Menaxhim

Projektligji për pensionet private, shoqëritë administruese: Të hiqet tatimi mbi fitimin dhe kontributin

Nga Gazeta ‘SI’ - Projektligji i ri për fondet private të pensioneve, parashikon që të përjashtojë nga tatimi, tatimi pjesën e kontributit dhe parashikon tatim vetëm për pjesën e të ardhurave nga investimi i kontributeve.

Në komisionin ndërparlamentar të Ekonomisë, përfaqësuesit e sektorit kërkuan heqjen e tatimit mbi të gjithë shumën e përfituar nga pensioni privat, duke përfshirë edhe kontributet, si një lehtësim fiskal për zhvillim të këtij sektori.

LEXO EDHE:
Projektligji për pensionet private, Xhepa: Nuk e rregullojnë skemën

Naim Hasa, këshilltar në shoqërinë Sigal Life Uniqa Group Austria, u shpreh se tatimi përfitimeve nga pensionet private e ka paralizuar tregun. Sipas tij, në praktikën botërore pensionet nuk taksohen dhe legjislacioni shqiptar duhet të ndjekë të njëjtën frymë. Shoqëritë administruese mendojnë se heqja e plotë e tatimit në përfitim do t’i jepte një shtysë të rëndësishme skemave të pensioneve private në vend.

Elvis Ponari, Kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve, tha se tregu i pensioneve private në Shqipëri është shumë më minimalist se ai në rajon. Sipas tij, tregu shqiptar ka sot afërsisht 50 milionë euro asete, ndërsa në Maqedoninë e Veriut vlera e aseteve të fondeve private të pensionit ka arritur në 1.7 miliardë euro të grumbulluara në administrim. Ai kërkoi që kuadri ligjor në Shqipëri të jetë më nxitës për zhvillimin e tregut të pensioneve private, duke lehtësuar gradualisht barrën mbi skemën shtetërore dhe do të rriste mirëqenien e qytetarëve në moshën e pensionit.

Gjithashtu, shoqëritë kërkuan penalitete më të forta për tërheqjen e parakohshme të kontributeve, pasi ato janë skema pensioni dhe jo forma kursimi.

Me ligjin aktualisht në fuqi, i gjithë pensioni privat tatohet në përfitim me shkallën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat e individëve, 15%.

Aktualisht, kufiri maksimal kontributeve të përjashtuara nga tatimet është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 250 mijë lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

Sipas projektligjit të propozuar nga qeveria, kufiri maksimal mujor, për lehtësitë tatimore do të jetë deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi. Konkretisht, sot përjashtimi nga tatimi do të shtrihej deri në një shumë kontributesh prej 40 mijë lekësh në muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë