Sociale

Zyrtare, vaksinimi i detyruar për mjekët, arsimtarët dhe studentët. Nga 6 shtatori, test PCR ose pasaportë vaksinimi kush hyn në Shqipëri

Shqipëria zyrtarizon vaksinimin e detyruar. Komiteti Teknik i Ekspertëve ka lajmëruar se do të bëhet vaksinimi i detyruar për tre kategori të caktuara: punonjësit shëndetësorë, arsimtarët dhe studentët.

Duke u bazuar në situatën epidemiologjike zëvendësministrja e Shëndetësisë ka deklaruar se personat që iu përkasin këtyre kategorive do të duhet të dorëzojnë vërtetimin që janë vaksinuar pranë ambienteve të shkollës dhe punës deri në fund të muajit shtator. Më tej Rakacolli shpjegoi se personat e këtyre kategorive që nuk bëjnë vaksinën do të duhet të tregojnë periodikisht teste PCR që nuk janë të infektuar.
Më tej zëvendësministrja Rakacolli shpjegoi se nga 1 shtatori do të rikthehen disa masa për të parandaluar përhapjen e infeksionit si:

  • Duke filluar nga data 1 Shtator, ora policore nga 24:00 deri në 06:00 që është sot, do të shkojë në 23:00-06:00. - Duke filluar nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
    1.Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
    2.Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
    3.Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.
  • Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
  • Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit në vlerësim të përgjegjshmërisë qytetare për mbrojtjen e shëndetit publik ka vendosur rekomandimin e vendosjes së vaksinimit të detyruar për grupet më të riskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit, duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët.
  • Vlerësohet që Shtatori, duke qenë muaj i hapur, të jetë periudha që të gjithë stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët, të kryejnë vaksinimin dhe deri në datën 30 Shtator të dorëzojnë vërtetimin pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentët pranë zyrave të përcaktuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania.
  • Pas kësaj date, për ata të cilët nuk e kanë, do të kërkohet paraqitja periodike e testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë. Përjashtim do të bëhet vetëm për ata që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mosbërjen e vaksinës. Një dokument i cili do të vlerësohet me përgjegjshmëri përveç mjekut dhe specialistit që e ka dhënë edhe nga specialisti i Institutit të Shëndetit Publik.
  • Penaliteti për paraqitjen për marrjen e PCR në mënyrë periodike do të fillojë vetëm pas datës 30 shtator.
  • Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.
  • Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
  • Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu  qëllimi parësor i ekspertëve dhe Ministrisë nuk është pezullimi nga puna apo nga shkolla e kategorive të sipërpërmendura por një nxitje për të kryer vaksinën.

“Është një përpjekje për të shpëtuar jetën, jetën e atyre që shërbejnë. Shtatori do të jetë një muaji i hapur, ku puna nuk do të ndalet që të rrite mbulesa vaksinale. Janë 60% e arsimtarëve të vaksinuar. Nuk mund të rrezikojmë, që të infektojnë njëri-tjetrin. Këto 30 ditë do të jenë ditë të vaksinimit për të gjitha këto grupe,” shtoi Manastirliu

Rakacolli ka shpjeguar më tej se situata epidemiologjike është përkeqësuar që nga hera e fundit e mbledhjes së Komitetit Teknik të ekspertëve.
“Indikatorët gjatë kësaj jave kanë treguar tendencë përkeqësimi, numri i rasteve ditore. E cila nga 86 ka shkuar në 300 për 100 banorë, një rritje e ndjeshme kjo,” shpjegoi Rakacolli.

Zëvëndësministrja ka folur edhe për gjendjen e fëmijëve në spital. Ajo shpjegoi se janë 8 fëmijë të shtruar por jo në gjendje të rëndë dhe kanë një klinikë më të lehtë se dimrin e kaluar.

Ndërsa Ministrja Manastirliu shtoi se shifrat nga Kosova, Maqedonia dhe vendet e rajonit janë të dhimbshëm, nga më të lartat, qysh prej fillimit të pandemisë. Ajo shtoi se varianti Delta po vërteton tezën e studiuesve se ky është një variant me infektueshmëri më të lartë. Në Angli shifrat janë 26 herë më të larta se këtë periudhë një vit më parë e duket që Delta po përhapet me shpejtësi të frikshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë