Art dhe Kulture

Tregu kaotik i pikturës në Shqipëri dhe anemia e institucioneve

Pse shqiptarët nuk blejnë piktura?! Pse tregu i artit në Shqipëri është kaotik? Kush i blen pikturat në Shqipëri?

Pikturat nëpër ekspozita duket sikur rrinë të gatshme t’i dorëzohen secilit që do të paguante për to. Por në Shqipëri duket se ka një mungesë vëmendjeje ndaj artit pamor si nga ana e qytetarëve, ashtu edhe nga ana e institucioneve përkatëse. 

Ajo që artistët pohojnë njëzëri është që arti ka pak vlerë në vendin tonë dhe artistët lëngojnë në një treg të vogël e kaotik.

“Piktorët gjithmonë ankohen për shitjen e pikturave. Ekspozitat hapen dhe asnjë nuk blen”, thotë piktori Gazmend Leka për Gazetën Si. “Unë personalisht kam 3-4 koleksionistë, që blejnë piktura dhe më ndjekin nga pas nëpër ekspozita. Marrin piktura dhe pasurojnë koleksionet e tyre”.

Kritik është edhe artisti Oltsen Gripshi. Ai thotë se jo vetëm që tregu është kaotik, por shpeshherë nuk njeh as vlera artistike.

“Tregu i shitblerjes së veprave të artit në Shqipëri është një treg jo i rregulluar, është kaotik dhe për rrjedhojë nuk njeh vlera artistike. Kjo, sepse mungesa e edukimit të popullatës me artet pamore ka krijuar një lakunë të madhe mediokriteti në këtë drejtim, ndaj kjo me pas ka ndikuar në mosformimin e masës (përfshirë këtu të pasurit) të vlerësojnë dhe çmojnë artistët më të mirë”.

Shitblerja e veprave në vendin tonë zhvillohet nga pak burime që janë: ekspozitat vetjake të artistëve nëpër galeri të ndryshme, përmes miqve dhe një network-u të personave publikë.

Personat publikë marrin shpeshherë për vete vepra falas që t’i shesin tek të tjerët”, vijon piktori Gripshi.

Për kritikun e artit pamor, Ermir Hoxha pikturat në Shqipëri blihen kryesisht nga dy kategori: koleksionistët dhe blerësit okazionalë.

Shpesh blerësit okazionalë mund të kthehen në koleksionistë... por kjo ndodh rrallë. Vetë koleksionistët janë burimi më i sigurt i tregut të artit”, thotë kritiku i artit, Ermir Hoxha për Gazetën “Si”.

Që shitjet janë shumë të rralla e pohojnë për Gazetën Si edhe nga Galeria Kalo.

Shitjet janë shumë të rralla, pasi galeria jonë ka pasur më shumë fokus promovimin sesa tregtimin e veprave. Ata që blejnë janë kryesisht të huajt, ndonjë biznesmen apo ndonjë diplomat”, thotë për Gazetën Si Galeria Kalo.

Studiuesi i artit pamor, Ermir Hoxha i mëshon fort faktit se tregu i artit është një treg i rrëmujshëm. Ajo që është edhe më e çuditshme është se mungojnë edhe statistikat.

Kritiku i artit, Ermir Hoxha

Deri në momentin që flasim nuk ka statistika të qarta mbi tregun e artit... as për shifra... as për sasi”.

Sipas tij, edhe pse ka lëvizje për ta rregulluar nga ana legjislative, për ta bërë këtë tregti më të sigurt nga ana e investimit në kohë “interesi ndaj këtij lloj arti duket i vakët”.

Hoxha thekson se vëmendja ndaj pikturës është në nivelet minimale që ka qenë dhe nuk ka një gjallërim ndaj këtij mediumi.

Vëmendja ndaj pikturës në Shqipëri nuk ka një rikthim... mendoj që tregu i artit më shumë se një trend mbi mediumin (pikturën, skulpturën apo video-instalacionit) ka vuajtur një ngritje-ulje sipas trendit të ekonomisë”.

Një tjetër fenomen në Shqipëri është se mungojnë ankandet.

Në Shqipëri ende sot janë inekzistente shtëpitë e ankandeve për shitblerjen e veprave të artit, e cila bëhet kurth edhe për vjedhjen, përvetësimin dhe trafikimin e veprave të piktorëve më në zë shqiptarë, të cilët nuk jetojnë më”, thotë për Gazetën Si piktori Oltsen Gripshi.

Për këtë panoramë të zymtë të artit pamor në Shqipëri, nuk veçohet dot se cili është faktori më dominant, por mungesa e infrastrukturës së artit, edukimi minimal për artin dhe mungesa e kritikës apo vlerësimeve mbi artin, janë të pashmangshme...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë