Treg

TVSH e fermerëve, rritet informaliteti tek thertoret, ulet siguria ushqimore

Sabina Veizaj - Përfaqësues të thertoreve të mishit tregojnë se ulja e masës së rimbursimit të TVSH-së për fermerët, po rrit çdo ditë e më shumë informalitetin në sektorin e mishit.
Therrtoret prej 20 ditësh nuk blejnë më mish vendi nga fermerët. Ata thonë se në muajt janar dhe shkurt kanë dalë me 9% humbje. Duke nisur nga muaji mars kanë nisur të vendosin kontaktet me furnitorë të importit.

Industria e mishit dhe fruta-perimeve javën e ardhshme në protestë 

Argent Daci, administrator i Thertores Daci Al në Kamëz, që e ushtron aktivitetin që prej 2005-ës duke therur dhe tregtuar mish të freskët, thotë për Gazetën “Si” se zgjidhja e vetme për situatën kur qeveria qëndron indiferente, është importi.

“Deri në 31 dhjetor kemi proceduar me autofaturë duke i kaluar çdo fermeri me të cilët bashkëpunojmë paratë në bankë. Ne blejmë dhe jemi të detyruar të shesim me TVSH. Autofatura garanton këto elementë: formalizimin e fermerit dhe sigurinë ushqimore. Fermeri kishte të garantuar pagesën në bankë bashkë me 20% e autofaturës. Nga 1 janari me legjislacionin e ri fiskal që autofaturohet me 6% kanë dalë probleme; kush do ta mbajë peshën e 14%. Tre janë opsionet; ose do ta mbajë fermeri, ose unë që jam hallka e mesit, ose konsumatori final. E sigurt që konsumatori final nuk e mban sepse është tregu i importit të mishit, që automatikisht ne lëvizim me ta sot për 3-4 %. Jo më për 14%”, shpjegon administrator Daci. “Për 2-3 ditë ne dalim nga tregu menjëherë. Nëse e mbajmë ne, ne kemi një marzh fitimi 5% mbi xhiron. Ne automatikisht na nxjerr me humbje. Nëse unë ia ngarkoj fermerit; ne jemi partner të ngushtë me ta. Kemi vite që bashkëpunojmë. Jemi shumë afër me të, ua dimë hallet. Nëse unë e ul çmimin me 14% e di fare mirë që ai nuk ka interes fare të vijë tek unë. Ai edhe me atë çmim që ka qenë, ka qenë në kufijtë minimal të mbijetesës”, thotë ai.



“Efekti që ka sjellë është tejet negativ; po kalohet në informalitet të theksuar. Tashmë po shtohen therrtoret informale. Sepse unë nuk ia marr dot me çmimin e dikurshëm. Unë kam patur kontrata të vjetra me fermerët, pasi kam bërë edhe parapagime. Me çmimin e mëparshëm, me TVSH e re dhe në janar-shkurt kemi dalë me humbje. Kështu që po e shohim zgjidhjen jashtë kufijëve” -Daci

Daci Al ka bashkëpunuar me 2000 fermerë në vit. Gjithashtu ka operuar edhe me fermerë lokalë (ndërmjetës) të cilët e furnizonin nga furnitorët e tyre. Administratori Daci shpjegon se zinxhiri është shumë i madh pasi nga 15 thertore të ligjëruara në vend, secila prej tyre ka minimalisht nga 2000 fermerë nga të cilët furnizohet.

“Efekti që ka sjellë është tejet negativ; po kalohet në informalitet të theksuar. Tashmë po shtohen thertoret informale. Sepse unë nuk ia marr dot me çmimin e dikurshëm. Unë kam pasur kontrata të vjetra me fermerët, pasi kam bërë edhe parapagime. Me çmimin e mëparshëm, me TVSH e re dhe në janar-shkurt kemi dalë me humbje. Kështu që po e shohim zgjidhjen jashtë kufijve”, më shpjegon Administratori Daci.

Dhe për të pasojat do të jenë të rënda; largimi në masë i fermerëve dhe “ne hallka e ndërmjetme do t'i drejtohemi përfundimisht importit”.

Z. Daci thotë se protestat do të vazhdojnë, por “konsumatori shqiptar duhet ta ketë të qartë se nuk ka më siguri se çafrë po konsumon. Ka humbur gjurmueshmëria, që është kushti kryesor i BE-së.”.

Për të qeveria nuk mund të luajë me kartën e TVSH-së 0 për inputet bujqësore sepse sektori që ai përfaqëson impaktohet vetëm 5% në lidhje me vaksinat, për asgjë tjetër.

“Nuk ka impakt sepse pjesa më e madhe e të imtave dhe viçave rriten në zonat kodrinore, malore të vendit tonë. Nuk rriten me regjim stallor. Nuk ka stalla që rrisin qingja e viça për mish. Nuk blejnë bar, jonxh që të impaktojë TVSH-në zero të inputeve bujqësore.”
Edhe fermerët e fruta-perimeve do të vazhdojnë të dalin në protestë.

Uran Derri nga Albanian Food Industry, i cili zotëron një biznes fruta-perimesh, thotë se po vijojnë diskutimet me fermerët dhe grumbulluesit për situatën kaotike - sipas tij - që është krijuar me ndryshimin e masës së rimbursimit të TVSh-së.

Uran Derri shprehet për Gazetën “Si” se efektet deri më tani nuk janë ndjerë tërësisht pasi në treg 90% e prodhimit është i importit, por situata do të përkeqësohet duke nisur nga gjysma e dytë e muajit prill kur prodhimi vendas do të intenisfikohet.

Fermerët e fruta perimeve, të cilët janë më të shumtë në numër se ata të qumshtit do të organizojnë një protestë javën e ardhshme. Forma dhe pjesëmarrja e protestës nuk janë vendosur ende.

Kreu i AFI-t, (Albanin Food Industry) Alban Zusi duke e konsideruar si një zgjidhje të pjesshme rimbursimin e drejtpoërdrejtë të fermerëve të qumshtit nga qeveria, thotë se problemi nuk është zgjidhur tërësisht.

Problemi qëndron i njëjtë, ndonëse nuk është shfaqur ende me ashpërsi, për sektorët e tjerë, si mishi, fruta – perimet, vreshtaria, ulliri etj.

“Jemi të bindur që kjo masë, e cila korrigjon përkohësisht dhe vetëm një segment të prodhimit bujqësor, ka pritshmëri të ketë ndikim pozitiv në formalizimin e këtij nënsektori. Procesi i lobimit i filluar me qeverinë nga AFI më anëtarët e tij, perfaqësues nga nënsektorë të bujqësisë, do të vazhdojë për të realizuar një plaftormë të qëndrueshme, të përbashkët me qeverinë, për të mos tronditur vit pas viti sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Është e papranueshme që fermeret dhe sipërmarrësit e industrisë së ushqimit të duhet të rishikojnë planet e biznesit në çdo vit fiskal.”- thotë Zusi.

Për të, politikat për zhvillim të qëndrueshëm duhet të mbështeten në dy shtylla të rëndësishme të ndara qartazi nga njëra-tjetra; parimet e fiskalitetit, dhe standnardet e nxitjes së zhvillimit të sektorit. “Vendimmarrja e propozuar përzien problemet fiskale me ato të nxitjes. Gjithashtu, me ndihmën e të gjithë aktorëve, medias, politikës, specialistëve të fushës synojmë dhe do të ngremë një debat publik, i cili do të finalizohet me propozimin e një pakete fiskale për sektorin; e cila të jetë e qëndrueshme dhe e bazuar në logjikë zhvillimi dhe jo logjikë barazimi efektesh financiare në buxhet.”- shpjegon Zusi.

Qeveria ka vendosur të rimbursojë vetëm fermerët e qumshtit me 10 lekë për litër, por fermerët nuk e kanë përjetuar me optimizëm këtë vendim duke u shprehur se nuk i nxjerr nga situata problematike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë