Ngjarje

Atentati në Laç / Viktima u qëllua me 7 plumba, autori i dyshuar i dënuar më parë

Detaje te reja kanë dalë nga vrasja e ndodhur një natë më parë në lagjen “Erdogan” në qytetin e Laçit ku mbeti i vrarë Ilir Gjini.

Sipas burimeve, 40-vjeçari, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure, ka qenë në këmbë në momentin kur është qëlluar me shtatë plumba, ndërsa po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte.

Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin kryesor të dyshuar, Emiljan Suti, i njohur edhe me emrin Artur Suti, 40 vjeç, banues në Laç.

Sipas të dhënave paraprake për mediat, ai ka hapur zjarr menjëherë pasi ka parë viktimën para banesës. Edhe pse ka tentuar të largohet, Gjini është ndjekur dhe është qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës.

Emiljan Suti, autori i dyshuar i vrasjes në Laç

I plagosur rëndë, ai është transportuar drejt spitalit, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse ai është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar, ndërsa hetimet janë shtrirë edhe në identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm. 

Burimet bëjnë me dije se autori i dyshuar dhe viktima njiheshin me njëri-tjetrin dhe banonin në të njëjtën lagje.

Mësohet gjithashtu se mes tyre kishte pasur konflikte edhe disa kohë më parë, pistë që po verifikohet nga grupi hetimor si një nga motivet e mundshme të vrasjes. Në kuadër të hetimeve, në komisariat janë shoqëruar nëna dhe vëllai i autorit të dyshuar.

Kush është autori i dyshuar

Emiljan (Artur) Suti është dënuar me 5 vite burg për “kanosje për shkak të detyrës” dhe ka precedent penal për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu ka qenë i arrestuar në Belgjikë për vjedhje. Në 2011, ka arritur t’i shpëtojë edhe një atentati para komisariatit të Kurbinit.

Artur Suti është vëllai i Gentian Sutit, “të fortit” të Laçit, i arrestuar më parë për drogë, vjedhje e vrasje. Në vitin 2019, dy vëllezërit dhe kushëriri i tyre vranë Mikel dhe Jani Jushin, kushërinj, kurse Gentian Suti mbeti i plagosur.

Në 2010, vëllezërit Suti u arrestuan dhe akuzuan për tentativë vrasjeje pasi hapën zjarr ndaj policisë, “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “fyerje për shkak të detyrës” dhe “mosbindje të urdhrit të policisë”.

Prokurori Eugen Beci asokohe kërkoi shpalljen fajtor dhe dënoi me 21 vjet burg Artur Sutin, ndërsa për të vëllain e tij, Gentianin, 20 vjet burgim.

Trupi gjykues, i kryesuar nga Klodian Kurushi hodhi poshtë akuzat e ngritura nga organi i akuzës për vrasje në tentativë të policëve për vëllezërit Suti, duke i dënuar ata për veprat penale të “kanosjes”, “mosbindje ndaj urdhrit të policisë”, si dhe “armëmbajtje pa leje” duke e dënuar përfundimisht Arturin me 5 vite dhe Gentianin me 4 vite burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë