.

Dyshohet se autorët e kanë ndjekur viktimën gjatë gjithë ditës së diel deri në zonën e Kodrës së Diellit, aty ku zbrazën një breshëri kallashnikovi, duke i marrë jetën.

Një nga pistat që po heton policia, është një konflikt i vjetër i viktimës në Lezhë, ndonëse Briken Sanaj nuk kishte precedentë penalë.

Në vitin 2010 familja, Sanaj ka pasur një konflikt me familjen Kola për shkak të ngacmimit të një vajze.

Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola.

Mes familjeve nisi një hasmëri që pavarësisht përpjekjeve për pajtim nuk u realizua.

Dyshohet se në vrasje kanë marrë pjesë të paktën dy persona, ndërsa e gjithë ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë.

Megjithatë momentalisht si identiteti i autorëve ashtu sikurse edhe motivet mbeten mister.

Pas vrasjes, makina e autorëve u gjet e djegur në Qafë Kashar, ku brenda automjetit mësohet se është gjetur një armë kallashnikov. Ndërsa sa i përket targave ato rezultojnë të vjedhura në Tiranë pak ditë më parë.

39-vjeçari jetonte prej 1 viti te rezidenca e Kodrës së Diellit në Tiranë dhe njihej nga rojet e rezidencës me një identitet tjetër.

Ai sapo kishte parkuar makinën në garazh para se të ekzekutohej nga një distancë e afërt, me mjetin e autorëve që dyshohet se ka qenë në lëvizje.

Sanaj u dërgua në spital nga disa njerëz që ndodheshin në vendngjarje, por humbi jetën rrugës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë