Histori

Utøya, 10 vjet pas masakrës në Norvegji. Historitë tronditëse të të mbijetuarve dhe minutat e terrorit të monstrës Breivik

Anders Breivik vrau 77 persona, më shumë adoleshentë të Partisë Laburiste të të rinjve. Gazetarja që më shumë nga të gjithë ndoqi ngjarjen, tregon nevojën në rritje të mirënjohjes nga ana e viktimave

Nga Åsne Seierstad - Për një kohë të gjatë, çdo natë, ngjiteshin në dhomën e tij për të ndezur llambën, të cilën më pas e fiknin kur ishte koha për të fjetur. Hapën tendat kur dielli i mesnatës shkëlqente në verë dhe kur Dritat e Veriut flakëronin qiejt në muajt më të errët. 

U ulën në shtratin e tij, prekën rrobat në gardërobë, ndërsa stinët ndërroheshin përtej dritareve. Kishin gjetur tre distinktivë në tryezën e tij. Në njërën ishte shkruar: "I kuq dhe krenar që jam". Në një tjetër: "Jo racizmit". E treta mbante simbolin e Partisë Laboriste të të Rinjve, me shkronja të bardha në një sfond të kuq: “Auf”. 

Ishulli i Utoya-s në Norvegji, ku ndodhi masakra

Djali 18-vjeçar ishte rritur në atë masë, sa që nëna e tij kishte frikë se mos koka mezi do t’i futej në arkivol. E kishin veshur me kostumin e tij të parë të vërtetë, të blerë së bashku vetëm atë verë. Një muaj më vonë, nëna kishte parë shenjat e distinktivëve në pëlhurë.  

Rreth trupit, një çarçaf ngjyrë blu ishte gati pak para nisjes së tij për në kampin veror. Ishte djali ai që i kërkoi nënës të qepte atë çarçaf, ndërsa po përgatitej të largohej nga shtëpia për të mbaruar vitin e fundit të shkollës së mesme në Tromsø, kryeqyteti i provincës më veriore të Norvegjisë.  

E ulur në tezgjah, nëna ndërkohë mendonte se ç’do të bënte pas turnit të punës në shtëpinë e pensionistëve në fshat. Ajo kishte qenë vërtet e lumtur. kur djali i saj i kërkoi një çarçaf. Blu, blu si qielli, i ishte përgjigjur ai kur ajo i kërkoi arsyen e ngjyrës. 

Të rinj norvegjez, në hyrje të kampit veror të Utoya-s

Më 22 korrik 2011, Anders Kristiansen ishte dezhurn në kampin e Utøya-s. "Ka diçka që nuk po shkon", - tha ai kur dëgjoi përmes “wlakie-talkike”, që një polic kishte zbritur në ishull. Dhe ai shkoi për të kontrolluar. Fjalët e tij të fundit ishin thirrjet: “Largohuni! Mos u ktheni për të parë!”.  

Ai u gjet në “Shtegun e Dashurisë”, pranë dhjetë shoqëruesve të tjerë, me njërin krah rreth një vajze me flokë të gjatë dhe kaçurrelë. 

Personi i 11-të në atë shteg dhe i vetmi i mbijetuar, më vonë, tha se kur të shtënat me armë zjarri u afruan, ata kishin vendosur të  hidheshin në tokë, duke bërë sikur ishin të vdekur. 

Një takim në Utoya një ditë para masakrës. Në qendër, ministri i Jashtëm i kohës, Jonas Gahr Store

Në vitet pas masakrës, unë ndoqa familjen Kristiansen për librin tim, “One of Us” (Historia e Anders Breivik dhe Masakra në Norvegji), në të cilin analizova si terroristin neo-nazist, Anders Behring Breivik, ashtu edhe viktimat e tij, duke përfshirë një emër të masakrës, një tjetër Anders.  

Unë kisha prekur dorën e parë, humnerën mbi të cilën familjet e viktimave do të qëndronin të pezulluara për pjesën tjetër të jetës së tyre. Nëna e Andersit, Gerd, më kishte bërë të kuptoj se sa e errët ishte ajo humnerë, e ftohtë dhe e vetmuar. Gjatë shëtitjeve tona në dëborë, afër Bardu, shumë përtej Rrethit Arktik, ndjeva dhimbjen më të madhe që mund të ndihet: humbjen e një fëmije. 

Flamuj norvegjezë para Bashkisë së Oslos, në kujtim të viktimave të masakrës

Vdekja në një kuptim të caktuar, përfaqëson harresën, për ne që nuk jemi të afërmit e tyre. Le të kullojmë fundin e humnerës, të fshijmë gjithçka larg dhe ta kthejmë shikimin tonë diku tjetër. Koha hap një distancë të madhe midis atyre që ende mbajnë zi për të vdekurit e tyre dhe gjithë të tjerëve.  

Ndërsa po punoja për librin tim, kuptova që dhimbja dëshiron të shihet, komentohet, të njihet. Ende, unë isha duke u dridhur nga mendimi për të telefonuar Gerd javën e shkuar, kishin kaluar shumë vite nga biseda jonë e fundit. Gerd më kishte mësuar se fyerja më e keqe për një mama ose baba në zi, është ajo për të mos dashur të përmendësh atë që nuk është më atje, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Ne e shmangim temën nga frika e lëndimit të mëtejshëm të prindërve, të pavetëdijshëm për faktin se kjo humbje është aq e madhe sa mund të na mirëpresim edhe ne në përqafimin e saj. 

Anders Kristiansen, i vrarë më 22 korrik 2011 në moshën 18 vjeç në ishullin Utøya, Norvegji

Gerd ishte në një dyqan kur e thirra. Ajo po porosiste që një zemër prej bronzi, të vendosej në varrin e Andersit (një nga viktimat e masakrës) për përvjetorin dhe më kërkoi që ta telefonoja përsëri më vonë. 

Për vite me radhë, hidhërimi i saj ishte zhytur në zemërim. Është e vështirë të përballesh me idetë që ushqejnë vizionin e terroristit për botën, shumë të largëta dhe të pakuptueshme. Por vrasësi, po, ai mund ta urrente atë me të gjitha forcat. Ajo ishte zemëruar me policinë, qeverinë dhe Partinë Laburiste. Ndjeu se askush nuk ishte i gatshëm të merrte përgjegjësinë për vdekjet e kaq shumë fëmijëve. Ku ishte inteligjenca, ku ishin shërbimet sekrete, departamentet speciale, policia, rojet?  

"Ky është një grusht shteti", - i tha Breivik policit që e mbërtheu në tokë, kur më në fund u kap në ishull. Masakra e tij kishte zgjatur më shumë se një orë. Përreth, adoleshentë të vdekur. "Gjuetar i marksistëve", shkruante një etiketë që mbante në gjoks. 

Ende në ishull, ai i tha policisë se djemtë përreth tij nuk ishin aspak të pafajshëm. “Ata janë ekstremistë të majtë. Bijtë e Marksistëve. Është Partia Laburiste, krahu i rinisë. Janë ata që kanë pushtet në Norvegji, janë ata që lehtësuan islamizimin e Norvegjisë". 

Eirin Kristin Kjær, 29 vjeçe, (në qendër) me një bluzë me vija, tani është këshilltare politike e "Auf", krahu i të rinjve Laburistë: ajo i mbijetoi masakrës dhe është bashkëautore e një libri që sapo ka dalë

Ndërsa po merrej në pyetje, oficerët e tjerë ishin ende të zënë me kërkimin e të mbijetuarve. Një polic tregoi shokun e Anders, Viljar Hanssen, në tokë në një pellg gjaku.  

"Ai vetëm këndonte dhe kaq ...!", ishte vajtimi i një vajze. Viljarit i ishte thyer koka, një pjesë e masës së trurit ndodhej jashtë kafkës. Sytë e tij, nuk dalloheshin më. 

Polici i mati pulsin, e futi trurin përsëri në kafkën e copëtuar dhe e mbështolli kokën me një leckë. Ai më pas i kërkoi një të mbijetuari, që kishte shpëtuar me një anije, për të mbajtur kokën e Viljarit në prehrin e tij, për ta "mbajtur gjallë".  

17-vjeçari u zgjua nga koma dhjetë ditë më vonë, por pa njërin sy, gishtat me të cilët ishte përpjekur të mbulonte fytyrën e tij nga plumbat, pjesë e një shpatulle dhe tani pa shumë miq. Ai kishte akoma copa plumbash të mbetura në tru, e pamundur të hiqeshin nga mjekët. 

Hanne Hestø Ness, 29 vjeçe, është një nga të mbijetuarat në Utøya: sot ajo jeton në Trondheim dhe ka një djalë të vogël

Dhjetë vjet pas asaj dite, kur ai pothuajse vdiq, Viljar po studion për drejtësi në Tromsø, kryeqyteti i rajonit polar. Mendërisht, ai ende diskuton për politikën me mikun e tij më të mirë, Anders, të cilin të gjithë e quanin "Obama i vogël", nga admirimi për presidentin e një vendi që askush prej tyre nuk e kishte vizituar kurrë.  

"Ai jetoi i vetëm që në moshën 18 vjeç, por ne do të jemi bashkëmoshatarë përgjithmonë", - më thotë Viljar nga shtëpia e prindërve të tij në malet Valdres. "Kur më duhet të marr një vendim të rëndësishëm, ai është gjithmonë pranë meje, por nganjëherë shkojmë mirë, ndonjëherë jo". 

Ishte një dekadë e errët. Para së gjithash, duhej të luftonte që të kthehej në jetë, të shërohej nga plagët, nga terrori dhe të adaptohej me syrin e xhamit dhe dorën protezike. Pastaj, ishte i lumtur që kishte mbijetuar, pa shfaqur zemërim ose pendim. Barra më e rëndë, megjithatë, gjatë viteve, ka qenë përndjekja e vazhdueshme. Sidomos në internet, sidomos nga burrat e moshës së mesme. 

Ina Libak, 31 vjeçe, pasi i mbijetoi masakrës, ishte udhëheqëse e "Auf", nga 2012-a deri në vitin 2020

"Breivik duhet ta kishte mbaruar punën e tij", - i shkruajti njëri. Një tjetër dëshironte që ai të përndiqej përgjithmonë dhe vazhdimisht, nga Breivik. Të gjithë kritikuan pozicionet liberale të djalit për emigracionin, megjithëse të përhapura dhe të përbashkëta. 

Në internet, në Norvegjinë paqësore, tolerante dhe të pasur, përdhunimi dhe vdekja janë dënimi që anëtarët e “Auf”-it kanë merituar kryesisht, sipas disave.  

Viljar iu nënshtrua një sulmi të egër, së bashku me të mbijetuarit e tjerë, veçanërisht ata që janë akoma politikisht aktivë. Vendi u trondit kur mësoi se deri në çfarë mase, ata që i kishin shpëtuar vdekjes në ishull, po fyheshin në internet. 

Viljar Hanssen, i mbijetuari i masakrës në Utøya

Ndërsa debati publik u përshkallëzua, Viljar pati një krizë nervore dhe u largua nga politika për të shmangur vëmendjen e publikut dhe frikën e tij më të brendshme.  

Dhjetë vjet pas masakrës në Utøya, një brez politikanësh tani është zbehur. "Por disa të mbijetuar të masakrës janë akoma politikisht aktiv sot", - komenton Viljar, "dhe nuk është rastësi". 

Partia Laburiste ishte në pushtet në Norvegji, kur Breivik filloi sulmin e tij dhe kryeministri Jens Stoltenberg, në lot, përsëriti se vendi i tij kurrë nuk do të hiqte dorë nga vlerat e tij për t'i dhënë terroristit fitoren.  

"Ne do t'i përgjigjemi urrejtjes me dashuri", tha ai, duke nxitur bashkëqytetarët e tij për "më shumë demokraci, më shumë unitet dhe më shumë humanizëm, por kurrë me naivitet". 

Astrid Hoem, 26 vjeçe, i mbijetoi masakrës dhe është udhëheqëse aktuale e "Auf"

Ai u duartrokit nga i gjithë spektri politik norvegjez për mënyrën se si e kishte udhëhequr kombin pas masakrës. Por sot, ai portret optimist, fillon të zbulojë çarjet e tij. Ajo që dukej e duhur në atë kohë - demonstrimi i unitetit - qëndroi në rrugën e debateve politike shumë më të rëndësishme, të tilla si ato mbi pozicionet e së djathtës dhe pikëpamjet e ekstremistëve.  

Kur “Auf” vuri në dukje se idetë e Breivik nuk ishin një rast i izoluar në internet, por u bëri jehonë fjalëve të shprehura edhe nga deputetë të krahut të djathtë, kundërshtimet u injoruan. Kur “Auf” u kërkoi partive të krahut të djathtë të reshtoheshin në vend kundër sharjeve raciste, ai u akuzua për minimin e lirisë së fjalës. 

Sipas fjalëve të shkrimtarit, Snorre Valen, është krijuar një dhomë për Breivik dhe një dhomë tjetër për politikën, "dhe ato dhoma nuk po komunikojnë". Shtypi ka bërë gjithçka për të mohuar hipotezën e komploteve të krahut të djathtë, ndërsa Partia Laburiste për të rinjtë, është detyruar të heshtë, shkruan Valen në librin e tij, “Utøya-kortet”.  

Torje Hanssen, 23 vjeç, pasi mbijetoi, ai u largua nga "Auf"

Anders Breivik u konsiderua një anomali dhe jo pjesë e një lëvizjeje politike që shtrin tentakulat e saj në partitë e krahut të djathtë. Për atë arsye ai nuk ka qenë i përfshirë në debatin mbi emigracionin, integrimin dhe racizmin në Norvegji, të paktën deri më sot. 

Diçka filloi të lëvizte pranverën e kaluar, si shkrirja e borës, e cila gërmon të çara, në gjendje të kthehen në lumenj të vrullshëm me ardhjen e verës.  

Laburistët e rinj, kanë deklaruar: tani mjaft. "Sulmi kishte një motiv politik!", - shkruan Tonje Brenna, ish-Sekretar i Përgjithshme i “AUF”, në librin e tij “22 korriku dhe ditët pas tij". 

“Nuk ishte një katastrofë natyrore!" Duke ekzaminuar postat elektronike, letrat, mesazhet me tekst, thirrjet telefonike dhe postimet në rrjetet sociale, shkrimtari deklaron se fajtori nuk ishte i vetmi që urrente Partinë Laburiste, "as që donte të na shfaroste". 

"Ky është shansi i fundit për të marrë një qëndrim", përsërit Viljar në funksion të përvjetorit. “Është një dritare që do të mbyllet. Lëvizjet e radhës do të merren nga historianët”. 

Viljar po kthehet ngadalë në politikë dhe ka fituar një vend në Partinë Laburiste në Këshillin e qytetit Tromsø, ndërsa mbante një barrë më të rëndë se të tjerët.  

Mars Ødegården mbeti 70% me aftësi të kufizuara nga të shtënat në këmbë. Sot ajo kryeson seksionin Kongsberg të Partisë Laburiste

Nëse copëzat e vendosura në trurin e tij do të lëviznin një fraksion të një milimetri, për shkak të një përplasjeje, rënieje ose incidenti, arteria e tij kryesore cerebrale rrezikon të çahet. Një fragment, plumbi ndaloi tre milimetra larg. 

Gjatë prezantimeve të mia nëpër botë, shpesh më pyesin se si ka ndryshuar Norvegjia. Herë pas here përdor një metaforë: terrori ka shkaktuar një plagë të thellë, por shenja që është formuar, nuk do të zhduket kurrë dhe ende shkakton dhimbje. 

Sidoqoftë, institucionet norvegjeze nuk u prekën. Ne vazhdojmë si më parë. Terrori nuk na ndryshoi, ndryshe nga sulmi i 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, i cili shkaktoi dy luftëra në dy vjet, duke sjellë radikalizim të mëtejshëm, lindjen dhe zgjerimin e ISIS-it, një luftë të tretë, qindra e mijëra vdekje dhe paraqiti një faturë triliona dollarë. 

“Norvegjia është ende një vend, ku besimi, uniteti, konsensusi, hapja dhe toleranca kanë rrënjë të thella dhe sondazhet konfirmojnë se ato vlera nuk kanë ndryshuar që nga dita e masakrës. Këtë pranverë, megjithatë, unë u detyrova të rishikoj deklaratat e mia se si u morëm me pasojat e sulmit”. 

Distanca nganjëherë na lejon të shohim më qartë. Anders Breivik kishte qenë për gati dhjetë vjet anëtar i Partisë së Djathtë të Progresit, një parti populiste kundër emigracionit dhe armiqësore me Islamin. Ai kishte provuar një karrierë politike, por pa sukses. 

Dy vjet para sulmit terrorist, udhëheqësi i partisë, Siv Jensen, shpiku termin "islamizim okult", duke paralajmëruar vendin për getot, hixhabin dhe ushqimin hallall. 

Cecilie Herlovsen, 25 vjeçe, shëndeti i saj mendor shpesh ishte në rrezik. Në Utoya, ajo humbi shoqen e saj të vetme, e cila vdiq pranë saj. Një plumb e goditi atë në mjekër dhe ai u ndalua nga dhëmbi i pjekurisë

Shprehje të tilla, si tradhtia kulturore dhe kryqëzatat kundër Evropës, ishin shumë të shpeshta në thëniet e partisë dhe shumë të ngjashme me repertorin retorik të Breivik, i cili në atë kohë ishte shumë i shqetësuar për të njëjtat teza të ngritura nga Jensen: që myslimanët të infiltroheshin në shoqërinë norvegjeze përmes derës së pasme, e lënë hapur nga Partia Laburiste.  

E gjithë, kjo duke marrë parasysh se prania myslimane në Norvegji ishte dhe ka mbetur, në rreth 4 përqind të popullsisë. 

Në vitin 2009, Breivik ishte një nga shumë luftëtarët e ‘online’-t dhe ai kaloi rrugët me anëtarët e tjerë të Partisë së Progresit në disa prej të njëjtave faqe të internetit: ata që kërkonin argumente për të mbështetur pozicionet e tyre, Breivik për të mbledhur materiale për një libër, ose manifest, i cili ai kishte përfunduar të botonte në internet mëngjesin e sulmit.

Ylva Helene Schwenke, sot është një gazetare stazhiere në gazetën "Vg", e njëjta nën redaksinë e së cilës Breivik vendosi një nga bombat e Oslos

Në vjeshtën e atij viti, Breivik shkroi në “dokument.no”, një sajt norvegjez kundër emigracionit, se multikulturalizmi ishte një ideologji e urrejtjes, që synonte shkatërrimin e krishtërimit, si dhe kulturën dhe identitetin evropian dhe se "Partia e Progresit, ishte një viktimë e kësaj intolerance”. 

Në janar 2010, Breivik bëri hapin e tij të fundit në legalitet, duke u përpjekur të themelonte një gazetë në internet në bashkëpunim me organin e partisë, Progresin. Partia refuzoi propozimin dhe në shkurt Breivik filloi të porosiste armë, municione dhe kimikate për të fabrikuar bombën e tij. 

Në vend që të pyesnin se si anëtarësimi në Partinë e Progresit për gati një dekadë kishte ndikuar në mendimin e Breivik, mendimi i përbashkët ishte: sa keq, që ata e kishin lejuar në mesin e anëtarëve të tyre.  

Redaksia e gazetës "Vg", e goditur nga një prej bombave të Breivik pak para masakrës në ishull

Pas fitores së Konservatorëve në zgjedhjet parlamentare 2013, për herë të parë në histori, Partia e Progresit hyri në qeveri, në një koalicion të tre partive të krahut të djathtë. Vetëm jashtë vendit është komentuar çështja në këto kushte: "Partia anti-emigracion me lidhje të kaluara me Breivik, është bashkuar me qeverinë". Norvegjezët, pikërisht ata, kanë qenë shumë të sjellshëm për ta bërë publike. Një mbrëmje vonë arrita të flas me Jens Stoltenberg në Bruksel.  

Ai u largua nga Oslo menjëherë pas emërimit të tij si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në vitin 2014. Puna e samitit ka mbaruar, bisedimet me Biden kanë qenë të frytshme, harmonia është kthyer në familje pas ndryshimit në krye të politikës amerikane. Pëlqimi, kompromisi, uniteti: menjëherë krijohet përshtypja se këto janë fjalët më të dashura për Stoltenbergun. 

Zëri i tij bllokohet për një çast, kur i përgjigjet telefonit. Për një kohë të gjatë, tani ai ka qëndruar larg politikës norvegjeze. Unë synoj debatin këtë verë, për ditën që, sipas pranimit të tij, Stoltenberg e konsideron më të keqen e jetës së tij. “Çfarë ishte e drejtë atëherë? Çfarë është tani? Çfarë ka ndryshuar?”. 

Ushtarë para zyrave të Partisë Laburiste në Norvegji, e dëmtuar nga bombat e Breivik në 22 korrik 2011

Nga Brukseli mbërrin një heshtje. Pastaj bashkëbiseduesi im pastron zërin dhe më pyet për një moment, unë mund ta kuptoj mirë. "Unë kam qenë i zënë me Afganistanin gjithë ditën ... dhe tani ky kërcim në Norvegji më detyron të reflektoj, por unë ju siguroj se marr përsipër përgjegjësinë e plotë për fjalët e mia". 

Ai është i etur të përsërisë se është në favor të debatit aktual dhe se ka lexuar disa nga librat e shkruar nga anëtarët e “AUF” dhe se do të lexojë më shumë. "Deri më tani, “Auf” ka mbajtur peshën më të rëndë", - pranon ai.  

Një vëzhgim që i shkakton vuajtje. Ai vetë ishte vetëm 14 vjeç kur u bashkua me Partinë Laburiste dhe nga 15 vjeç e tutje kishte marrë pjesë në kampe verore në Utøya çdo vit. “Sot debati është zgjeruar, është pasuruar me zëra të rinj. Dhe kjo është mirë”, - më thotë ai. 

Por ai nuk dëshiron të pranojë se qasja e tij, për t'iu përgjigjur urrejtjes me dashuri, nga çdo konotacion politik, ishte një gabim.  

Ekipet e ndihmës së shpejtë pranë një vajze të plagosur në Utoya

"Gjatë viteve, unë kam kuptuar gjithnjë e më shumë se sa e rëndësishme është të pyesim veten, pse terrori na ka shënjestruar, - thotë ai. - Ishte në të vërtetë një sulm i shënjestruar ndaj Partisë Laburiste dhe “AUF”. Breivik donte të ndryshonte vendin tonë me dhunë. Dhe prandaj ishte një sulm kundër Norvegjisë”. 

Unë i tregoj për dhimbjen e Gerd. "Më kujtohet Anders", thotë Stoltenberg. Ajo ishte takuar me Gerd dhe burrin e saj në një takim tre ditë pas sulmit, kur djali i tyre ende raportohej zyrtarisht i zhdukur. Stoltenberg mban mend se i kishte përqafuar dhe e kishte të vështirë të gjente fjalët e duhura nga frika se mos thoshte diçka gabim. 

"Atë ditë, ne humbëm rininë tonë më të mirë dhe talentet më premtuese në Partinë Laburiste, - komenton ai. - Gjëja më e mirë që mund të bëjmë për ta, është të vazhdojmë të flasim për 22 korrikun dhe të luftojmë për vlerat në të cilat ata gjithashtu besuan dhe të luftojmë që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më". 

Anders Behring Breivik, bën përshëndetjen naziste në gjykatë në 15 mars 2016

Sipas të gjitha gjasave, Stoltenberg do të mbetet përgjithmonë kryeministri i Norvegjisë, i cili arriti ta mbajë vendin të bashkuar në momentin e tij më dramatik. Dhe kjo ishte në sajë të rolit të tij si kryeministër, si dhe udhëheqës partie. 

Sa për mua, unë e kuptoj se metafora ime e shenjës nuk përshtatet. Plaga është ende e mbushur me qelb.  

Është e infektuar, e fryrë, kërkohet një prerje për ta hapur dhe mjekuar plotësisht. Ndërhyrja më efektive do të ishte mirënjohja dhe falja. Pikërisht mirënjohja që për dhjetë vjet viktimat e masakrës heshtnin sa herë që përpiqeshin ta rilidhnin Breivik me qëndrimet dhe mendimet që gëzonin përdorim të gjerë në arenën politike. Dhe ndjesë, që nuk e kam kuptuar këtë qartë deri më sot. 

“Janë dy djem me emrin Anders që luftojnë brenda kokës time. Njëri është i mirë, tjetri i keq", më thotë Gerd, kur kthehet nga laboratori ku porositi zemrën e bronztë.   “Por ishte djali i keq ai që më kapi trurin dhe më pengoi të mos e gjeja djalin tim. Sa më mundoi!”, - vijon ajo.  

Nëna e një prej viktimave, Gerd Kristiansen në tezgjahun e saj

"Më duket skandaloze që ai është ende gjallë", - thotë ajo. "Le të shijojë orën e tij të ajrimit çdo ditë. Por gjithsesi, ata nuk kanë të njëjtin emër”, - shton.  

"Djali ynë quhet Anders", dhe e thotë emrin në dialektin e saj verior, me theks te "a" dhe një "d" shumë të theksuar.  

Emri i vrasësit shqiptohet në mënyrë të sofistikuar të Oslos, me një "a" të lehtë dhe "d" të heshtur. "Përveç emrit, ata nuk kishin asgjë të përbashkët". 

Gruaja kthehet në tezgjah. Në atë kohë, ajo kishte një të tillë me qira. Tani ka të sajën. “Ata na dhanë kompensim. Për Anders”, - duke iu referuar dëmshpërblimit të paguar për familjarët e viktimave.  

Tapeti i qepur nga Gerd Kristiansen me xhinset e djalit të saj, Anders

"E tmerrshme. Djali im në llogarinë bankare!”. Pastaj shpenzoi ca nga ato para për të blerë kornizën e saj dhe pushoi së vuajturi.  Një mbrëmje, ajo u ngjit në dhomën e djalit të saj, ku rrobat ishin akoma në dollap dhjetë vjet pas vdekjes së tij.  

Një nga një, mblodhi xhinset, një duzinë të gjitha, i çoi në bodrum dhe i bëri copa me gërshërë. Ajo i preu ato me delikatesë, duke i ndarë në shirita të gjatë. Disa blu të errët, të tjerët të venitur dhe të lehta, pothuajse të bardha. Pastaj ajo ndau shiritat e ndryshëm sipas ngjyrave, mblodhi kornizën dhe u fut në punë. 

Si nisi masakra në 22 korrik 2011 në ishullin norvegjez

17:07 – Anders Breivik, atëherë 32 vjeç nga Oslo, mbërrin në ishullin e Utoya-s

17:08 – Vret personat e parë, mes të cilëve, vëllain nga babai të princeshës Mette-Marit

17:08 – I veshur si polic, u thotë të rinjve të hynin në një bar dhe pastaj nis t’i ekzekutojë

17:10 – Kalon përmes kampusit politik veror të laburistëve dhe shkakton viktima të tjera

17:30 – Zhvendoset nga ishulli dhe të rinjtë, për t’;iu shmangur sulmit hidhen në ujë

17:32 – Breivik kalon përmes pyllit dhe të rinjtë largohen pasi dëgjojnë të shtënat me armë

17:35 – I droguar dhe duke dëgjuar muzikë, vazhdon sulmin e tij

18:24 – Një helikopter i një televizioni e filmon, ndërsa vret të rinjtë

18:27 – Kthehet aty ku e nisi sulmin dhe dorëzohet në polici

Bilanci: 77 të vdekur, 110 të plagosur

Dënimi: Andres Breivik, aktualisht 42 vjeç, është dënuar me 21 vite burg, dënimi maksimal i parashikuar nga Kodi Penal në Norvegji.

Norvegjezët përkujtojnë në Oslo viktimat e masakrës së para 10 viteve

Edhe pas 10 vjetësh nuk është penduar

Dhjetë vitet e kaluara në burg e ndihmuan atë të rregullonte idenë e tij për të ardhmen mes shtrirjeve neo-naziste, studimeve universitare, projekteve të librave dhe thirrjeve kundër sistemit të burgjeve norvegjeze.

Anders Behring Breivik, i cili 10 vjet më parë, më 22 korrik 2011 masakroi gjakftohtë me armë automatike 69 studentë në një kamp veror në ishullin Utoya dhe tetë persona të tjerë në Oslo, synon lirimin me kusht përmes një rishikimi ligjor për të cilin ai ka të drejtë pas dhjetë vjet burg në bazë të ligjit në fuqi.

Breivik nuk është penduar kurrë për monstruozitetin që ka bërë dhe nuk ka ndërmend ta bëjë këtë. Ekstremisti i djathtë, tani 42-vjeçar, u shpall i arsyeshëm në kohën e gjyqit, në 2012, plotësisht përgjegjës për masakrat dhe u dënua me 21 vjet, dënimi maksimal në Norvegji, të cilit mund t'i shtohen me kohë, në bazë të rrezikshmërisë së provuar dënime shtesë prej pesë vjetësh.

Nuk ka gjasa që ai të marrë lirimin me kusht, madje edhe në një sistem ultra të garantuar si ai i Oslos. "Ai nuk ka pasur probleme nervore, nuk ka shprehur ndonjë pendim, ai është krenar për atë që ka bërë.

Sipas asaj që kemi vërejtur, ai është edhe më i bindur për pozicionet e tij të ekstremit të djathtë", vëzhgoi prokurori Fredrik Sejersted gjatë një audience të vitit 2017, në të cilën Breivik u paraqit në mënyrë të qartë duke bërë përshëndetjen naziste dhe duke deklaruar se parimet e Mein Kampf të Adolf Hitlerit "janë arsyet e vetme që jam gjallë sot".

Breivik kishte apeluar kundër shtetit norvegjez për shkak të kushteve të tij të burgut të konsideruara "çnjerëzore dhe poshtëruese" në vitin 2016 dhe në shkallën e parë ankesa u pranua pjesërisht, më pas u refuzua në apel vitin e ardhshëm.

Ai përsëri kishte apeluar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila e refuzoi atë në qershor 2018, duke e gjykuar atë "qartazi të pabazuar dhe të papranueshme".

Në burg, aty ku nuk i mungon asgjë

Ai ndodhet në burgun e sigurisë maksimale të Skien, një ishull norvegjez.

Breivik është në izolim, por jeton në tre qeli prej dhjetë metrash katrorë secila me pamje nga fshati, ka një TV, DVD player, Playstation, PC edhe pa akses në internet dhe një palestër.

Ai ankohet për cilësinë e ushqimit, kafenë e ftohtë dhe sendet plastike jo praktike në qeli.

Çrregullimi narcizist i personalitetit të tij, megjithatë, duket se nuk ka kufij: ai vendosi të ndryshojë emrin e tij, në Fjotulf Hansen.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë