Dosje

Në Shqipëri apo Itali, ku do ta ekstradojë Turqia Dritan Rexhepin? (me ‘Kod të Kuq’ deri në Ekuador)

Shqipëria ka nisur procedurat e ekstradimit në vendin tonë të Dritan Rexhepit pas arrestimit të tij në Stamboll të Turqisë. Përveç tre dënimeve në Shqipëri dhe shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, 43-vjeçari nga Vlora është dënuar me burg në mungesë dhe kërkohet edhe nga Italia për pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikun e drogës

Gazeta Si - Pas kapjes në Turqi, të Dritan Rexhepit,, Zyra Qendrore e Interpol Tiranës dhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij, në vendin tonë.    

Për Dritan Rexhepin, Interpoli kishte lëshuar “Kodin e Kuq”, si një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht për dhjetëra akuza, nga trafik droge, te vrasje.

Në Shqipëri, ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshi këtu vrasjen e policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi, si dhe porositjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.

LEXO EDHE:
- Video/ Arrestohet në Stamboll Dritan Rexhepi, ‘mbreti’ i trafikut të kokainës. Porositi pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës
- Dritan Rexhepi, historia e një vrasësi që thyente burgjet
- Italia dënon me 20 vjet burg bosin shqiptar të kokainës Dritan Rexhepi
- Favoret e drejtësisë ekudoriane për bosin e kokainës. Historia e një ‘arratisjeje ligjore’
- Si u zbulua Dritan Rexhepi në burg dhe gjurmët e kokainës nga Ekuadori në Europë

Rexhepi është dënuar nga autoritetet italiane me 20 vjet burgim, si pjesë e grupit që ka arritur të trafikojë sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës.

Megjithatë, ai kërkohet edhe në Ekuador, Spanjë, Belgjikë e Britani të Madhe, si kreu i një prej grupeve të rrezikshme të trafikut të kokainës drejt Europës. Atëherë ku do ta ekstradojë Turqia 43-vjeçarin e lindur në Vlorë, në Shqipëri apo Itali?

Dënimet në Shqipëri

Rexhepi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

– Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.11.2015, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.

– Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 31.01.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Historia e arrestimeve dhe arratisjeve

“Dritan REXHEPI, lideri i kartelit ndërkombëtar të drogës me emrin “Kompania Bello”, i cili transporton drogë nga Amerika e Jugut drejt Europës, është shpallur NJOFTIM KUQ nga autoritetet gjyqësore italiane dhe shqiptare për krimet e “Vrasjes me dashje, drogës, rrëmbimit/privimit të lirisë, falsifikim i dokumenteve të udhëtimit, trafik armësh dhe municionit”, - shkruan ministri i, Punëve të Brendshme i Turqisë, Ali Yerlikaya në një postim në Twitter.

Në vitin 2006, Rexhepi u arratis nga qelia e burgut në Durrës në rrethana ende të paqarta, i akuzuar për vrasjen e dy policëve në Fushë Krujë.

Dy vite më vonë, u arrestua në Holandë dhe u ekstradua në Itali, ku ishte dënuar për trafik droge. Në vitin 2008, arriti të arratisej nga burgu i Pavias në Itali, së bashku me dy shqiptarë të tjerë.

Rexhepi kishte marrë makinën e një të moshuare dhe ishte zhdukur, duke bërë që i gjithë personeli i burgut të shkarkohej.

Nga Europa në Ekuador

Rexhepi dhe dy të tjerë përdorën një sharrë hekuri për të prerë hekurat e një dritareje në një korridor, duke përdorur më pas një çarçaf si litar për të zbritur.

Në vitin 2011, Rexhepi u arrestua nga policia e Spanjës, i akuzuar për grabitjen me armë të një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, por nuk u ekstradua drejt Italisë.

Ndryshe nga sa pritej, autoritetet spanjolle vendosën ta ekstradonin drejt Belgjikës, ku gjithashtu kërkohej për trafik droge.

Ai u mbyll në një burg në Antverpen, nga ku arriti të arratisej sërish, pasi rojet nuk ishin lajmëruar për nivelin e rrezikshmërisë së tij. Menjëherë, mediat spanjolle e cilësonin Dritan Rexhepin “mbret” të arratisjeve nga burgjet. 

Pas kësaj arratisje, Rexhepi dyshohet se jetonte në Roterdam, nga ku më pas së bashku me një grup shqiptarët ngriti rrjetin e trafikut të drogës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Drejtësia shqiptare ka kërkuar informacion për Dritan Rexhepin në Zyrën Qendrore Kombëtare të Interpolit dhe prej kësaj Zyre u zbulua se Dritan Rexhepi pas arratisjes nga burgu në Itali, ishte arrestuar në Spanjë dhe ishte ekstraduar në Belgjikë.

Falsifikimi i emrit në Shqipëri

Zbulohet që pas arratisjes së parë nga Durrësi dhe gjatë kohës së zhvillimit të gjyqit në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda kur ishte në kërkimin ndërkombëtar, Dritan Rexhepi ka qenë në Shqipëri shumë herë të tjera, por nuk është prangosur.

Në fakt, teksa ka dalë për herë të fundit nga Shqipëria në nëntor 2013 nga pika e Kakavijës në Gjirokastër, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në vendlindje, pasi në 8 gusht 2014, ai u arrestua në Ekuador pikërisht me emrin fals, Lulzim Murataj.

Lulzim Murataj, identitetin e të cilit e ka përdorur Dritan Rexhepi, rezulton se është banor i komunës Kote, i lindur në fshatin Velç.

Por kjo nuk ka penguar Gramoz Rexhepin të siguronte një pasaportë me identitet të bashkëfshatarit të tij Lulzim Murataj, por me foton e vetë Dritanit.

Edhe Italia në pritje

Por historia nuk mbaron këtu, pasi Rexhepi zhduket nga Ekuadori, pasi u lirua me kusht në vitin 2022 pas favoreve të drejtësisë ekuadoriane, duke rezultuar një “arratisje ligjore”.

Gjatë kësaj kohe, ai dënohet në mungesë me 20 vjet burg, pasi ishte në arrati pas lirimit me kusht që fitoi pikërisht në Ekuador.

Pritej që kur të përfundonte dënimin në Ekuador, Rexhepi duhej të ekstradohet në Shqipëri, ku është dënuar me 25 vite burg, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë.

Por nga ana tjetër, dënimi në mungesë i dhënë nga Italia me 20 vjet burg, mund të shkaktojë “përplasje” me autoritetet e drejtësisë shqiptare.

Në njoftimin e sotëm të Policisë së Shtetit pas arrestimit në Stamboll, thuhet se ky "shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29.09.2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15.04.2010, e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë