Mosfunksionimi i gjykatave për shkak të reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut nuk është argument për Gjykatën e Strasburgut, që ka dënuar në dy raste Shqipërinë për shkelje të nenit të gjashtë të Konventës së të Drejtave të Njeriut.
Ky nen ka të bëjë me të drejtën e një të akuzuari, apo paditësi për të pasur një proces gjyqësor, civil apo penal të drejtë, publik dhe brenda një afati të arsyeshëm kohor.
Gjykata e Strasburgut ka bashkuar dy padi të ngritura pranë saj, e para çështje civile e ngritur nga mjeku dhe pedagogu i Universitetit të Mjekësisë, Petrit Bara dhe e dyta çështje penale e ngritur nga shtetasi Eduard Kola i dënuar për pengim të drejtësisë në zbardhjen e një vrasjeje të ndodhur në shtator të 2011.
Bara mori pjesë në zgjedhjet për rektor të Universitetit të Mjekësisë në 2016, ku nuk fitoi dot. Ai kundërshtoi rezultatin në disa procese gjyqësore në gjykatat administrative brenda vendit duke akuzuar për parregullsi në proces. Kërkesat iu rrëzuan deri në momentin që e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë në 2016. Kjo e fundit nisi shqyrtimin e padisë së tij vetëm në shkurt të këtij viti.
Qeveria nuk kundërshtoi pretendimin e shkeljes së nenit 6 të Konventës së të Drejtave të Njeriut, por u mbrojt në këtë proces duke dhënë si argument procesin e vettingut dhe reformën në drejtësi për të rrëzuar pretendimin financiar të ngritur nga pedagogu Bara.
Vonesat në rastin e Eduard Kolës, i datëlindjes 1986, Strasburgu vëren se shkeljet janë më të rënda, edhe për faktin se bëhet fjalë për një çështje penale. Kola u arrestua dhe dënua pas gjetjes së vdekur të një rojeje guroreje në shtator të 2011. Pasi hetimeve, Kola dhe një person tjetër u akuzuan për vrasje me paramendim dhe zotërim të paligjshëm të armëve të gjuetisë dhe u dënuan me burg.
Por, në 2016, Gjykata e Lartë rrëzoi këtë vendim për mungesë provash dhe e ridërgoi për gjykim, duke udhëzuar që një ekspert të caktohet për të hartuar një raport mbi armën e krimit dhe të verifikojë gjurmët e gishtërinjve në të.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e Shkodrës la në fuqi vendimin me burg për të. Kola e ridërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë në mars të 2017. Vetëm në mars të këtij viti, Gjykata e Lartë e pranoi kërkesën, por nuk ka dalë ende me një vendim për këtë çështje.
Pasi dëgjon argumentet e Avokatit të Shtetit dhe arsyetimet e dhëna që lidhen me ngarkesën dhe me reformën në drejtësi, Gjykata e Strasburgut ka marrë vendim duke dëmshpërblyer dy paditësit, megithëse në shumë simbolike nga 1200 euro.
Por, më shumë se për paratë vendimi është zyrtarizim se edhe për shkak të reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut, Shqipëria ka shkelur të Konventën e të Drejtave Themelore të Njeriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.