Arsim

Vaksinim i detyruar, studentët që nuk pranojnë po diskutojnë protestat

Nga Sorgena Leka -Studentët janë kategoria që kanë refuzuar vaksinimin që në nisje të procesit, për arsye nga më të ndryshmet .Por cili është qëndrimi që mbajnë sot, tashmë që janë një nga tre kategoritë që do të bëjnë vaksinën me detyrim?

“Unë personalisht nuk e bëj vaksinën dhe sikur të më vënë lakun në fyt”, shkruan një student në rrjetin social Instagram, në grupin “Studentët Denoncojnë”, të cilit i është fshirë identiteti.

Ndërkohë të tjerë studentë kanë kundërshtuar vaksinimin me detyrim duke lajmëruar dhe një diskutim të hapur më datë 1 shtator, ditën e mërkurë në orën 18:00 tek Amfiteatri i Universitetit të Arteve dhe më pas do të organizojnë një protestë e cila deri më tani flitet që do të mbahet në datën 11 shtator në “Sheshin Nënën Tereza” në Tiranë.

Disa minuta pasi u bë lajmërimi nëpër faqet dhe grupet në rrjete sociale të studentëve, kanë qenë të shumtë ata që janë nxituar ta shpërndajnë njoftimin. Të tjerë kanë shkruar arsyet pse nuk pranojnë kurrsesi të bëjnë vaksinën me detyrim.

Kështu, në pak orë pas deklaratës së Komitetit Teknik të Ekspertëve ditën e hënë, interneti ishte i mbushur me deklarata, arsye kundër vaksinimit dhe thirrjeve për protestë.

Një panoramë e tillë ishte edhe në rrugë ku gjatë një vëzhgimi të Gazetasi.al, nga të gjithë studentët që pyetëm, askush nuk pranon të bëjë vaksinën me detyrim.

“Absolutisht nuk pranoj ta bëj sepse mua askush nuk më ndalon të futem në auditore dhe të arsimohem. Dje dekani i “Fakultetit të Ekonomisë” tha që nuk janë të detyruar stafet dhe studentët të vaksinohen,” thotë Xhulio Hoxha, student në degën Ekonomi, ndjekur nga një tjetër student që shton se sipas tij detyrimi shkel të drejtat e njeriut dhe për këtë ka të drejtë të mos bëjë vaksinën dhe mos të “dënohet” me mos pjesëmarrjen në auditore.

Të tjerë të rinj thonë për Gazetasi.al se detyrimi është një masë e tejkaluar nga ana e qeverisë dhe kurrsesi nuk kanë ndërmend të bëhen palë.

“Nëse nuk e bën asnjë vaksinën ato nuk kanë sesi na lënë të gjithëve jashtë auditorëve sepse kështu i bie të dështojë viti akademik. Unë do bëj thirrje sa të mundem që askush nga studentët që njoh të mos e bëjë vaksinën”, thotë Sano Ruçi, studente e Juridikut.

Studentët shqiptarë ndërkohë po mbështeten dhe nga studentë apo të rinj që ndodhen jashtë vendit duke thënë se “nuk vijmë dot për t’u bashkuar, por ju mbështesim në kundërshtimin e vaksinës së detyrueshme”.

Ata kanë përmendur edhe protestat e studentëve në universitetin e Torinos në Itali, për të njëjtën arsye.

Studentët gjithashtu po “marrin zemër” edhe nga të rriturit që dërgojnë mesazhe për protesta dhe po i mbështesin në rrjetet sociale.

“Mos u dorëzoni, jemi me ju!”, shkruan A.N ‘mbështetëse’ e studentëve.

Në këtë rreth, bashkë me protestat e studentëve, mbështetjen e të tjerëve dhe rrjetet sociale të mbushura me kundërshtime, duket se zë vend edhe mosinformimi\keqinformimi i studentëve rreth vaksinimit.

“Kush të siguron ty se pasi të bësh vaksinën nuk do të sëmuresh?”, shkruan një vajzë me bindjen se ky është një “argument i fortë” kundër vaksinimit, në një kohë kur është thënë dhe stërthënë nga mjeke dhe ekspertë se edhe pas vaksinimit mund të sëmuresh si dhe mund të infektohesh, por e kalon më lehtë.

Mbetet për tu parë në ditët në vijim që kjo “betejë” e studentëve kundër vaksinimit të detyruar do të mbetet vetëm në rrjetet sociale, apo do të përfundojë në rrugë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë