Ekonomi

V-ja e ekonomisë shqiptare

Nga Gisela Troplini - Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e gjeti Shqipërinë të dobët dhe në tentativa për tu rikuperuar nga goditja që mori fundin e 2019-s nga një tërmet 6.2 ballë. Shtëpi që duheshin rindërtuar dhe familje që duheshin strehuar.

Herë-herë të dyja ngjarjet paralelizoheshin me njëra-tjetrën, për të kuptuar më vonë se lëkundjet e pandemisë ishin më të forta, në shëndet dhe në ekonomi.

Mbrëmjen e 8 marsit 2020, në Shqipëri u raportua rasti i parë me Covid-19, virusi që kishte bllokuar gjysmën e Europës dhe terrorizuar të gjitha botën. Guri i parë që ra në rreshtin me domino.  

Të nesërmen u mor vendimi për mbylljen e shkollave për dy javë. Më vonë u mbyllën baret, restorantet, klubet, zyrat e punës. U ndalua qarkullimi kudo jashtë banesës tënde, duke konfirmuar karantinim total pothuajse të të gjithë individëve, përveç atyre në profesione utilitare.

Pas një rritje me 2.1% të PBB-së në 2019-n, entuziazmi ra dhe përveç se nuk kishte më pritshmëri për rritje, po shpresohej për dëm sa më të vogël. Në tremujorin e parë 2020, PBB-ja ra me -2.2% dhe 47% e bizneseve vendase ndaluan plotësisht aktivitetin e tyre.

Në këto kushte, kur inflacioni ra, 1.9%, dhe papunësia u rrit, qeveria përgatiti “paketën e emergjencës”, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Në 2 paketa të ndihmës financiare u shpërndanë pagat e luftës për të punësuarit në të gjithë sektorët, në vlerën e 40 mijë lekëve. U dyfishua ndihma ekonomike për të papunët dhe dy garanci sovrane për bizneset me vlerë 11 dhe 15 mld lekë. Këto masa, sipas analizës nga FMN në atë kohë ishin të pamjaftueshme dhe ishin sa pothuajse 1% e PBB-së së vendit në total. Kjo sepse borxhi i lartë publik në vend e kufizonte një suport më të madh.

Në nisje të tremujorit të dytë të 2020-s, kur karantinimi i plotë vazhdonte, Banka e Shqipërisë uli normat e interesit në nivelin më të ulët historik, 0.5%. Kreditë u rritën për bizneset, por u ulën për individët. Depozitat arritën vlerën e 1 triliardë lekëve për herë të parë. Sipas statistikave gjatë kësaj periudhe, shqiptarët mbanin në shtëpi, rreth 340 mln euro stok kursime “të detyruara”.  U shtynë pagesat e faturave dhe kësteve bankare.

Gjatë këtij tremujori, punësimi ra me 3.6% dhe PBB-ja me 10.6%. Bujqësia ishte i vetmi sektor ekonomik që po punonte me kapacitet deri në 80% pa u kufizuar në prodhim, por u kufizua në kërkesë.  Gjatë kësaj kohe 4.487 biznese u çregjistruan dhe 7.600 të tjera pezulluan aktivitetin.Në fund të tremujorit të dytë, inflacioni raportohej 1.8%.

Kufizimet po mbanin nën kontroll numrin e infektimeve, nën 30 të raportuar brenda 24 orëve. Me ardhjen e sezonit veror nisi lehtësimi i masave dhe riaktivizimi i veprimtarisë ekonomike, por jo rimëkëmbja ekonomike. Numri i turistëve të huaj nga 6.4 mln në 2019 shkoi në 2.6 në 2020-n. Sektori i shërbimeve u përmirësua lehtshëm me një rritje të vogël prej 0.2%, por mbeti sektori më i dëmtuar gjatë pandemisë. Inflacioni në korrik dhe gusht u ul në 1.4 dhe 1.3. 

Sipas operatorëve turistikë, edhe ata turistë që zgjodhën Shqipërinë nuk ndikuan në konsum për shkak të frikës së pandemisë.

Fundi i gushtit të 2020-s shtoi infektimet e Covid-19 duke shtrënguar edhe njëherë masat anti-Covid deri në fillim të janarit 2021. Sezoni i ri shkollor ishte online, lëvizjet ishin me orar të limituar nga i cili dëmtoheshin më së shumti bizneset e bar-restoranteve dhe klubet e natës.

Ndonëse qytetarët dhe bizneset po tentonin të krijonin një stil të ri jetese me aktivitete dhe konsum, inflacioni vazhdonte në rënie, pas shifrës prej 2% në muajin tetor. Viti 2020 u mbyll me një inflacion 1.1%. Rritjet e çmimeve të kërkesës postpandemike nuk kishin arritur ende në Shqipëri, kjo dhe për shkak të stimulit të vogël ekonomik. 164.613 persona forcë punë, u regjistruan si të papunë. Niveli i papunësisë u rrit në 11.7%

2021 nisi me një borxh publik të rritur në 78% kundrejt PBB-së së vendit dhe vetë PBB-ja me rënie rreth 10%. Për tremujorin e parë 2021, shkalla e papunësisë shkoi në 11.9% dhe numri i të punësuarve u ul me 2.6%. Inflacioni zbriti në 0.4% ndikuar nga rëniet në transportin publik, energji dhe veshjet. PBB-ja për tremujorin e parë 2021, rezultoi në rritje me 5.5% ndikuar nga riaktivizimi i industrive, sektorit të argëtimit, shërbimeve financiare dhe tregut imobiliar.

Herë pas herë autoritetet financiare në vend njoftonin për rritje pozitive të ekonomisë dhe rimëkëmbje të ngadaltë nga pasojat e Covid.

Sektori financiar rriti dhe përditësoi kushtet e kreditimit, u ulën kreditë e këqija, u rritën pagesat digjitale. Nisi një rritje graduale e çmimeve dhe inflacionit. Tregu imobiliar pati rritjen më të madhe, me një çmim mesatar mbi 1.000 euro për metër2 në kryeqytet. Pasuar nga nafta, energjia dhe ushqimet bazë të shportës.

Këto ishin evente të ndodhura në sinkron me Europën. Të gjithë vendet po lehtësonin masat në pranverën e 2021-shit dhe konsumi po rritej.  

Korrikun e vitit të shkuar, rritja e çmimit të bukës, naftës dhe ato të sektorit ndërtues shkaktuan pakënaqësi në vend, por Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se rritja e çmimeve do të ishte e përkohshme dhe ato do të normalizoheshin. Por kjo nuk ndodhi.

Në prill 2021 inflacioni shkoi në 1.9% dhe në korrik 2.2%.

Rritja e çmimeve vazhdoi edhe përtej produkteve të shportës. Çdo shërbim dhe produkt në vend u shit më shtrenjtë. Rritja e PBB-së për tremujorin e dytë ishte 17.9%.

Nisja e sezonit veror solli 3.302.434 turistë të huaj në vend. Inflacioni në gusht dhe shtator u raportua në 2.5% ndikuar nga rritjet e çmimeve tek ushqimet dhe bar-restorantet. Punësimi u rrit me 0.5%, me kontribuues më të madh sektorin e shërbimeve.

Muaji tetor luhati sektorin energjitik në vend. Kryeministri i vendit tha se Shqipëria është në një krizë energjitike, gjë që do të rriste importin e energjisë, varësinë ndaj importit dhe sigurisht kostot ne këtë sektor. Vetëm për muajin tetor dhe nëntor, u shpenzuan mbi 65 milionë euro për blerjen e energjisë nga Korporata Energjitike në vend. Bizneset e mesme dhe të mëdha patën rritje të tarifës së energjisë. Sipas tyre, kostot e energjisë me çmimet e rritura shkojnë sa 20% e xhiros së tyre.

Bizneseve të mëdha i’u dha mundësia të dilnin në treg të lirë për t’a marrë atë direkt nga sistemi transmetues me tarifë preferenciale ose të krijonin kushtet për vetëprodhim të energjisë.

Lëvizja ishte lehtësuar dhe pothuajse të gjitha bizneset operonin normalisht, por ende me orar të kufizuar.

Muaji i fundit i 2021-shit, festat dhe i ftohti rritën konsumin dhe inflacionin, që shkoi në nivelin më të lartë në 10 vitet e fundit, 3.7%. Një inflacion që pritej të rritej sërish. Ekonomia në tremujorin e fundit u rrit me 6.9%.

Shifrat bënë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë të shpallte rimëkëmbjen e plotë të Shqipërisë nga kriza e tërmetit dhe pandemisë.

Pas festave konsumi dhe çmimet mbetën të larta, me një inflacion po 3.7% në janar 2022, bashkë me një rritje të shpejtë të infektimeve me variantin Omicron. Ndërkohë, në lindje të Europës po thellohej më tepër kriza gjeopolitike Rusi-Ukrainë. Kriza energjitike po zëvëndësohej nga kriza e naftës.

1 litër naftë po tregtohej në kufirin e 200 lekëve, për ta kaluar atë në mëngjesin e 24 shkurtit  kur Rusia hyri në territorin e Ukrainës, duke dëmtuar objekte, njerëz dhe tregje.

Brenda pak orësh në të gjithë botën, nafta kaloi vlerën e 100 dollarëve për fuçi dhe gazi në 4.11 dollar për litër, shifrat më të larta në 8 vite. Gruri shitej me 308 dollarë për ton mëngjesin e pushtimit, nga 280 dollarë që ishte një ditë më parë. Këto ndryshime u reflektuan dhe në Shqipëri. Nafta arriti tregtohet me 260 lekë për litër.

Ndonëse jo burim i parë, por ndër kryesoret për importin e grurit në Shqipëri ishte Rusia dhe Ukraina. Bllokimi i tregtisë me to i ka detyruar kompanitë e miellit të gjejnë importues të rinj dhe kjo do të rriste kostot që më vonë mund të reflektohen tek produkti final, buka.

Në ditët e para të marsit, kur infektimet nga Covid raportohen nën 150 dhe u lajmërua heqja e orës policore dy vite më vonë, inflacioni i shkurtit u raportua në 3.9%.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku njoftoi për një rritje të energjisë në bursë deri më 1.000 euro për MËh, kosto e të cilës paguhet nga të ardhurat e arkëtuara nga nafta, sipas Kryeministrit Rama.

Një përgjigje që nxiti pakënaqësi dhe lajmërimet për një protestë pasditen e 9 marsit.

Inflacionit në rritje, shkaktuar nga kërkesa postpandemike i bashkohet inflacioni i luftës, mungesës së produkteve dhe problemeve të furnizimit duke kërcënuar një goditje ekonomike edhe më të madhe. Kjo sepse, lufta rrit inflacion si pasojë e shkatërrimit të kapitalit njerëzor. Rrit kërkesën dhe normat e interesit. Ndërkohë inflacioni që vjen nga pandemia nuk është aspak natyror. Në kohë pandemie, inflacioni i lartë dhe normat e ulëta vendosen nga vetë Bankat Qendore, për të rritur kreditimin dhe limituar nevojën për rritje të taksave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë