Ka ndodhur

Vrasja e Edmond Sulës mund të jetë e porositur, dyshohet se u ekzekutua me snajper

Gazeta Si – Edmond alias Ali Sula, 50-vjeç, i cili mbeti viktimë e një atentati të ndodhur pas mesnatës së djeshme në Bërxullë të Vorës, dyshohet se është ekzekutuar me snajper.

Sipas burimeve, Sula është qëlluar me një plumb në kokë në derën e banesës së tij dhe dyshimet janë se autori ka qenë duke e vëzhguar nga një pozicion në lartësi dhe se mund të ketë përdorur snajper për të kryer krimin.

Nisur nga teknika e përdorur, polici dyshon se bëhet fjalë për një vrasje të porositur nga persona të tjerë. Duke qenë se provat në vendngjarje kanë qenë të pakta, policia po hulumton mbi aktivitetin e Edmond Ali Sulës për të zbuluar konfliktet e mundshme që mund ta çojnë tek autorët.

Rezulton se Edmond Sula merrej me shitblerje tokash në zonë, biznes i cili herë pas here i krijonte mosmarrëveshje, të cilat janë referuar edhe nga familjarët. Po ashtu, edhe me banorët e zonës ka pasur konflikte, por që sipas policisë nuk janë një pistë e fortë.

Sula rezulton të jetë proceduar 28 herë nga policia për vepra të ndryshme penale, ndërsa në gusht të vitit 2019 është arrestuar nga policia për moskallëzim krimi, pasi rezultonte se kishte dijeni për vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çela, teksa po montonte kondicionerët në ndërtesën e vëllezërve Griseldo dhe Albano Kusi.

Përgjigje, po ashtu, policia po kërkon edhe nga Interpoli, pasi dyshohet se viktima mund të jetë i përfshirë në trafikun e drogës.

Një tjetër drejtim ku po kryhen verifikime janë edhe lidhjet shoqërore të 50-vjeçarit, i cili rezulton se ka pasur kontakte me persona me precedent të theksuar kriminal dhe grupe kriminale në zonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë