Vende dhe Udhetime

Tiranë-Përmet-Tepelenë, një biletë vetëm vajtjeje, të lutem!!!

Sabina Veizaj - “Dashuria për natyrën dhe kuzhinën tradicionale janë pasioni ynë”!

Ky postulat lundron bindshëm në buzëqeshjen e tyre të ngrohtë dhe është vulosur kudo mbi shtëpitë e freskëta prej guri, të cilat prej gati dy vitesh ftojnë qindra turistë nga e gjithë bota.

E kush e mendonte që një fshat i harruar matanë Tepelenës ku nuk shkelte asnjë makinë, të kthehej në një atraksion turistik për të huajt dhe vendasit! Ata janë një çift shumë simpatik, i dashur dhe bujar.

Dallandyshe dhe Pertit Merjo janë nga Nivica, por deri dy vite më parë ishin shpërngulur në qytetin e Vlorës, ku edhe punonin.

Me Dallandyshen dhe Petritin

Pasi mësuan për vëmendjen e kthyer ndaj Tepelenës dhe Nivicës në aspektin e turizmit, ata vendosën të ktheheshin.

Dallandyshja dhe Petriti kanë investuar në dy shtëpitë të cilat i kanë kthyer në guest house gati 200 mijë lekë për t'i riparuar dhe riarreduar. Gjithçka është e traditës që nga minderët, rrugicat, gjysmaperdet e grira, etj. “Për këtë vijnë të huajt; traditë, natyrë kuzhinë”, do të më thotë më vonë gjatë bisedës Dallandyshja.
Ajo u shkëput nga kuzhina për të na pritur. Po gatuante sëbashku me të ëmën arapash me të brendshme për mysafirët turistë që kishin ardhur nga Anglia.

Ne ishim 11 vetë, por thjesht për një vizitë. Kishim ardhur me "Eco Albania" për të vizituar Lumin Vjosë dhe zonat e prekura nga planifikimi i ndërtimit të hidrocentraleve dhe të kuptonim potencialet e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në këto zona.

Nivica qe një mrekulli. Këtë e dëshmonte lëvizja e rregullt në fshat.

“Dy vjet më parë nuk kishte këmbë njeriu ta vizitonte. Tani vijnë shumë turistë. Këtë vit kanë nisur të vijnë më herët. Vendasit po kthehen dhe po investojnë për t'i kthyer shtëpitë në bujtina”, më thotë këshilltari për mediet në bashkinë e Tepelenës, Aleksandër Toti, i cili na u bashkua të na shoqëronte që tek Banjat e Bënjës, një tjetër atraksion turistik shumë i kërkuar prej të huajve.

Për të shkuar në Nivicë nga Tepelena janë ende 7 kilometra rrugë të paasfaltuara, por që duan të të kujtojnë në syrin e atyre që e njohin zonën e mbi të gjitha e atyre që kanë jetuar aty, ndryshimin që është bërë. 25 km në juglindje të Tepelenës, rruga hyn në Bënçë dhe të mban mbërthyer tek kanioni me një thellësi mbi 1000 m deri në Progonat.

Rruga nga Progonati në Nivicë është mahnitëse. Kanionet e Skraparit që janë aq të populluara për shkak të rafting-ut në lum, ngjajnë si shkallë shtëpish përpara humnerave dhe në sytë e atyre që nuk janë mësuar, ngjallin pak frikë. Burimet e ujit të pastër mbajnë gjallë pjesën e poshtme të kanioneve.
Aleksandri më thotë se në katër vite për Tepelenën janë investuar 10 mln euro. Është bërë qendra e Tepelenës, pedonalja, është pastruar kalaja tërësisht e cila tërheq shumë turistë, qendra dhe sinjalistika në Nivicë. Tepelena ka dy fshatra në projektin 100 fshatrat.

Sipas të dhënave nga hotelet dhe bujtinat, si dhe nga statistikat që ka menaxhuar Bashkia e Tepelenës me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, në Tepelenë kanë hyrë për vitin 2018-të rreth 8 mijë turistë.

Në 2015-ën janë numëruar nga rreth 250 vizitorë, në 2016-n kanë qenë 250-1000 vizitorë, kurse në 2017-n nga 1000-2500 vizitorë. Të dhënat për 2018-n tregojnë se 2000 vizitorë kanë fjetur të paktën një natë.

Pasi shëtisim pak Nivicën, shohim kanionin, ujëvarën për së largu, rikthehemi për të bujtur për një copë herë tek Dallandyshja dhe Petriti.
Teksa Petriti na sjell rakinë e bërë vetë nga rrushi i vreshtave të veta, na pyet nëse duam çaj. Dhe kur i kërkojmë të dimë se me se është çaji, thotë “nuk ka vend për zgjedhje, është me pesë përbërës” dhe qesh, ndërsa nuk ka vend të pyesësh sërish nëse është bio.
Dallandyshja na sjell në tavolinë byrekun me hithra, specialitet i kuzhinës tradicionale.

Ne u turrëm kush të merrte më parë dhe më shumë. Ishte vërtet të lëpije gishtat, por Dallandyshja na tha që kjo nuk është asgjë në krahasim me çfarë ofron zona dhe çfarë ajo gatuan.

Dallandyshja dhe Petriti kanë dy fëmijë. Djali punon në Vlorë, por ka vendosur që këtë verë të punojë me prindërit dhe të kuptojë nëse ia vlen të kthehet edhe ai në shtëpinë e fëmijërisë. Kurse e bija, inxhiniere elektronike punon në Tiranë. Ajo është truri i gjithë aktivitetit të prindërve.

“Shtëpia mbi kanion”, (“House on Canyon”), është kthyer tashmë në një brand. Të gjitha prodhimet bio të çiftit janë të branduara. Dallandyshja më thotë se pagesa për të bujtur një natë tek ajo është 25 euro personi fjetja me dy vakte. Ata thonë se fshati është rigjallëruar. Aktualisht punojnë dy bujtina. Dhe njerëzit po rikthehen për të zhvilluar turizmin e fshatit.
Teksa ne po shëtisnim, vumë re turistë që ktheheshin nga Tepelena ku kishin psonisur dhe zbraznin makinën.

Natyra në Nivicë është kryesisht ajo që tërheq turistët. Pastaj Llufa, pas një shëtitje prej afro 2 orësh e gjysmë, ku mund të shohësh pamjen e mrekullueshme në anën tjetër të maleve të Vlorës (Bolena, Vërmiku). Livadhet "alpine" të lulëzuara nga lulet, shkëmbinjtë dhe liqenet ku mund të shëtisësh, të bësh hicking apo thjesht të ulesh e të qetësohesh duke ëndërruar me syhapur.

Takimi me kafshët është një mrekulli tjetër. Ato janë shumë të dashura dhe miqësore.
Kalaja 2400-vjeçare e Nivicës është një tjetër atraksion turistik. Ajo ndodhet vetëm 200 m nga bujtina. Vetë “Bujtina mbi Kanion” është e pozicionuar fare pranë qendrës së Nivicës.

Një tjetër destinacion ecjeje është vendi i adhurimit i quajtur "Stog". Në maj-qershor vendasit këshillojnë të shihet ky vend që ata e quajnë të mirë ku mund të ndizen qirinj.

Zona është e njohur gjithashtu edhe për bletët. Është e mundur që turistët të takojnë bletarët dhe t'i shoqërojnë ata gjatë kohës së nxjerrjes së mjaltit.
Për alpinistët, për ata që bëjnë hicking në mal, mali Këndrevica me lartësi 2122 m, është një atraksion turistik i klasit të parë, por edhe një sfidë njëkohësisht.
Dallandyshja më thotë se “Bujtina mbi Kanion” ofron për turistët që dëshirojnë, udhëzues lokalë.

Vetëm pak hapa larg prej bujtinës, mund të dëgjohen ujëvarat që rrjedhin nga thellësitë e kanioneve. Gjithashtu mund të shihet “zogu egjiptian", i cili qëndron besnik në strehën e tij të fundit në Europë.

“Kuzhinën tradicionale të huajt e adhurojnë”, më thotë Dallandyshja, teksa më fton që të vij të qëndrojë më gjatë se për një vizitë.
Buka e bërë vetë, perimet dhe erëzat e shtëpisë të bëra në kopësht, djathi tipik i fshatit "Rexhin", petaniku klasik i pjekur në saç si 2000 vite më parë. E gjithashtu rakia dhe vera të bërë vetë nga vreshtat e bujtinës.

Mishi qe po e piqte ne hell djali i Dallndyshes dhe Petritit

Në verandën e shtëpisë, Petriti më tregon një djalë të shtrirë në minder dhe më thotë “këtu i vëmë të flenë turistët” dhe qesh. Më pas zbuloj se ai qe dhëndri, i fejuari i vajzës nga Tropoja, për të cilin Petriti vazhdoi mandej batutën duke më thënë, “po shijon edhe tropojani natyrën tonë”.

Sa dëshironim të qëndronim, por muzgu kishte rënë si pa u ndjerë dhe rruga natën nuk është e rekomandueshme, për shkak se ato 7 km nuk janë asfaltuar ende dhe terreni është disi i vështirë.

Por udhëtimin tonë nga Tirana një ditë më parë e kishim ndalur në Përmet, për të darkuar dhe kaluar natën.

Darka ishte krejt tradicionale; me mishra, sallatë radhiqe, supë me hithra, etj dhe qershia mbi tortë; salcë në çakull. Kjo e fundit është një “must” siç thonë anglezët. “Duhet provuar një herë në jetë”, jo për fanatizëm të traditës, por për shijen që me të vërtetë ka.

Të jesh në Përmet nuk mund të humbësh as Rafting në Vjosë dhe as Banjat termale të Bënjës ose Llixhat e Bënjës.

Rafting në Lumin Vjosa, i cili është një prej lumenjve të fundit të paprekur të Europës, ose "Zemra Blu e Europës", është një eksperiencë që nuk mund të harrohet lehtë. Lundrimi zgjat nga dy orë e gjysmë në tre orë e gjysmë.

Nuk është e nevojshme eksperienca e mëparshme në rafting dhe çdo njeri në gjendje të mirë shëndetësore mund të marrë pjesë, përfshirë fëmijët mbi 7 vjeç të shoqëruar nga të rriturit.

Guidat profesionale të certifikuara nga Federata Shqiptare e Rafting ju instruktojnë përpara zbritjes në lumë.

Periudha në të cilën mund të bëhet rafting është mars-nëntori. Çdo person që do të bëjë rafting duhet të veshë: Rroba banjo, sandale apo atlete, veshje sportive. Këshillohet marrja e peshqirit me vete, rroba për t'u ndërruar pasi gjatë udhëtimit me gomone mund të lageni.

Agjencia që ofron shëtitjet do t’ju pajisë me veshje të posaçshme, por nuk është e detyrueshme. Të detyruesheme janë vetëm jeleku dhe skafandra. Nëse do të niseni enkas për rafting, paketa njëditore përfshin: Rafting, drekën e paketuar me vete (sandwich, fruta, ujë), transporti Përmet-pika e nisjes së lundrimit-Përmet. Çmimi - 45 €/person.

Paketa 2 ditore përfshin: Rafting, drekën e paketuar me vete (sandwich, fruta, ujë), transporti Përmet-pika e nisjes së lundrimit-Përmet, akomodim në hotel, eksplorimi i kanioneve të Langaricës dhe banjove termale të Bënjës, darka tradicionale, mëngjesi. Çmimi 75 €/person. Për fëmijët deri në 12 vjeç - 50% zbritje.
Eksperienca rafting është e papërsëritshme. Ne udhëtuam me Eraldo Sakollarin të "Outdoor Albania". Ai banon në Përmet dhe është student në Gjirokastër për Gjeografi. Ai mendon se ka lindur për këtë punë. Eraldo e do aventurën dhe guidën rafting e ka nisur që 17 vjeç.

Eraldo Sakollari

Përpara nisjes, Eraldo na mësoi komandat, të cilat do t'i ekzekutonim kur të hynim në lum.

Peizazhi, atmosfera, energjia e grupit e bëri udhëtimin të paharrueshëm.

Banjat e Bënjës ndodhen 14 km larg qytetit të Përmetit, në komunën Petran. Ato janë 6 burime në rrëzë të shkëmbinjve masive, në të dy anët e lumit Langaricë. Rruga për të shkuar në këto monumente natyrore është nëpërmjet itineraret automobilistik Përmet-Petran-Bënjë. Ujërat me baze sulfurore kanë efekte të larta kuruese, nga të cilat 4 burime përdoren për sëmundje kronike të reumatizmës, stomakut, lëkurës, etj.

Ujërat termale të Bënjës kanë një temperaturë prej 26-32 ºC. Pamja është e mrekullueshme sapo hyn në zonë. Aty të presin banorë të zonës, të cilët shesin produkte bio; mjalt, çajëra të ndryshëm, raki.

Edhe pse mesprill, Banjat e Bënjës ishin mbushur me turistë e vizitorë. Një çift i huaj kishte parkuar rulotën atypari dhe po bënin banjo dielli. Disa autobuzë kishin mbërritur nga qytete të tjera të vendit dhe Kosova.

Në Banjat e Bënjës këshillohet të lahesh vetëm 20 min për shkak të sasisë së sulfurit që bart uji.

Pas Banjave, rrugës ne u ndalëm tek Hani i Colit. I zoti i Hanit është një zotëri në mesmoshë që quhet Apostol. Pak i vrazhdë, por i butë, Apostoli megjithëse paqejf vazhdon të punojë me kënaqësi që prej vitit 1992.

Nga një kasolle me blloqe çimentoje, Apostoli sot ka një biznes që vlen 300 mijë euro.
“Donim të shkëputeshim nga punët e shtetit unë dhe ime shoqe. Punova dy vite në Greqi me makinë, pak kohë si kambist dhe vendosa të mwrrja kasollen që shërbente si zyrë e fermës për 4 mln lekë të vjetra. E doja këtu se mendova që ishin afër ujërat termale dhe do të kishte lëvizje. Në fillim ishin vetëm përmetarët që ua dinin vlerën dhe pak nga qytetet e tjera, ata që kishin nevojë për t'u kuruar”, më thotë Apostoli.

Më 1995 erdhën turistët e parë të huaj. Tek kujton fermën e asaj kohe, më tregon se kishte plot perime dhe fruta. Zona njihej për domaten e dytë të vjeshtës, specat e vjeshtës.
“Rrushin nuk e ksihte qejf vendi. Kumbullat, fiku bëheshin shumë. Edhe qershia, por qershinë nuk e donte vendi se ka lagështirë. Dhe ajo bëhet shpejt e konsumohet shpejt”, më tregon Apostoli duke hedhur sytë në të kaluarën e gati tre dekadave më parë.

Merpomeni, e shoqja, ndërkaq shërben në tavolinat që janë mbushur nga turistët dhe vizitorët.

Në stinën e verës në Hanin e Colit janë katër vetë që punojnë. Apostoli, e shoqja, një grua tjetër që është e përhershme dhe një që punon vetëm në sezon. Prej disa vitesh Apostoli e ka zgjeruar biznesin duke ofruar edhe hotelerinë. Ai ka një hotel dy katësh me 9 dhoma, me një çmim 1500 lekë nata me mëngjes.
Ai e do shumë zonën. Vetë jeton në Përmet dhe ia di vlerat e bukurinë natyrës.
"Njerëzit vijnë për natyrën. Por ka ndryshuar shumë. Langarica ka pasur shumë ujë, shumë e bukur. Që nga ura poshtë deri tek banjat, njerëzit më parë bënin banjo dielli, ndanin zonat dhe laheshin në lum. Tani është tharë Langarica për shkak të ndërhyrjeve për hidrocentrale. Ka 10 vjet që janë pakësuar ujërat e lumit”, thotë ai.
Apostoli kujton se në fillimet e veta ka pasur shumë punë pasi kanë qenë të vetmit. Por konkurrenca nuk e shqetëson. “Konkurrenca është me moshë. Nuk më shqetëson fare. Unë kam punuar shumë dhe do të punoj sa të më bëjnë duart”, thotë ai. Apostoli megjithëse është operuar nga zemra dhe shëndeti nuk i ka ecur mirë, e do punën dhe e bën me qejf. Ai në Han merret kryesisht me zgarën.

Pasi lëmë Hanin e Colit, nisemi për Tepelenë.

Tepelena në njohjen e shqiptarëve vjen si vendi i legjendave, luftës, fustanellës, labçes arbërore, burrave me hap të rëndë e hije mali. 200 vite më parë, udhëtari dhe shkrimtari Lord Bajron, do t'i rrëfente përmes poezive të tij në prozë gjithë botës mikpritjen e një bujtësi shtëpie si Ali Pashë Tepelena.

Por çuditërisht pas 200 vitesh ne gjejmë një Lord Bajron në mes të Tepelenës. Që njihet po për mikpritjen, gatimin tradicional dhe Aleksin, qenin e urtë e fisnik, mjaft të edukuar që nuk e kalon kurrë pragun e restorantit. Ai është prej Kosovës, por lindur në Kavajë, ajo është tepelenase.

Të lodhur nga smogu i Tiranës në të gjitha kuptimet, ata kanë ardhur në tokën e saj për të zhvilluar zonën. Ne bujtëm tek Xhino për darkë. Ai punonte sëbashku me të shoqen dhe djalin e dytë. Kuzhina është një ndërthurje mes traditës tepelenase dhe asaj të Toskanës në Itali.

Për ta Tepelena është rezidenca e tyre e fundit. Qëndruam pas mesnate dhe pimë një copë herë e biseduam me Xhinon. Ai më tha se ka shëtitur botën, por nuk do të jetojë në asnjë vend, sepse e do shumë Shqipërinë dhe ka shpresë se ajo do të bëhet.

“Ne jemi të vetëdijshëm se njeriu i vetëm nuk mund të ndryshojë botën, por ama oborrin e shtëpisë çdokush mund ta ndryshojë”, thotë Xhino.
Dukagjini (Xhino) dhe Anila, po bëjnë gati dy vjet që ofrojnë për ata që bujtin në Tepelenë, vendas dhe të huaj ushqim cilësor bio, gatim profesional dhe natyrë rreth e rrotull restorantit me një kopësht magjepës. Mund ta quash një manastir natyror, i cili gjendet i rrethuar mes lumenjve të kristaltë të ujrave të Vjosës e Bënçës. Aty mund të gjesh, një hapësirë me pemë ulliri, lule e të shohësh Malin Golik, 1800 metra të lartë mbi Vjosë.

Ne u kthyem edhe për mëngjes tek Xhino dhe u kënaqëm akoma më shumë. Kafja në manastirin natyror të Lord Bajronit ishte një mrekulli. Në kopësht vëreje disa tulipanë të kuq dhe po të pyesje Xhinon do të rrëfente se farën ia kishin sjellë një çift turistësh hollandezë duke i thënë se vitin e ardhshëm kur të vinin sërish, do të donin t'i shihnin tulipanët në kopësht.

Xhino është i bindur për zhvillimin e zonës. "Turistët e huaj e duan shumë", thotë. Madje shumë syresh i kanë thënë se kohën e pleqërisë do të vijnë ta kalojnë aty.
Pas mëngjesit ne na priste një ditë e lodhshme, mes vapës, punës dhe vizitave të tjera në fshatrat e zonës…

Por udhëtimi qe i paharrueshëm… Shqipëria është shumë e bukur, përpos patriotizmit, për ata që e kanë…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë