Politike

Strasburgu trazon Tiranën, Biba pranon “fajin”

Gjyqtari Ledi Bianku paralajmëroi dy ditë më parë për Gazetën Si se në lidhje me audiopërgjimin e 2014 të një bisede mes tij dhe Denar Bibës do të reagonte zyrtarisht Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg.

Reagimi nuk vonoi dhe mes rreshtave Gjykata rrëzon pretendimin e nënkryetarit aktual të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba.

Çfarë thotë gjykata?

“Në vitin 2014, një zyrtar i afërt me qeverinë shqiptare, (Denar Biba) kontaktoi gjyqtarin Ledi Bianku, gjyqtar përfaqësues i Shqipërisë, duke i kërkuar që gjykata të shtyjë shqyrtimet e rasteve për rikthimin ose kompensimin e pronës. Gjyqtari Bianku i tregoi këtij personi se kjo sjellje ishte e papërshtatshme dhe menjëherë informoi Dean Spielmann, President i Gjykatës Europiane në atë kohë. Ai në vazhdim informoi Presidentin e Gjykatës, Guido Raimondi, sapo ai u zgjodh”, deklaroi një zëdhënës i Strasburgut për BIRN.

Po Denar Biba, çfarë deklaroi? Pak pas akuzave të Lulzim Bashës për këtë temë, nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve doli para gazetarëve. Ai e pranoi bisedën e zhvilluar, por akuzoi se ajo që është publikuar nga exit.al ditën e martë janë fragmente të një bisede më të gjerë. Biba sfidoi Bashën që të publikojë bisedën e plotë, ku thotë se nuk ka asnjë shantazh ndaj përfaqësuesit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut.

“Në atë bisedë fare miqësore s’bëhet fjalë për shantazhe, pasi ai (gjyqtari Ledi Bianku) është i pashantazhueshëm”, deklaronte Biba.

Por, menjëherë pasi Gjykata e Strasburgut reagoi për këtë çështje dhe e cilësoi si “qasje të papërshtatshme” nga ana e Denar Bibës, ky i fundit doli sërish para gazetarëve. Këmbënguli sërish se biseda ishte miqësore, pranon qasjen e papërshtatshme, por jo shantazhin.

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba

“Gjykata pranon referimin e anëtarit të saj për qasje të papërshtatshme, por jo për ndikim dhe aq më pak për shantazh. Ishte bisedë normale mes dy miqsh, që për fat të keq gjyqtari e ka referuar si qasje të papërshtatshme”, tha ai këtë të enjte.

Pas publikimit të audiopërgjimit dhe pas reagimit të Strasburgut, nënkryetari i KQZ-së ka një peng të mbetur nga ajo bisedë.

“Më vjen keq që nuk ma tha në sy dhe ta ndërpriste bisedën në moment”, shtoi Biba.

Justifikimi i Denar Bibës nuk bind opozitën.

“Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut konfirmoi dje zyrtarisht se qeveria shqiptare ka tentuar të ushtrojë presion dhe e ka konsideruar të papërshtatshme këtë ndërhyrje. Çdo gjë tjetër nga ana e qeverisë dhe prokurorisë është propagandë. Përfaqësues të qeverisë shqiptare, nën emrin dhe frymëzimin e drejtë për drejtë të Kryeministrit Rama kanë kërkuar të ndikojnë në vendimin e Gjykatës Europiane në lidhje me shqyrtimin e Ligjit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, tha në një deklaratë për mediat, deputetja Jorida Tabaku.

Tabaku lidh audiopërgjimin edhe me refuzimin në tre raste të listave më kandidatë të paraqitur nga qeveria shqiptare për zëvendësimin e Ledi Biankut, të cilit i ka përfunduar mandati.

“Jo rastësisht komunikimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe emërimet e qeverisë shqiptare pranë kësaj gjykate, janë tërësisht partizane dhe politike. Qëllimi i këtyre emërimeve ka qenë dhe mbetet krijimi i një linje informacioni të drejtpërdrejtë nga Gjykata tek Rama”, deklaroi ajo.

Deputetja e PD, Jorida Tabaku

Sipas Partisë Demokratike, që prej 2014, përmes nismave ligjore antikushtetuese dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave, Edi Rama është angazhuar në drejtim të shpronësimit të dytë të pronarëve, në shërbim të pasurimit të një grupi personash nën termin “pronarë të rinj”, që në fakt janë uzurpues të paligjshëm të pronave.

Tabaku kujtoi se në prill të këtij viti, Partia Demokratike i është drejtuar Strasburgut me një letër, ku denoncon shkeljet e qeverisë për të drejtën e pronës.

Në audiopërgjimin e publikuar, ku dëgjohet vetëm zëri i Denar Bibës, nënkryetari i KQZ-së i transmeton gjyqtarit Ledi Bianku një mesazh nga Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, ku kërkon ndihmën për shtyrjen e çështjeve në këtë Gjykatë. Biba dëgjohet të thotë: “A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica? Njeriu bën kompromise në jetë!”.

Megjithëse kërkesa e qeverisë shqiptare u refuzua në vitin 2014, në Tiranë, Edi Rama fliste për një “marrëveshje”. Por, kërkesa është pranuar në vitin 2016 dhe Strasburgu kujdeset që të theksojë në reagimin e vet se vendimi nuk ka lidhje me ngjarjet e 2014.

Në maj të 2016, Kryeministri Edi Rama deklaronte sërish nga salla e Kuvendit se kishte një marrëveshje mes qeverisë së kryesuar prej tij dhe Gjykatës së Strasburgut për të mos shqyrtuar më çështje të pronave të qytetarëve shqiptarë kundër qeverisë shqiptare. Marrëveshja, tha ai, hyri në fuqi njëkohësisht me miratimin e ligjit të ri të pronave dhe se ajo ishte arritur me Presidentin e Gjykatës së Strasburgut.

Por, Strasburgu ka reaguar edhe për këtë temë. Gjykata thotë se ajo që ka ndodhur në 2016 ka qenë vetëm një pezullim i përkohshëm për t’i dhënë mundësi Qeverisë shqiptare që të hartojë dhe zbatojë një legjislacion të duhur për temën e pronave dhe jo një vendim për të mos pranuar më padi të reja, pasi as vendimi i parë dhe as vendimi i dytë nuk mund të merret nga Presidenti i Gjykatës, por nga Dhoma.

“Nuk ka patur, as nuk mund të ketë ndonjë “marrëveshje” mes Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Shqipërisë, përsa i përket shtyrjes së mundshme të rasteve në fjalë. Në 2016, Dhoma kompetente e Gjykatës, vendosi të shtyjë shqyrtimet e këtyre rasteve”, citohet nga BIRN një zëdhënës i Strasburgut.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë