Trend

Kim Kardashian në qendër të kritikave: Kalendari festiv prej 148 dollarësh kthehet në objekt talljeje, do të rimbursojë klientët

Marka e njohur Skims, e themeluar nga Kim Kardashian, është përballur me një valë kritikash në rrjetet sociale për kalendarin e saj të fundvitit me vlerë 148 dollarë, duke detyruar kompaninë të ofrojë rimbursim të plotë për klientët e pakënaqur.

Kalendari festiv, i cili premtonte “12 ditë me surpriza argëtuese”, është kthyer në objekt talljeje në internet për shkak të përmbajtjes së tij. Mes artikujve të përfshirë në paketë gjenden aksesorë të vegjël, si kapëse flokësh dhe varëse çelësash, të cilët shumë konsumatorë i kanë konsideruar zhgënjyes në raport me çmimin e produktit.

Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta, ku përdoruesit nuk kanë kursyer ironinë për cilësinë dhe përzgjedhjen e artikujve.

Një llogari në TikTok, me emrin “spicychathouse”, i krahasoi produktet me gjëra që “macja ime i mbledh nëpër shtëpi”. Ndërsa një tjetër përdorues komentoi se ato dukeshin si “një grumbull sendesh që Kim Kardashian i ka nxjerrë nga sirtari i komodinës”.

Disa përdorues shkuan edhe më tej, duke publikuar video ku pastronin divanet e tyre dhe ironizonin se, pa e kuptuar, kishin krijuar një kalendar të ngjashëm me atë të Skims.

Pas kritikave të shumta, një zëdhënës i kompanisë konfirmoi për mediat se Skims po u ofron klientëve të pakënaqur një rimbursim të plotë ose kredi për blerje të ardhshme.

“Për disa njerëz, kalendari nuk i përmbushi pritshmëritë”, u shpreh përfaqësuesi i kompanisë, duke shtuar se Skims ka kontaktuar personalisht çdo klient për t’i ofruar një zgjidhje.

Ndërkohë, BBC ka kontaktuar kompaninë për një koment të mëtejshëm.

Skims u bashkëthemelua nga Kim Kardashian në vitin 2019 dhe është kthyer në një prej markave më të njohura në industrinë e veshjeve dhe modës. Sipas revistës Forbes, suksesi i kompanisë ka kontribuar në pasurinë miliardere të yllit amerikan.

Në vitin 2025, kompania u vlerësua me rreth 5 miliardë dollarë, pas sigurimit të një raundi të ri financimi.

Megjithatë, rasti i kalendarit tregon se edhe markat më të fuqishme të industrisë së modës nuk janë imune ndaj kritikave të konsumatorëve, veçanërisht kur pritshmëritë e klientëve nuk përputhen me çmimin dhe cilësinë e produktit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë