Ekonomi

“Vite dritë larg përafrimit ekonomik me BE, por çelja e negociatave pozitive për investitorët”

Pavarësisht se nuk është bërë ndonjë referendum nëse shqiptarët duan të jenë pjesë e BE-së, ose jo, perceptimi i përgjithshëm është se shumica duan të hyjnë në gjirin e bashkësisë europiane.

Pjesa më e madhe e tyre e shohin si çlirim ekonomik integrimin europian, për të patur standarte, rritje të mirëqënies, zhvillim dhe qëndrueshmëri.

Po çfarë do ti sillte qytetarëve shqiptarë çelja e negociatave në aspektin ekonomik?
Ekspertët ndajnë të njëjtin mendim se përfitimi ekonomik i drejtpërdrejtë nuk është i matshëm, por është i matshëm në një kontekst më të gjerë.

Zef Preçi, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike

Për ekspertin Zef Preçi, çelja e negociatave do të kontirbuonte në rritjen e shkallës së monitorimit të efiçensës, taksave, PPP-ve dhe nëse do të ishim vend kandidat, do të mbështeteshim me fonde nga BE.

“Nuk do të abuzohej me koncensionet siç po abuzohet tani, por ato jo vetëm do të monitoroheshin, por do të ndërtoheshin veprat publike me fonde të BE-së” thotë Preçi për Gazetën “Si” duke shtuar se “Do të bëhej mbikqyrje nga afër e demokracisë, ligjit, institucioneve. Nëse vërejmë ligjet dhe vendimet e 5 viteve të fundit, shumica e tyre nuk synojnë përafrimin ligjor me BE-në. Të mos vazhdohet më me mediokritet, por me profesionalizëm”

Klodian Muço profesor dhe kërkues shkencor pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës thotë me bindje se çelja e negociatave do të ishte një marketing shumë i mirë për investitorët e huaj.

Klodian Muço, profesor në Universitetin "Aleksandër Moisiu", Durrës

Duke i bërë një skaner ekonomisë shqiptare, Muço gjykon se jemi shumë vite dritë larg afrimit me BE-në, në kontekstin ekonomik.

“Në kushtet kur një vend i varfër si Shqipëria që përgjatë viteve të fundit nuk po e redukton distancën që ekziston ndërmjet të ardhurave reale për frymë me mesataren e të ardhurave reale për frymë të BE-së, por përkundrazi po e rrit këtë distancë, mund të themi se integrimi i saj në BE dhe harmonizimi me standardet e saj ekonomike do të jetë sa i vështirë po aq edhe i largët.”- thotë Muço për Gazetën “Si”.

Sipas tij, nëse do të shohim projeksionet e nivelin e rritjes së të ardhurave reale për frymë të Shqipërisë në 20 vitet e fundit me rritjen mesatare të kësaj të fundit në BE do të vërejmë se na duhen mbi 70 vjet për të arritur nivelin mesatar të BE-së. Pra, është e vërtetë thotë ai, se ne kemi rritje ekonomike, por është po aq i vërtetë edhe fakti se kjo rritje është e pa mjaftueshme për të reduktuar distancat me BE-në.

Të njëjtën gjë, sipas tij, mund të themi edhe për reduktimin e korrupsionit apo për nivelin e demokracisë.

“Këto na çojnë të mendojmë me pesimizëm se ndoshta do të kalojnë edhe dhjetëra vite të tjera dhe ne përsëri s’do jemi pjesë e BE-së. Ndoshta kur ne të jemi gati të bëhemi pjesë e saj ndoshta dhe BE-ja s’do të jetë më siç është sot…”- shprehet për Gazetën “Si”, Muço.
Me gjithë pesimizmin e tij, Muço shpjegon se çelja e mundshme e negociatave, do të kishte qenë një marketing pozitiv për investitorët e huaj e vëçanërisht ata strategjikë.

Sipas tij, klima aktuale e biznesit lë për të dëshiruar dhe mungojnë incentivat fiskale për biznesin siç gjenden në rajon. Ai thekson se taksat në Shqipëri janë shumë të larta, prandaj kanë ikur të gjithë bizneset perëndimorë nga vendi.

“Ndërmarrjet tërhiqen nga produktiviteti dhe zbatimi i ligjit, stabiliteti politik, mungesa e korrupsionit. Kemi treguesin e pabarazisë më të lartë në rajon dhe Europë, sipërmarrësir marrin shumë fitime dhe shpërndajnë pak”- thotë Muço për gazetën “Si” duke vijuar se “Studimet thonë që investimi më i mirë është në arsim, pavarësisht se kthimi kërkon kohë. Ne kemi krizë vlerash, krizë kulture, administratë të paaftë ku 20% e saj kanë një diplomë nga universitetet e mbyllura. Qeveria duhet të kuptojë që 72% e PBB-së vjen nga konsumi, prandaj duhet të rrisë pagat”- thotë ai.

Për Muçon, hapja e supozuar e negociatave nuk do të kishte përfitueshëmri në mënyrë direkte, por shtrëngim dhe zbatim të ligjit dhe të plotësimit të kapitujve. E po ashtu do të përmirësohej klima e cilësia e biznesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë