Trend

Turizmi i gjumit, njerëzit tani po udhëtojnë për të rregulluar problemet që kanë natën

Të shkosh me pushime për të përmirësuar zakonet e gjumit mund të duket si diçka që nuk do e bënte asnjeri por “turizmi i gjumit” është rritur aq shumë në popullaritet sa tani duket si një arsye normale për të udhëtuar.

Në hotele dhe resorte në të gjithë botën ka një numër në rritje të qëndrimeve të fokusuara tek gjumi.

Interesi është rritur akoma më shumë edhe nga pandemia.

Gjatë 12 muajve të fundit, Park Hyatt New York ka hapur “Bryte Restorative Sleep Suite”, një suitë prej 900 metrash katrorë e mbushur me pajisje për përmirësimin e gjumit, ndërsa Rosewood Hotels & Resorts kohët e fundit nxori një koleksion të pajisjeve të quajtura Alchemy of Sleep që janë krijuar për të provomovuar gjumin e rehatshëm.

Zedwell, hoteli i parë i Londrës me fokus gjumin, i cili përmban dhoma të pajisura me izolim të zërit, u hap në fillim të vitit 2020 dhe prodhuesi suedez i shtretërve Hastens themeloi në 2021 hotelin e parë në botë me 15 dhoma vetëm për të fjetur.

Pse gjumi është bërë papritmas kaq i rëndësishëm për industrinë e turizmit?

Rebecca Robbins, studiuese e gjumit thotë se ky ndryshim ka ardhur prej kohësh por vetëm tani i është dhënë kaq shumë vëmendje.

Bryte Restorative Sleep Suite, e mbushur me pajisje për përmirësimin e gjumit në Park Hyatt Nju Jork.

“Tani është fakt që turistët po rezervojnë hotele vetëm për të fjetur”, thotë ajo duke theksuar se industria e hotelerisë ka qenë kryesisht e fokusuar në gjëra që në të vërtetë e dëmtojnë gjumin.

“Njerëzit i lidhin udhëtimet me vakte që ju vijnë në shtrat, me gjithë vendet që duan të vizitojnë dhe gjithmonë turistët kanë qenë të prirur të flenë sa më pak kur janë në udhëtim por tani mendoj se ka pasur një ndryshim të madh në ndërgjegjësimin kolektiv dhe prioritet është bërë mirëqenia”, thotë Robbins.

Pandemia duket se ka luajtur një rol të madh në këtë ndryshim. Një studim i publikuar në Journal of Clinical Sleep Medicine zbuloi se 40% e mbi 2500 të rriturve që morën pjesë raportuan një ulje të cilësisë së gjumit të tyre që nga fillimi i pandemisë.

"Ka pasur vëmendje të shtuar ndaj gjumit në epokën e Covid-19, dhe kjo sepse shumë njerëz kanë luftuar me problemet me gjumin”, thotë Robbins.

Hipnoterapisti Malminder Gill gjithashtu ka vënë re një ndryshim në qëndrimet ndaj gjumit.

“Gjithçka duket se po shkon drejt jetëgjatësisë dhe mendoj se kjo ka nxitur disa ndryshime”, thotë Gill.

“Sepse nuk është çudi që gjumi është një aspekt i rëndësishëm i jetës sonë. Mungesa e gjumit mund të shkaktojë shumë probleme të ndryshme në trup dhe në shëndetin mendor”, thotë ai duke shtuar disa nga problemet si ankthi, depresioni, ndryshimet e humorit etj.

Hoteli Brown në Londër, nisi përvojën e dy netëve 'Forte Winks' në tetor.

Gill ka bashkëpunuar me Cadogan, një hotel në Londër, për të krijuar një shërbim të veçantë për turistët me probleme me gjumin.

Shërbimi përfshin meditim që nxit gjumin, “menu jastëkësh” për turistët që duan të flenë në shpinë ose anash, çaj qetësues dhe batanije aromatizuese.

Gill thotë se të gjitha këto ndikojnë që njerëzit të bëjnë një gjumë të mirë por çdo njeri ka preferenca të ndryshme e prandaj janë munduar të krijojnë sa më shumë opsione për këdo.

Llojet e programeve të fokusuara në gjumë të ofruara nga hotelet dhe resortet gjithashtu ndryshojnë, me vende të ndryshme që i qasen konceptit në mënyra të ndryshme.

Kompania e hoteleve luksoze Six Senses ofron një sërë programesh të plota gjumi, që variojnë nga tre deri në shtatë ditë ose më shumë, ndërsa Brown's Hotel në Londër, nxori së fundmi, 'Forte Winks', një përvojë që ndihmon turistët të bëjnë një gjumë të qetë.

“Gjumi është i rëndësishëm dhe ne vumë re se kishte një tendencë në turizmin e gjumit dhe mirëqenien në përgjithësi, pas izolimeve dhe Covid-it”, shpjegon Daniela Moore, menaxhere e Brown’s Hotel.

"Kështu që ne donim të shfrytëzonim rastin për të shfaqur Brown's si një hotel që kujdeset që ju të bëni gjumin më të mirë të natës".

Për Gill-in, kjo rritje e kërkesës për të fjetur gjumë në udhëtim është një shenjë që tregon se të qëndruarit zgjuar për të bërë sa më shumë gjëra po sfidohet dhe njerëzit kanë filluar ta kuptojnë më shumë se sa i rëndësishëm është gjumi.

Por a mund të kenë një ndikim afatgjatë në gjumin e përgjithshëm një udhëtim i shkurtër?

Sipas Robbins, përvojat e udhëtimit të përqendruara rreth "strategjive të gjumit të shëndetshëm" mund të jenë jashtëzakonisht të dobishme, me kusht që një ekspert të përfshihet në një farë mënyre për të ndihmuar në përmirësimin e gjumit.

"Nëse dikush kthehet nga udhëtimi dhe nuk ka një përmirësim do të thotë se ka një çrregullim gjumi që duhet të trajtohet e prandaj kërkohet që në këto hotele që po ofrojnë paketa të reja të përfshihen edhe ekspertë.

Mandarin Oriental në Gjenevë ka bashkëpunuar me CENAS, një klinikë private mjekësore për gjumin në Zvicër, për të bërë një program tre-ditor që studion modelet e gjumit të turistëve në mënyrë që të identifikojë çrregullimet e mundshme të gjumit.

Ndërsa turizmi i gjumit vazhdon të rritet, Robbins thotë se është e rëndësishme që çdo hotel në botë ti japë vëmendje gjumit të turistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë