Treg

Tregtimi i titujve të qeverisë në Bursë, dominojnë transaksionet e klientëve

Periodiku i qershorit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare raporton se gjatë muajit qershor 2019, në bursën shqiptare të titujve ALSE janë tregtuar Bono Thesari në vlerën 159 mijë lekë dhe Obligacione në vlerën prej 223 milion lekë. Duke analizuar volumin dhe vlerën e tregtuar, gjatë këtij muaji, kanë dominuar transaksionet e on-exchange (tregtim i drejtpërdrejtë).

Nga të dhënat e tregtimit në ALSE, për muajin qershor 2019, sipas llojit të transaksioneve, kanë dominuar si në numër, volum dhe vlerë transaksionet e ekzekutuara për llogari të klientëve, krahasuar me transaksionet e ekzekutuara për llogari të vetë Anëtarëve të Bursës ALSE.

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE dhe Bursa e Vienës, raporton AMF në periodikun e qershorit, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të dhënat e tregut. Ofruesit e informacionit financiar në treg, të ashtuquajturit shitës të dhënash (data vendors), mund të aksesojnë të dhënat e tregut të titujve në Shqipëri nëpërmjet platformës qendrore të shpërndarjes së të dhënave që administron Bursa e Vienës.

Të dhënat e tregut të titujve nga Shqipëria mund të aksesohen potencialisht në kohë reale nga më shumë se 18,000 përdorues në rreth 60 vende të ndryshme. Kjo platformë qendrore e shpërndarjes së të dhënave sipas parimit me një sportel (one-stop shop) redukton në maksimum punën për klientët në aspektin administrativ, ligjor dhe teknologjisë së informacionit.


Arta Gjergji Drejtor i ASLE &Ludwig Nießen, Drejtori i Përgjithshëm i Bursës së Vienës

Bursa e Vienës shpërndan të dhëna financiare nga 11 shtete nëpërmjet kësaj platforme qendrore: përditëson të dhënat për tregjet e titujve nga Shqipëria, Austria, Bosnia dhe Hercegovina, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Kazakistani, Maqedonia e Veriut, Serbia e Sllovenia si dhe të dhënat e tregtimit nga Bursa Austriake e Energjisë (EXAA).

“Me mbështetjen e donatorit zvicerian SECO dhe Bankës Botërore, Shqipëria ka përgatitur projektligje në fushën e fondeve të investimeve dhe në tregun e kapitaleve për të përafruar më shumë legjislacionin shqiptar me direktivat e BE-së. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po punojnë së bashku për të licensuar dhe mbikëqyrur depozitarin qendror për titujt joqeveritarë, i cili pritet t’i japë një zhvillim të shpejtë tregut të titujve në Shqipëri. Bashkëpunimi me platformën qendrore të shpërndarjes së të dhënave që administron Bursa e Vienës, do të krijojë një vlerë të madhe në drejtim të rritjes së besimit në tregun vendas si dhe do të ndihmojë në promovimin e tregut të titujve të Shqipërisë në Europë,” thotë Artan Gjergji, Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE.

“Bashkëpunimi ynë me Bursën Shqiptare të Titujve ALSE tregon se si dy bursa mund të përfitojnë nga pikat e forta dhe mundësitë e njëra-tjetrës. Jemi krenarë të ndajmë njohuritë dhe teknologjinë tonë për të rritur vizibilitetin në shkallë ndërkombëtare dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet e BE-së të një tregu të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit,” u shpreh Ludwig Nießen, Drejtori i Përgjithshëm Operacional dhe Teknik (COO & CTO) i Bursës së Vienës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë