Analize

Variant i ri i Covid në Itali që në gusht. A ka mbërritur në Shqipëri?

"Një variant i koronavirusit Sars-CoV-2" shumë i ngjashëm me variantin anglez ka qarkulluar në Itali që nga fillimi gushtit. Ky variant italian i zbuluar në Brescia, i paraprin sipas studiuesve variantit që u shfaq vetëm në fund të shtatorit në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas u përhap në Europë, përfshirë Italinë.

Lajmi për zbulimin e këtij varianti u njoftua nga Arnaldo Caruso, president i Shoqatës Italiane të Virologjisë (Siv-Isv) dhe profesor i Mikrobiologjisë në Universitetin e Brescia.

"Varianti i identifikuar", shpjegon ai, "ka disa pika mutacioni në proteinën Spike. Ashtu si ai anglez, varianti italian gjithashtu ka një mutacion në një qendër nervore të bashkëveprimit të proteines Spike me receptorin qelizor. Por ndryshe nga ai anglez, varianti italian gjithashtu ka një mutacion të dytë, i cili e bën proteinën Spike pak më ndryshe nga ajo e virusit që ne të gjithë njohim sot”.

Sipas studiuesve, ky variant ka të ngjarë të jetë përhapur gjerësisht në të gjithë Italinë dhe më pas në të gjithë Europën dhe mund të ketë pësuar disa ndryshime më të mëtejshme, duke cuar drejt zbulimit të variantit britanik.

Edhe pse nuk ka ende prova të sakta, ky variant mësohet të jetë po ashtu më shumë ngjitës dhe më pak vdekjeprurës. Por sa gjasa ka që ky variant të ketë mbërritur edhe në vendin tonë?

Në Itali, përfshirë edhe Brescian, jetojnë dhe punojnë mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët udhëtojnë shpesh drejt Shqipërisë për të takuar familjarët, sidomos gjatë pushimeve të verës. Po ashtu janë të shumtë ata që udhëtojnë edhe nga Shqipëria drejt Italisë.

Mesatarisht në Shqipëri janë ulur çdo ditë 12 fluturime nga Italia, shumica prej të cilave ishin nisur nga Italia Veriore dhe Qendrore. Ndërkohë të shumtë janë ata që marrin avionë nga Roma, Bari, Milano, Firence, Bolonja, Bergamo, Xhenova, Rimini, Venecia dhe Verona për në Shqipëri.

Ndërkohë, sa i përket trageteve, çdo ditë në Portin e Durrësit hyjnë dhe dalin tre tragete nga Italia, dy nga Bari dhe një nga Ankona. Nga ana tjetër, në Portin e Vlorës mbërrin një traget nga Brindisi.

Edhe pse deri më tani, në vendin tonë nuk është zbuluar asnjë rast i prekur me koronavirusin “anglez” apo “italian”, numri i madh i qytetarëve që udhëtojnë nga Shqipëria në Italia dhe e anasjelltas, bën që shancet që ai të ketë mbërritur tanimë në vendin tonë të jenë të mëdha.

Por si u zbulua varianti italian? 

"Rastësisht – thotë virologu Caruso - duke vërejtur një qëndrueshmëri anormale virale në një pacient që kishte vuajtur nga Covid-19 në prill. Edhe pas shërimit, tamponët e kryer nga gushti e tutje kishin dhënë gjithmonë rezultate pozitive me viruse shumë të ngarkuara. Ne vendosëm të renditnim virusin për të kuptuar arsyen dhe për habinë tonë kuptuam se kishim identifikuar një variant të ri, të ngjashëm por jo identik me variantin anglez që po fillonte të qarkullonte në Itali.”

"Ne nuk e dimë nëse varianti anglez u shfaq saktësisht në fund të shtatorit, si dhe i yni në fillim të gushtit”, specifikon virologu.

Një analizë kohore e sekuencave Sars-CoV-2, kryer nga Massimo Ciccozzi , epidemiolog në Universitetin e Romës, "na tregon se ky variant i ri Italian mund të ishte gjeneruar rreth fillimit të korrikut. “Ajo që mund të themi nga studimet e kolegut tim Ciccozzi është se e jona është sigurisht prova e parë e mutacioneve në proteinë Spike në Itali dhe ndoshta, të paktën deri më sot, në Europë”, thotë Caruso

Por a ka arsye të besojmë se vaksina anti-Covid mund të mos funksionojë në variantin italian? "Teorikisht jo”, përgjigjet Caruso. “Vaksina gjeneron një përgjigje komplekse në shumë zona të proteinës Spike", kështu që "edhe sikur të kishte disa antitrupa që nuk ishin në gjendje të njohin një zonë që ka pësuar mutacion, do të kishte sigurisht antitrupa të tjerë që janë në gjendje të lidhen me pjesët e pandryshuara të proteinës. Lidhja e tyre do të ishte e mjaftueshme për të parandaluar bashkëveprimin midis Spike dhe receptorit qelizor,

"Ngarkesa e lartë virale e pranishme në tamponët e gushtit dhe nëntorit" e kryer tek pacienti na lejoi të izolonim mutacionin e virusit në Brescia. Kjo - pohon Caruso- do të na lejojë të krahasojmë këto viruse me antitrupat e fituar nga pacientët me Covid -19  gjatë valës së parë, dhe për të vlerësuar aftësinë e antitrupave për të neutralizuar këtë variant. Sapo ato të jenë në dispozicion, serumet nga pacientët e vaksinuar gjithashtu do të vlerësohen në një mënyrë të ngjashme. Unë jam optimist për momentin ", përfundon presidenti i virologëve italianë.

*Burimet: "La Reppublica", "Correre della Sera"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë