Gazeta Si - Shqiptari Dritan Rexhepi, një nga personat më të kërkuar në botë nga disa shtete për trafik droge, vrasje, pengmarje dhe arratisje nga vendi i vuajtjes së dënimit, është arrestuar në Stamboll të Turqisë.
Rexhepi akuzohet si kreu i një karteli ndërkombëtar droge me shumicë shqiptare të quajtur "Compania Bello”, që transportonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Lajmin e kanë dhënë autoritetet turke, të cilat publikuan edhe pamje nga arrestimi i shqiptarit të shumëkërkuar.
LEXO EDHE:
- Dritan Rexhepi, historia e një vrasësi që thyente burgjet
- Italia dënon me 20 vjet burg bosin shqiptar të kokainës Dritan Rexhepi
- Favoret e drejtësisë ekudoriane për bosin e kokainës. Historia e një ‘arratisjeje ligjore’
- Si u zbulua Dritan Rexhepi në burg dhe gjurmët e kokainës nga Ekuadori në Europë
I shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare dhe italiane u kap pas një operacioni në Turqi, ku ai kishte shkuar me një pasaportë false kolumbiane.
Rexhepi përdorte emrin Benjamin Omar Perez Garcia. Siç duket nga pamjet, Rexhepi bënte një jetë luksi, pasi u kap brenda një vile. Aty u sekuestruan edhe sasi të konsiderueshme parash, armë, municione, bizhuteri etj.
İstanbul’da düzenlenen "KARTEL OPERASYONU" ile İtalya ve Arnavutluk makamlarınca;
— Ali Yerlikaya (@AliYerlikaya) November 10, 2023
🟥 Kırmızı Bülten’le aranan ve Güney Amerika’dan Avrupa’ya uyuşturucu sevkiyatı yapan "KOMPANİO BELLO" isimli uyuşturucu Kartelinin lideri Dritan REXHEPI yakalandı❗️
Aziz Milletimiz bilmesini… pic.twitter.com/4cbWMYNQgg
Rexhepi, emri i vërtetë i të cilit është Gramoz, është arrestuar pas një operacioni të zhvilluar në qytetin turk nga autoritetet italiane.
Nda tij rëndojnë edhe akuzat e vrasjes me dashje dhe rrëmbimit të personit, falsifikim i dokumenteve dhe armëmbajtje pa leje.
Vendndodhja e drejtuesit të kartelit u përcaktua si rezultat i punës së përbashkët të kryer nga policia turke, Dega Kundër Krimeve Narkotike në Stamboll, Dega e Inteligjencës, Dega Kundër Kontrabandës dhe Kalimit Kufitar të Emigrantëve dhe shkëmbimit të informacionit me Policinë Italiane.
Ministri turk i Punëve të Brendshme Ali Yerlikaya tha se është konstatuar se Rexhepi ka hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.
Akuzat për vrasje dhe arratisjet
Rexhepi është regjistruar me emrat Ioannis Dionysopoulos (emër grek) dhe me Lulzim Murataj (emër shqiptar i falsifikuar) e Gramoz Rexhepi (emër shqiptar).
Për shqiptarin ka tre ‘alarme të kuqe’ nga Interpol, pasi ai ka tre arratisje të regjistruara: në vitin 2006, nga Policia e Durrësit, në Shqipëri, në 2011, nga burgu i Vogheras, Itali, dhe nga burgu Merksplas, Belgjikë, në të njëjtin vit.
Dritan Rexhepi rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim në Shqipëri, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Por pavarësisht këtij dënimi, është arritur të mësohet se në vitin 2013, ai ka hyrë në territorin shqiptar me emrin Lulzim Murataj e nuk është pikasur nga autoritetet.
Fillimisht, ai është arrestuar në 2007 në ambientet e “Hotel Tirana” së bashku me Nadien Zeneli Pas arrestimit është transferuar në Durrës, pasi oficerët e Drejtorisë së Policisë Durrës kishin kryer të gjithë operacionin për zbulimin dhe prangosjen e tij. Këtu ndodhi edhe arratisja e tij e parë.
Rexhepi në fakt ka mundur tu ikë nga ambientet e komisariatit të policisë Durrës, pasi oficeri Albert Strati dhe zëdhënësja e policisë së Durrësit, e kishin nxjerrë nga dhoma e shoqërimit, për t’i bërë një foto, me qëllim publikimin e lajmit të arrestimit të tij, në shtypin e kohës.
Ai u largua në momentin që sapo u fut në qeli pas marrjes në pyetje, pasi dera e qelisë ishte lënë hapur. Në vetëm pak sekonda, Rexhepi ndodhej në rrugë i lirë.
Rexhepi ka mundur që të arratiset edhe nga burgu i sigurisë së lartë i Pavias, të Italisë, së bashku me dy shqiptarë të tjerë. Në korrik të 2011-s, ai u arrestua për grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelona, por arriti që të arratisej.
I akuzuar si porositësi i pengmarrjes dhe vrasjes së Jan Prengës
Rexhepi akuzohet edhe si porositësi i pengmarrjes dhe vrasjes së Jan Prengës në Shqipëri. Ai është marrë i pandehur nga Gjykata e Posaçme së bashku me 6 persona të tjerë si organizator dhe porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës në Kamëz në 2021-shin. Sipas SPAK, vëllai i tij Astrit Prenga kishte grabitur një sasi kokaine në një port në Angli.
Për kthimin e lëndës narkotike, në bashkëpunim edhe me Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Gështenja dhe Artan Doçajn ata kanë kërcënuar vëllain e Astrit Prengës, Jan Prengën që sipas hetimeve të SPAK, ky i fundit ka humbur jetën nga dhuna e ushtruar.
Dritan Rexhepi është në kërkim nga drejtësia shqiptare edhe për një vrasje në vitin 1998, për të cilën është dënuar me 25 vite burgim.
Rexhepi është dënuar nga autoritetet italiane me 20 vjet burgim. Ai akuzohet si pjesë e grupit që ka arritur të trafikojë sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës.
Rexhepi, i konsideruar si një nga bosët e drogës, u dënua në mungesë pasi ishte në arrati pas lirimit me kusht që fitoi në fillim të vitit 2022 në Ekuador.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.