Ngjarje

Dyshohet se abuzoi me fondet, shkarkohet dhe kallëzohet drejtoresha e Postës Shqiptare në Durrës

Gazeta Si – Elisabeta Mataj është shkarkuar nga posti i saj si drejtoreshë e filalit të Postës Shqiptare në Durrës. Ndaj saj ka patur një kallëzim penal për dyshime se ka abuzuar me fondet e institucionit.

Nga burime të besueshme brenda këtij institucioni, dyshohet për një abuzim prej 3 milionë eurosh. Kur është bërë rakordimi i arkës në fund të muajit, fillimisht rezultuan rreth 1 miliard lekë mangët.

Më pas, gjatë analizës më të thelluar, u evidentua se vlera e mungesave ishte edhe më e madhe.

Elisabeta Mataj u emërua në krye të filialit të postës së Durrësit në tetor të vitit 2025, pasi drejtuesja e mëparshme Etleva Budini, fitoi mandatin e deputetes në zgjedhjet e 11 majit, ku garoi në listat e hapura.

Gjithashtu, sipas burimeve mësohet se ka dhënë dorëheqjen menjëherë dhe drejtuesja e financës Valbona Hoti Duni.

Më herët, Posta Shqiptare njoftoi se gjatë një kontrolli të brendshëm në filialin e Durrësit u konstatuan parregullsi në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Institucioni bëri të ditur se ka marrë masa administrative ndaj punonjësve përgjegjës dhe ka depozituar kallëzim penal në Prokurori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë