Ka ndodhur

Vrasja e Briken Sanajt te ‘Kodra e Diellit’, arrestohet në Gjermani autori i dyshuar, Vladimir Kola

Gazeta Si - Vladimir Kola, i shpallur në kërkim për vrasjen e Briken Sanajt te "Kodrës së Diellit" në tetor 2022, është arrestuar në Gjermani.

Policia thotë se 41-vjeçari pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë për të dhënë llogari për ekzekutimin e 39-vjeçarit, ku shkak dyshohet të ketë qenë gjakmarrja.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datë 23.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””, njoftoi policia.

Ai dyshohet se ka vepruar i vetëm në ekzekutim, ndërsa për krijimin e kushteve është ndihmuar nga dy shtetas të tjerë kosovarë. Konkretisht Kened Antoni i cili rezulton se ka shitur makinën "Benz", e cila u përdor në krim tek Gjelosh Krasniqi dhe më pas e kanë futur atë në Shqipëri për ta përdorur Vladimir Kola.

Atentati që tronditi kryeqytetin ndodhi mbrëmjen e 30 tetorot. Viktima Briken Sanaj sapo ishte kthyer nga një dasmë në Lezhë.

Para se të ndodhte atentati, Sanaj ishte duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur në trotuar. Kur zbriti nga makina u qëllua nga afër nga një makinë në lëvizje.

Makina “Benz” që përdorën autorët u gjet e djegur më pas në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një armë kallashnikov. Policia njoftoi se makina ishte me targa të vjedhura në Tiranë.

Shkak i vrasjes së 39-vjeçarit dyshohet të jetë bërë gjakmarrja, zanafilla e të cilës nis prej vitit 2012 në Lezhë, kur familjari i Vladimirit është plagosur rëndë nga i vëllai Briken Sanajt.

Në vitin 2010 familja Sanaj ka pasur konflikt me familjen Kola, për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë