Shendet

Vaksinimi dhe të shëruarit nga Covid-19, mjeku Kaçulini: Nuk ka më kuptim të vazhdohet me dozat e rekomanduara

Nga Gazeta Si- Gjithnjë e më shumë po përforcohet ideja se imuniteti tek të shëruarit nga Covid-19 është shumë më afatgjatë se sa mendohej apo u deklarua në fillim. Por a duhet të vaksinohen të shëruarit nga Covid-19, apo siç quhen ndryshe “Covid Survivors”? Dhe për më tepër, a kanë ndonjë përfitim nga vaksinimi të shëruarit, në raport me efektet e mundshme anësore që kanë vaksinat?

Mjeku nefrolog dhe pedagogu i Mjekësisë Enton Kaçulini shpjegon për Gazetasi.al se shumë sëmundje infektive, si fruthi apo rubeola kalohen vetëm njëherë në jetë.

Sipas tij, antitrupat IgG gjatë gjithë kohës së infeksionit përmirësohen në mënyrë të vazhdueshme për tu lidhur me antigenin. Kjo bëhet duke përzgjedhur ato klone qelizore që prodhojnë antitrupat IgG me afinitet më të lartë.

Çfarë ndodh në pacientët me Covid-19, formë e rëndë?

“Tek pacientët me formë të rëndë të sëmundjes kemi mungesë të formimit të qendrave germinale (mikrobeve) në fazat e para dhe ato mund të tentojnë të kthehen në fazat e mëvonshme, por janë të pakta dhe mund të japin njëfarë memorie tek pacientët e mbijetuar me Covid-19, formë e rëndë”, thotë mjeku Enton Kaçulini për Gazetasi.al.

Sipas tij, ndërsa tek fruthi kemi mjaftueshëm qeliza T folikulare (të nevojshme për formimin e qendrave germinale, dhe si pasoje, të memories afatgjatë), tek Covid-19 forma e rëndë, TNF-alfa e rritur nuk lejon formimin e këtyre qendrave për ta siguruar këtë memorie.

Mjeku Kaçulini thotë se tek këta pacientët niveli i antitrupave është i lartë pas shërimit, por mungesa e qendrave germinale bën që imuniteti tek këta pacientë të jetë afatshkurtër dhe, me shumë gjasa, ri-infektimi ndodh më shpesh, duke dhënë po formë të rëndë.

“Kjo kategori është e vetmja që mund të përfitonte nga vaksinimi, i cili mund të krijojë qendra germinale më të zhvilluara dhe me numër më të madh duke i mbrojtur nga një formë e rëndë herën e dytë. Këto qendra, siç thamë, shërbejnë për të trajnuar dhe shumuar qelizat imune të cilat më pas do të luftojnë infeksionin aktual, si dhe do të krijojnë klonet e memories për ta luftuar infeksionin në të ardhmen”, nënvizon nefrologu Enton Kaçulini.

Nefrologu Enton Kaçulini. Gazeta Si, Maj, 2022.

Sipas tij, pacientët me forma të rënda kanë një numër të lartë antitrupash, por, megjithatë, nuk është se këto antitrupa i kanë mbrojtur.

“Imuniteti i qelizave T mund të jetë më i rëndësishëm se antitrupat. Sipas një studimi i cili krahasoi përgjigjen e qelizave T tek njerëzit asimptomatikë në raport me ata me simptoma, në Covid-19, përgjigjja e këtyre qelizave ishte identike.

Kjo do të thotë, ashtu siç e pamë më lart, se shkalla e rëndesës së sëmundjes nuk lidhet me fuqinë imune dhe se njerëzit me infeksione asimptomatike zhvillojnë një përgjigje specifike qelizore imune të lartë”, thotë mjeku në analizën e kryer mbi rëndësinë e vaksinimit tek të shëruarit nga Covid-19.

Kaçulini shpjegon se tek pacientët me formë të lehtë të Covid-19 apo asimptomatike, përgjigjja imune duket se është e ngjashme me sëmundjet e fëmijërisë, të cilat çojnë në formimin qendrave germinale.

Referuar disa studimeve shkencore, mjeku nefrolog Kaçulini shpjegon se njerëzit me një histori infektimi nga Sars-Cov-2 përjetojnë një numër më të madh efektesh anësore pas vaksinimit se të pa infektuarit.

“Ndërmjet 2000 individëve të cilët përfunduan një studim online pas vaksinimit, ata që ishin infektuar me Covid-19 kishin 56% më shumë gjasa të përjetonin një efekt anësor të rëndë që kërkonte kujdes spitalor. Me sa duket, niveli i lartë i antitrupave pas vaksinimit mund të ketë kontribuojë në shfaqjen e këtyre efekteve anësore sistemike. Pjesa më e madhe e njerëzve që kanë qenë më parë të sëmurë me Covid-19 kanë antitrupa dhe nëse ata më pas vaksinohen, këto antitrupa dhe produktet e vaksinës mund të krijojnë probleme”, thotë mjeku Kaçulini për Gazetasi.al.

Sipas tij, në një prej këtyre studimeve u pa se njerëzit që morën dozën e dytë të vaksinës boost kishin një këputje dhe në disa raste edhe ulje të numrit të qelizave T.

“Nuk e dimë nëse kjo gjë është e rrezikshme, por për momentin të dhënat na tregojnë se nuk ka asnjë kuptim të vazhdohet me aplikimin e dozave të radhës së vaksinave që rekomandohen nga OBSH, tek dikush që është infektuar më parë”, thotë Kaçulini, duke shtuar se "nëse pyesim se çfarë përfiton një i shëruar nga vaksinimi, me shumë gjasa, asgjë, me përjashtim të ndonjë efekti anësor jo fort të pëlqyeshëm".

Kaculini thotë se edhe mbajtja e maskës nuk është shumë e rekomandueshme tashmë pasi studimet Imunologjike na tregojnë se ne jemi vazhdimisht në kontakt me ngarkesa të vogla bakteresh dhe virusesh dhe ngarkesa të tilla janë të mjaftueshme për të nxitur herë pas here prodhimin e antitrupave në organizëm.

“Është sikur të vaksinohemi çdo ditë nga pak, e shohim shpesh tek personeli mjekësor dhe sipas mendimit tim, është shumë më mirë se vaksinat e reja që, nga sa po duket, nuk janë gjithmonë edhe aq “miqësore”, thekson mjeku Kaçulini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë