Shendet

Ushqyerja me gji, OBSH: Europa (përfshi Shqipërinë) ka nivelin më të ulët, nuk duhet ndaluar as në ditët e nxehta

Me qarkullimin e virozave dhe në ditët kur temperaturat janë shumë të larta, ekspertët e shëndetit publik rekomandojnë nënat e reja që të mos ndërpresin ushqyerjen me gji, pasi qumështi i gjirit ndihmon bebin të përballojë pasojat e të nxehtit.

Mjekët pediatër thonë për gazetën “Si”, se qumështi i gjirit ka një përmbajtje më të lartë uji në kohën e nxehtë dhe një përqindje më të lartë yndyre në muajt më të ftohtë.

“Qumështi i gjirit përmban 85% ujë dhe mban foshnjën të hidratuar si dhe i ofron lëndët e tjera ushqyese që ka nevojë, yndyrnat, proteinat, vitamina dhe minerale”, thonë pediatrit.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, bebi i vogël, në veçanti 6 muajt e parë të jetës së tij ka nevojë vetëm për qumësht gjiri dhe të ushqehet sa herë dhe për sa kohë të dëshirojë.

“Dhënia foshnjës lëngje të tjera përveç qumështit të gjirit, do të bëjë që stomaku i tij i vogël të ngopet me ujë, apo lëngje të tjera që nuk kanë asnjë vlerë ushqimore dhe nuk do të marrë lëndët ushqyese që ia siguron vetëm qumështi i nënës së tij”, rekomandojnë mjekët specialistë.

Pediatrit këshillojnë nënat që të mos harrojnë se trupi i tyre prodhon gjithnjë qumësht gjiri aq sa kërkon foshnja e tyre, pra funksionon raporti kërkesë-prodhim: sa më shumë pi foshnja, aq më shumë qumësht prodhojnë gjinjtë e nënës.

“E rëndësishme është që foshnja të ushqehet sa herë ka nevojë ditën dhe natën dhe të mos marrë shtesa të tjera me ushqime apo lëngje në 6 muajt e parë (përfshirë edhe ujin) dhe në këtë mënyrë prodhimi i qumështit do te jetë i mjaftueshëm për ta ushqyer atë”, thonë ekspertët.

Në javën botërore të ushqyerjes me gji, OBSH rekomandoi për rritje të ndërgjegjësimit për nënat që të ushqejnë foshnjat me gji. Sipas të dhënave të OBSH, rajoni i Europës përfshi dhe Shqipërinë, regjistron nivelin më të ulët të ushqyerjes me gji.

OBSH thotë se ushqyerja me gji është një masë e rëndësishme shëndetësore jo vetëm për foshnjat, por edhe për nënat.

“Ushqyerja me gji nuk ka lidhje vetëm me ushqimin. Ajo ka lidhje edhe me mbrojtjen e bebit. Qumështi i gjirit ka shumë antitrupa që ndihmojnë në mbrojtjen e foshnjave nga sëmundjet.

Ai siguron një peshë të shëndetshme dhe mund të ulë rrezikun për sëmundjet e patransmetueshme më vonë në jetë.

Edhe nënat përfitojnë nga kjo, pasi ushqyerja me gji ul rrezikun e prekjes nga kanceri i gjirit, kanceri i vezores dhe dy lloje të diabetit”, thotë OBSH.

OBSH rekomandon vendosjen në plan të parë, mbështetjen për nënat e reja, sidomos në kohën kur ato kthehen në punë pas lejes së lindjes.

“Punëdhënësit luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e familjeve dhe zgjedhjen e nënave për të ushqyer foshnjat me gji për sa kohë e vendosin vetë”, thuhet në rekomandimin e OBSH.

OBSH thotë se për të ndihmuar nënat e reja që të vazhdojnë ushqyerjen me gji ndërsa punojnë duhet që punëdhënësit të ofrojnë 2 orë pushim në ditë në dispozicion të tyre, vende të përshtatshme dhe komode për të ushqyer nënat foshnjat me gji, kushte për të ruajtur qumështin në temperaturat e duhura, fleksibilitet për ti lejuar ato të punojnë nga shtëpia kur është e mundur.

Sipas OBSH, ushqyerja ekskluzive me gji rekomandohet për 6 muajt e parë të jetës së bebeve. Kjo nxitet përmes zgjatjes së kohës së lejes së lindjes së paguar dhe duke krijuar vende të përshtatshme për ushqyerjen me gji në vendin e punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë