Dosje

Italia dënon me 20 vjet burg bosin shqiptar të kokainës Dritan Rexhepi

Gazeta Si - Bosi shqiptar i trafikut të kokainës, Dritan Rexhepi është dënuar me 20 vjet burg nga Gjykata e Firences në Itali.

Vendimi është dhënë në mungesë të të riut nga Vlora, i cili në janar të këtij viti u lirua nga një gjykatë në Ekuador dhe më pas humbi gjurmët edhe pse iu ndalua të dilte nga vendi.

Megjithatë, Gjykata e Firences ka rrëzuar akuzën se tre kartelet ndërkombëtare të narko-trafikut, mes tyre edhe ai shqiptar që drejtohej nga Rexhepi, kishin ngritur një “super organizatë”, duke u bashkuar në një të vetme.

LEXO EDHE:
- Dritan Rexhepi, historia e një vrasësi që thyente burgjet
- Favoret e drejtësisë ekudoriane për bosin e kokainës Dritan Rexhepi. Historia e një ‘arratisjeje ligjore’
- Në rrjetin e ‘baronit’ të drogës/ ‘Po dal për ajrosje’! Si u zbulua Dritan Rexhepi në burg dhe gjurmët e kokainës nga Ekuadori në Europë

Sipas mediave italiane, gjykatësja Silvia Romeo nuk ka provuar në asnjë moment se tre kartelet kriminale kanë pasur komunikim së bashku dhe kanë krijuar lidhjet mes tyre për të shpërndarë drogë në të gjithë Europën, përfshirë edhe në Itali.

Rexhepi u arrestua në Guajakili  të Ekuadorit në vitin 2014, i akuzuar si bosi i kartelit shqiptar të drogës të quajtur "Kompania Bello".

Personazhi i akuzuar si kreu i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës kërkoi gjykim të shkurtuar, çka i ka siguruar edhe reduktimin e dënimit.

Karteli shqiptar i drogës, i drejtuar nga 42-vjeçari, importonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine dhe Ekuadori, drejt Italisë në rajonin e Toskanës, por edhe në vende të tjera të Europës.

Hetimet për këtë aktivitet nisën në vitin 2015 duke çuar në sekuestrimin e 5 milionë e gjysmë euro të rreth 4 tonë kokainë.

Për hetuesit italianë, karteli shqiptar i kokainës ishte paralelisht i barabartë me rrjetet e mëdha të drogës amerikano jugore.

Në paketat e kokainës që trafikoheshin nga Amerika Latine në Europë për llogari të grupit, vulosej logoja "Bello".

Ky rrjet kishte degëzime të shumta në Holandë, Ekuador, Austri, Zvicër, Francë, Norvegji, Turqi, Gjermani e Belgjikë e me një kapital të madh financiar në dispozicion.

17 prej të arrestuarve kanë zgjedhur gjykimin e shkurtuar nga Gjykata e Firences, duke përfituar një ulje në vitet e dënimit.

Nga 10 nëntori, autoritetet në Ekuador nuk kanë asnjë gjurmë nga Dritan Rexhepi, i cili duhej të paraqitej në polici çdo 15 ditë në Guajakili.

Shqiptari ka mbajtur kontakte me autoritetet e vendit deri në një farë kohe, por më pas është zhdukur dhe nuk ka asnjë gjurmë.

Ai është në kërkim nga të paktën 3 shtete (Shqipëri, Spanjë dhe Itali). 42-vjeçari nga Vlora është arratisur jo pak herë nga burgu: në vitin 2007, nga Policia e Durrësit, në Shqipëri; në 2011, nga burgu i Vogheras, Itali, dhe nga burgu Merksplas, Belgjikë, në të njëjtin vit.

Gjithashtu Dritan Rexhepi rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim në Shqipëri, për vrasjen e dy policëve në Fushë Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Rexhepi akuzohet në Shqipëri se porositi rrëmbimin e Jan Prengës për një çështje të trafikur të kokainës, që nisi në Britani dhe përfundoi në Shijak.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë