Futboll

“Topi i Artë” i vërtetë që nga 1956, 2 për Maradonën dhe 7 për Pelé

Një kampion absolut matet edhe me trofetë e fituar. Dhe në veçanti nga ai trofe që e ëndërron çdo lojtar, “Topi i Artë”, që Diego Armando Maradona nuk e ka fituar. Ashtu si Pelé. Një trofe të tillë në fakt argjentinasi e ka, por është si një diplomë “honoris causa”. I është dhënë në vitin 1995, kur çmimi i “France Football” ishte i hapur edhe për lojtarët që nuk ishin nga Europa, por që që luanin në këtë kontinent.

Vetëm në 2007-ën çmimi u shtri në gjithë botën. Trofeu i vërtetë, në atë vit të ndryshimit të madh u fitua nga Zhorzh Ueah. “Pibe de Oro” u vlerësua për shenjën e lënë në historinë e futbollit. Një priviligj që më pas iu bë edhe Pelé në 2014-ën. Prestigjiozja franceze duket se dëshiron të vërë në vend drejtësinë, të paktën teorikisht, duke ribërë palmaresin që nga viti 1956, me rregullat aktuale. Maradona do të fitonte 2 “Topa të Artë”, më pak se Mesi. Mbreti do të ishte rivali virtual i përhershëm i argjentinasit, Pelé, me të paktën 7 trofe. Gjithsesi, krahasimi mbetet fals.

Maradona dhe Pele. Gazeta Si, 2 dhjetor 2020

Diferenca mes dy emrave të mëdhenj të futbollit është shenjuar nga të tjera pabarazi, pak a shumë evidente. E pranon edhe vetë gazeta, duke shkruar se Pelé patjetër do të triumfonte në 1958-ën, pas kupës së parë të botës të fituar prej tij. Çmimi në atë kohë iu dha francezit Kopa. Më pas, në 1959-ën, u vlerësua Di Stefano, spanjolli me origjinë nga Buenos Aires, në 1960-ën ishte radha e spanjollit tjetër Luis Suarez, më 1961-shin çmimi i takoi Sivorit dhe në 1963-ën të vetmit portier që e ka fituar këtë trofe, Lev Jashin.

Në botërorin e 1962-shit, ku braziliani fitoi sërish, “Topi i Artë” shkoi për çekosllovakun Josef Masopust. “O Rei” do të kishte fituar edhe në 1964-ën, në vend të skocezit Denis Lou. Duhej të kurorëzohej edhe në 1970-ën, në titullin e tretë kampion bote, por në fakt çmimi iu dha gjermanit Gerd Myler.

Maradona, sipas kësaj renditjeje të re, do të fitonte “Topin e Artë” në 1986-ën, kur hyri në histori edhe me “Dorën e Zotit” në Meksikë. Atë vit çmimi iu akordua rusit Igor Belanov, me 22 pikë më shumë se Lineker, duke ndërprerë kështu 3 trofetë radhazi të Platini. Francezi e fitoi çmimin një vit më pas, duke ndezur rivalitetin me Maradonën.

Ylli i Napolit në atë kohë duhej të ngjitej në shkallën më të lartë sërish në 1990-ën, pavarësisht humbjes në finale e Botërorit ndaj Gjermanisë së Mateusit që mori çmimin individual. Vetë gazeta thekson se gjermani nuk ishte aq vendimtar sa argjentinasi, që kishte fituar titullin në Itali, duke mposhtur Milanin e holandezëve.

Dhe pikërisht këtu qëndron pabarazia e madhe me Pelé, që shënonte më shumë se Maradona, por në kohën e tij kundërshtarët ishin shumë më të lehtë. Argjentinasi, sipas “France Football”, ka triumfuar ndja skuadrave të mëdha dhe ndaj emrave të mëdhenj si Platini, Rumenige, Gulit dha Van Basten. Vetë Maradona në një intervistë ka thënë: "Nëse do të konkurroja, “Topa të Artë” do të kisha fituar një tonelatë". Vështirë ta kundërshtosh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë