Shendet

“Në Shqipëri duhet të nisë vaksinimi i detyruar”

Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar rreth 220 raste të reja dhe panorama epidemiologjike ka ndryshuar tërësisht në krahasim me një muaj më parë. Duke marrë parasysh transmetueshmërinë e variantit Delta ekspertët e shëndetit publik vendas dhe të huaj po lobojnë që vaksinimi është shumë i rëndësishëm. Nga ana tjetër shihet një hezitim nga qytetarët për të bërë vaksinat dhe kjo ndikon në mbulesën vaksinale të popullatës.
Mjeku epidemiolog në ISHP, Alban Ylli tha për Gazetasi.al se duhen përdorur mekanizma të vaksinimit të detyruar.
“Duhet të vendosen rregulla të diskriminimit pozitiv të të vaksinuarve. Diçka si ‘green pass’. Është pa kuptim gjithë fushata në internet kundër vaksinave në mbrojtje të ‘lirisë’. Rregullat e vaksinimit kanë më shumë argumente mbështetës se rregullimi i rripit të sigurisë në makinë,” thotë Ylli.

Alban Ylli

Në të njëjtin mendim është edhe Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino. Në një deklaratë për mediat ajo ka thënë se ka ardhur momenti të përdoren mekanizma detyrues.
“Fushata e gjata të lodhin dhe ka një relaksim të njerëzve që nuk shkojnë me vullnet. Duhet të ketë mekanizma detyrues, ndoshta jo t’i privojmë nga jeta sociale megjithëse restorantet janë burim i përhapjes, por institucionet arsimore, qeveritare, shëndetësore”, tha Bino.
Më tej Bino ka shpjeguar se kjo do të mbetet në dorë të ekspertëve për t’u vendosur.

Tashmë shëndeti i popullatës në lidhje me Covid-19 është në dorë të vaksinimit. Edhe vendi ynë njëjtë si të tjerët ka një mungesë të ulët vaksinale dhe sipas ekspertëve kjo çon në transmetueshëmrinë më të lartë të variantit Delta.
Të martën Iris Hasibra, shefja e laboratorit të virologjisë në ISHP, konfirmoi për Gazetasi.al se varianti Delta tashmë është dominues në vend. Ndërsa epidemiologu Artan Simaku ka thënë për mediat se 5% e të vaksinuarve me një dozë është infektuar me variantin Delta. Simaku ka shpjeguar gjithashtu se me këtë ritëm rastesh në vjeshtë do të kemi një valë të katërt të Covid-19.

LEXO EDHE:
-A duhet të bëhet vaksinimi për Covid-19 “i detyrueshëm”? Propozimet e ekspertëve


Çështja e vaksinimit të detyruar është kthyer në problem në shumë vende të botës. Prej dy javësh Franca vendosi rregullin se qytetarët duhet të tregonin pasaportën e vaksinimit kur hynin në bare dhe restorante. Greqia u përball me protesta të qytetarëve po për të njëjtin fakt, ndërsa Italia po diskuton të bëj të detyrueshëm pasaportën e vaksinimit në punë dhe shkolla. Vaksinimi ka qenë një problem që prej fillimit të pandemisë. Që në momentin kur u vendos nga autoritetet shëndetësore nëpër botë se zgjidhja për Covid-19 ishte një vaksinë, pati një sërë idesh konspirative për përmbajtjen e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë