Rend dhe Ligj

Atentati te Kodra e Diellit, Briken Sanaj u vra nga Vladimir Kola

Gazeta Si - Vladimir Kola është personi, i cili më 30 tetor vrau bashkëmoshatarin e tij Briken Sanajn në rezidencën ‘Kodra e Diellit’, në Tiranë. Policia e Tiranës ka dokumentuar me prova ligjore autorin e ngjarjes në fjalë, por ka dështuar në operacionet për kapjen e tij.

Bazuar në provat e siguruara, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për autorin dhe dy bashkëpunëtorët: Vladimir Kola, 39 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Shëngjin, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”; Gjelosh Krasniqi, 49 vjeç, lindur dhe banues në Pejë, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Kened Antoni, 25 vjeç, lindur dhe banues në Pejë, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Atentati tronditi kryeqytetin më 30 tetor. Viktima Briken Sanaj sapo ishte kthyer nga një dasmë në Lezhë. Para se të ndodhte atentati, Sanaj ishte duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur në trotuar. Kur zbriti nga makina u qëllua nga afër nga një makinë në lëvizje.

Makina “Benz” që përdorën autorët u gjet e djegur më pas në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një armë kallashnikov. Makina ishte me targa të vjedhura në Tiranë.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje. Në vitin 2010 familja Sanaj ka pasur konflikt me familjen Kola, për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë