Rend dhe Ligj

Vrasja e Briken Sanajt, një nga autorët e dyshuar arrestohet në Kosovë

Gazeta Si - Gjelosh Krasniqi, një nga personat e dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Briken Sanajt te “Kodra e Diellit” në Tiranë në 30 tetor 2022, është arrestuar në Kosovë.

Viktima u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje dhe atentati dyshohet se u krye për hakmarrje.

Policia e Kosovës njofton se Krasniqi u arrestua në Pejë mbrëmjen e së martës. Prokuroria do të kërkojë “arrest me burg” për 30 ditë, siç e parashikon Kodi Penal në Kosovë, dhe do të kryhen procedurat me ministrine e Drejtësisë në Tiranë për ekstradimin e tij.

Nga hetimet e policisë, del se Gjelosh Krasniqi është njëri nga personat që ka ndihmuar autorin kryesor të vrasjes, duke i siguruar mjetin.

Ishte Kened Antoni ai që i shiti makinën që u përdor në krim Gjelosh Krasniqit dhe ky i fundit e ka futur nga Kosova në Shqipëri për ta përdorur Vladimir Kola, i akuzuar si vrasësi i Briken Sanajt.

Të paktën katër persona dyshohet se morën pjesë në atentatin e 30 tetorit në Tiranë ndaj 39-vjeçasit, i cili sapo ishte kthyer nga një dasmë. Dy atentatorët u futën në rezidencë lehtësisht dhe e qëlluan Sanajn nga një distancë të afërt, nga një vend poshtë një peme ulliri.

Plani për ekzekutimin e Sanajt dyshohet se u bë rreth 1 javë para ngjarjes në një lokal në zonën e Lezhës. Në këtë ambient, Vladimir Kola u takua dhe me dy kosovarët që i siguruan mjetin tip "Benz", i cili u përdor në krim, e cila rezultoi prova kryesore në identifikimin e autorëve të ngjarjes së rëndë.

Pas arrestimit të Gjeloshit, në kërkim mbeten dy personat e tjerë, Kola dhe Antoni.

Shkak i vrasjes së 39-vjeçarit Briken Sanaj, dyshohet të jetë bërë gjakmarrja, zanafilla e të cilës nis prej vitit 2012 në Lezhë për një vajzë, kur vëllai i Vladimir Kolës, është plagosur rëndë nga i vëllai viktimës te "Kodra e Diellit".

Në atë kohë, Renato Sanaj, qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë