Shendet

Vaksinimi i detyruar në Shqipëri, do të rrisë imunizimin apo mashtrimet me certifikatat?

Nga Anxhela Celanji - Me fillimin e vaksinimit të detyruar për tre kategori në Shqipëri, nisi edhe shqetësimi nëse këto vaksinime do të ishin reale apo do të kishte mashtrime të mundshme për për të siguruar vetëm dokumentin që tregon se ke bërë të dy dozat.

Menjëherë pas këtij vendimi, Gazetasi.al ka treguar raste kur certifikatat e vaksinimit mund të blihen me çmime të ndryshme dhe zhdukja e dozave bëhet në disa mënyra nga bluzat e bardha të qendrave shëndetësore. Duke parë këtë situatë edhe ne vende të tjera, jo vetëm në Shqipëri, ekspertët e shëndetit janë të ndarë në lidhje me vijimin e vaksinimit të detyruar.


Kita Sallabanda Diaz

Mjeku shqiptar në Madrid, Spanjë Kita Sallabanda Diaz i tha Gazetasi.al se për mjeket, mësuesit, duhet të jetë vaksinimi i detyruar.
“Studentet me dyshime, por unë anoj më shumë nga “po”. Puna e mashtrimit është reale, por njerëzit i bëjnë keq vetes sepse varianti Delta po godet shumë ata që nuk janë të vaksinuar,” shton ai.
Ndërsa mjeku epidemiolog në vend, Ilir Alimehmeti ka një këndvështrim tjetër për këtë çështje. Alimehmeti i tha Gazetasi.al se e vetmja kategori që ndoshta justifikohet pjesërisht nga vaksinimi i detyrueshëm është personeli shëndetësor.
“Për të gjitha kategoritë e tjera detyrimi i vaksinimit është njëkohësisht dështim i komunikimit dhe i informimit te publikut. Nga njëra anë, mendoj se me komunitetin duhet folur, u duhet shpjeguar se vaksinimi ka risqe shumë të rralla dhe benefite madhore për evitimin e formave të rënda të COVID-19, aq me shumë në moshat më të mëdha,” shpjegon më tej Alimehmeti.

Ilir Alimehmeti

Alimehmeti thotë se nuk është i justifikuar detyrimi tek individët konvaleshentët (personat që janë të imunizuar nga virusi apo e përjetojnë më pak atë), sidomos ata në moshë të re.
Duke marrë shembull dy raste mashtrimi në shtetet fqinje si në Greqi ku në qyteza Palama në Kardhicë rezultuan 40.000 vaksinime ndërkohë që ka 6.000 banorë dhe në Itali ku u zbuluan 34 kompani telematike prodhonin dhe shpërndanin “green pass” fals, Alihmehmeti thotë mashtrimet mund të ndodhin edhe në vendin tonë.

LEXO EDHE:
-Zyrtare, vaksinimi i detyruar për mjekët, arsimtarët dhe studentët. Nga 6 shtatori, test PCR ose pasaportë vaksinimi kush hyn në Shqipëri
-Dëshmitë / Vaksina e detyrueshme po nxit një tjetër fenomen në Shqipëri. Si të marrësh certifikatën pa bërë vaksinën?
-A duhet të bëhet vaksinimi për Covid-19 “i detyrueshëm”? Propozimet e ekspertëve
-Vaksinimi, jemi ndër të fundit në Europë. Lëmë pas vetëm Kosovën
-“Në Shqipëri duhet të nisë vaksinimi i detyruar”
-Vaksinim i detyruar, studentët që nuk pranojnë po diskutojnë protestat
-Skandali në Greqi / Një komunë me 6 mijë banorë lëshon 40 mijë certifikata false vaksinimi


Sipas ekspertit, detyrimi i vaksinimit mund të kishte ndonjë sens në momentin që vaksina do të ndalonte transmetimin e sëmundjes. Mirë po kjo nuk ndodh ne realitet. Ai thotë se të vaksinuarit mund të infektohen, edhe pse lehte dhe si rrjedhojë të infektojnë të tjerët.
“Ky fakt i vetëm mjafton për të nxjerre komplet jashtë lojës edhe Green Pass-in. Ne fund, patjetër detyrimi do të shoqërohet me vaksinime fiktive, pasi nga detyrimi deri te zbatimi rruga është e gjatë dhe e ndërlikuar,” shton më tej Alimehmeti.
Për sa i përket mashtrimeve me certifikatat e vaksinimeve, Dritan Ulqinaku, mjek epidemiolog në ISHP, i tha Gazetasi.al se shpresojnë shumë tek ndërgjegjësimi i qytetarëve.

Dritan Ulqinaku

“Besojmë se numri i personave që do vaksinohen me të vërtete do të jetë pa krahasimesh më i madh se i atyre që mund të kenë mashtruar sistemin shëndetësor dhe do rrisim kontrollet për të frenuar në maksimum këto abuzime,” shton Ulqinaku.

Ndërkaq mjeku epidemiolog Fabian Cenko, nga Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” shpjegoi për Gazetasi.al se një masë e tillë si vaksinimi i detyrueshëm është instrumenti më i rëndësishëm.

Fabian Cenko

Sipas Cenkos, masat janë për kushtëzimin e vaksinimit sepse nuk mund të flitet për detyrim për aq kohë sa mund të aksesosh në kushte normale shërbime të caktuara.

“Çdo masë që e rrit numrin e atyre që pranojnë të vaksinohen përtej dëshirës fillestare është e mirëpritur sepse është e rëndësishme që një pjesë e madhe e popullatës të vaksinohen, pasi në rastin e sëmundjeve infektime si Covid-19 vendimet e tij nuk lidhen vetëm me të por edhe me të tjerët,” shpjegon Cenko.

Për sa i përket certifikatave false të vaksinimit, eksperti shprehet i bindur se këto lloj masash do çojnë në rritje të qartë të popullatës se vaksinuar, shumë më shumë se të rasteve sporadike për regjistrimet fiktive të personave të vaksinuar.

“Nuk besoj që do të ndodhë, në rast se do të ndodhë do të jetë në një numër të vogël të rasteve që nuk impakton ata që vërtet do të vaksinohen,” përfundon Cenko.

Që prej fillimit të procesit të vaksinimit edhe Shqipëria njëjtë si vendet e tjera ka pasur debate të ndryshme mbi falsifikimet e dokumenteve. Më parë janë falsifikuar testet PCR për të kaluar kufirin, më pas nisën edhe falsifikimet e certifikatave të vaksinimit. Kundërshtimet dhe teoritë konspirative për vaksinimin janë ende prezentë duke nxitur kështu “pandeminë e të pa vaksinuarve”
Sipas përllogaritjeve të bëra nga Gazetasi.al me të dhëna nga World Data, vërehet se kemi përqindjen më të ulët të mbulimit vaksinal me vetëm 21.99% të popullsisë, shumë larg nga procesi i quajtur “imuniteti i tufës” që sipas ekspertëve, vaksinimi duhet të jetë 70%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë