Shendet

Virozat, rreth 280 raste në ditë në urgjencën pediatrike në QSUT, më të prekur fëmijët 1-6 vjeç

Temperaturat e larta dhe ndryshimi i herëpashershëm i ambienteve bën që njerëzit të jenë më delikat në këtë periudhë.
Por më të prekurit nga virozat e stinës janë pacientët pediatrikë. Sipas mjekëve, kryesisht gjatë kësaj periudhe janë të shpeshta virozat që prekin rrugët e sipërme respiratore.
Burime të Gazetasi.al kanë shpjeguar se në urgjencën pediatrike në QSUT numri i vizitave në këtë kohë ka arritur deri në 280 fëmijë në ditë. Fluksi i fëmijëve të prekur nga infeksionet respiratore është vënë re edhe nga mjekët në qendra shëndetësore.

Mjeku pediatër Gëzim Shehu i shpjegoi Gazetasi.al se simptomat më të shpeshta që kanë vënë re deri më tani janë temperaturë, dhimbje fyti, kollë e cila fillimisht është e thatë dhe pas 3 deri 4 ditësh zbutet nga gëlbaza.

Mjeku pediatër Gëzim Shehu-Gazeta "Si"-29.06.2022


Sipas mjekut shenja e parë dalluese është humbja ose ulja e oreksit. Mjeku shton se ndër faktorët kryesor është ndryshimi i shpeshtë i ambientit dhe padyshim kushtet higjienike.

I pyetur nga Gazetasi.al pediatri Shehu shprehet se të gjithë fëmijët janë të prekshëm nga virozat.
“Më së shumti preken fëmijët nga mosha 1-6 vjeç që frekuentojnë ambiente kolektive, si çerdhe apo kopshte. Ku ka grumbullime të tilla për arsye të ndryshme ka dhe përhapje më të shpejtë të sëmundjeve virale”, shton Shehu.
Mjekët në qendrat shëndetësore 2 dhe 6 i shpjeguan Gazetasi.al se ka rreth nga 10 deri 12 fëmijë që kontrollohen vetëm për virozat çdo ditë.

Foto ilustruese-Fëmijë duke u vizituar në pediatri-Marrë nga interneti-Gazeta "Si"-29.06.2022.

Virozat janë organizma patogjene, të cilat prekin organizmin në një kohë të shkurtër. Virozat janë të ndryshe sipas stinëve dhe shpesh herë pësojnë mutacione gjenetike, duke tjetërsuar formën e tyre e si rrjedhojë pasojat shëndetësore.
Aktivizimi i tyre në organizëm mund të shkaktojnë infeksione. Më të shpeshtat janë virozat e traktit respirator që shkaktojnë infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, si hundë, fyt, bronke e deri në prekjen e mushkërive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë