Analize

Vaksina ruse, Italia dhe Gjermania pro, Franca kundër

Vendet e BE-së vazhdojnë të jenë të përçara nëse vaksina ruse Sputnik V duhet të shtohet në programin e vaksinimit të Europës. Në Itali, disa rajone duan të vazhdojnë me porosinë e vaksinës nga Moska, ashtu si edhe Gjermania, ndërsa Franca duket se nuk është në të njëjtën mendje. Komisioni Europian ndërkohë këmbëngul që 70% e popullsisë së BE-së mund të vaksinohen deri në shtator pa përdorur vaksinën ruse.

Rajonet italiane të Umbrias, Lazios dhe Sardenjës kohët e fundit kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të përdorur vaksinën Sputnik V. Presidenti i rajonit të Campanias, Vincenzo De Luca, njoftoi të Shtunën se kishte "përfunduar marrëveshjen" për blerjen e dozave të Sputnik për 4,5 milion qytetarë. Por që shpërndarja e saj të fillojë sa më shpejt, vaksina ruse duhet të miratohet nga Agjencia Europiane e Barnave.

"Asnjë rajon italian nuk mund të blejë vaksina vetvetiu," tha Stefano Bonaccini, presidenti i rajonit Emilia-Romagna në përgjigje të njoftimit të De Lucas. "Nëse rregullat do të ndryshojnë, ne do të shohim. Sigurisht, asnjë rajon nuk mund të blejë vaksina pa autorizimin e organeve rregullatore që monitorojnë sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave, ”shtoi Bonaccini.

Të premten, kryeministri Mario Draghi u bëri thirrje rajoneve italiane që " të kërkojnë gjithmonë koordinim me autoritetet europiane". Italia ka njoftuar po ashtu se do të prodhojë vaksinën ruse në një fabrikë pranë Romës, por është ende në pritje të dritën jeshile nga Roma.

Franca kundër?

Vaksina ruse Sputnik V aktualisht është nën rishikimin e EMA-s, por nuk ka marrë ende autorizimin. Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia deri më tani kanë porositur vaksinën ruse.
Gjermania tani është gjithashtu e hapur për ta përdorur, ndërsa Franca ka mbajtur një qasje më të kujdesshme.

Kancelarja gjermane Angela Merkel kohët e fundit tha se BE duhet të përdorë çdo vaksinë që është miratuar nga EMA. Berlini gjithashtu ka lënë të kuptohet se mund të porositë Sputnik-un në mënyrë të njëanshme nëse vendet e tjera anëtare nuk janë të interesuara për blerjen e vaksinës ruse.

Të paktën katër shtete anëtare të BE-së duhet t'i bëjnë një kërkesë zyrtare Komisionit për të filluar bisedimet me Rusinë për të porositur Sputnik-V.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm Francez Jean-Yves Drian ka akuzuar Moskën për përdorimin e vaksinës së saj si një mjet për të ushtruar politikën e jashtme.

"Për sa i përket mënyrës se si menaxhohet, vaksina Sputnik V është më shumë një mjet propagande dhe diplomacie agresive sesa një mjet solidariteti dhe ndihme shëndetësore," thotë Le Drian. “Gjëja më e rëndësishme tani është të përqendrojmë përpjekjet tona në maksimizimin e kapacitetit të prodhimit për vaksinat që janë autorizuar nga EMA.”

Një zëdhënës i Komisionit deklaroi kohët e fundit se tani për tani, Sputnik "nuk është në radarin e BE" dhe këmbënguli që blloku mund të vaksinojë 70% të popullatës deri në shtator me vaksinat e miratuara tashmë (Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Jonhson).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë