Njerez

‘The Sun’ viziton familjen në Rrasek të Shkodrës: Falë djalit në Angli ne ndërtuam shtëpinë e ëndrrave

Nga Robin Perrie* - Shtëpia mbresëlënëse e një çifti në Shqipëri u ndërtua duke përdorur para të dërguara nga djali i tyre, i cili hyri ilegalisht në Britani.

Por Sait Shabaj dhe gruaja Xheride thonë se ajo është e papërfunduar pasi edhe ndërtuesi tani është larguar nga vendi për një punë më të paguar në Angli.

Me oborrin plot me portokallë dhe pamje mahnitëse mbi një luginë lumi, vila rozë është padyshim më madhështorja në fshatin Rrasek në Shkodër.

Saiti, 70 vjeç e 53-vjeçarja Xheride shpresonin se djemtë e tyre, të cilët të gjithë punojnë jashtë vendit do të ktheheshin në shtëpi sapo të ndërtohej ajo.

Sait Shabaj dhe e shoqja Xheride kanë tre djem që sjellin paratë në Shqipëri, çka u ka mundësuar të ngrenë shtëpinë e tyre

Por të tre e kanë bërë të qartë se nuk kanë ndërmend të kthehen kurrë.

Më i riu i tyre, Nimeti, 30 vjeç, mbërriti në Britani në pjesën e pasme të një kamioni dhe tani jeton në Londër.

Ndërkohë, prindërit e tij jetojnë në një nga zonat e thella të Shqipërisë.

Rrasek dikur kishte një popullsi prej 500 banorësh, por tani ka rënë në rreth 100.

“Është një problem i madh sepse tani këtu ka vetëm të moshuar. Të gjithë të rinjtë kanë shkuar për punë jashtë shtetit ndërsa vajzat janë larguar drejt qyteteve si Shkodra apo Tirana. Nuk kam arritur dot të gjej një person që të më rregullojë murin dhe të përfundoj së ndërtuari shtëpinë”, thotë Saiti, dikur elektricist.

Teksa qëron portokallet e mbledhura nga oborri i tij, ai pranon se kishte vetëm një mënyrë për të mbledhur 100,000 paund që duheshin për të ndërtuar shtëpinë e tij madhështore.

“Anglia është vendi më i mirë në këtë tokë. Është kampion i destinacioneve. Gjithmonë është konsideruar si vendi më i mirë për të shkuar. Në çdo vend tjetër në Europë, pagat janë më të ulëta se në Angli. Në Shqipëri mund të fitosh 30 paund në ditë. Në Angli fiton 150 paund në ditë”, thotë Saiti i cili shton se ia vlen të harxhon diku tek 20.000 paund për të shkuar në Angli pasi Shqipëria është e falimentuar.

“Gjithçka është shkatërruar në këtë vend, kështu që të rinjtë i marrin paratë hua dhe e dinë se për katër apo pesë vjet do t'i kenë paguar ato”.

Djali i tyre Nimeti (në mes), tani jeton në Londër ku punon në ndërtim

Djali i Saitit ndoqi atë rrugë të paligjshme shtatë vjet më parë. Më vonë ai u martua me një grua në Angli, duke i dhënë të drejtën për të jetuar atje.

Ai punon në ndërtim dhe vazhdon të dërgojë para në shtëpi, ashtu si vëllezërit e tij më të mëdhenj që punojnë në Greqi dhe Itali.

Njëri prej tyre ka punuar më parë në Britaninë e Madhe dhe Sait ka dhjetë të afërm të tjerë që kanë punë atje.

Edhe bariu i dhive, Jetmir Hyseni, 50 vjeç, një nga të paktët që kanë mbetur në fshat, tha se nëse dikush do i ofronte mundësinë, do të shkonte menjëherë.

“Mund të fitoja 50 £ në ditë ose më shumë duke punuar në Angli. Këtu fitoj 2 £ në ditë”.

Dashamir Plangaj, 49 vjeç, është edhe më keq. Ai fiton 1 £ në ditë duke përdorur kalin e tij për të ndihmuar fqinjët të transportojnë sende ose të zhvendosin objekte të rënda.

Por ai dhe gruaja Lavdije, 51 vjeç, që të dy jetonin në një hambar guri të shkatërruar dhe tani banojnë në një shtëpi të ndërtuar për ta nga fqinjët, duke përdorur paratë e dërguara në shtëpi nga djemtë që punojnë në Angli.

Gazetari Robin Perrie (majtas) duke intervistuar Saitin

Ata shpresojnë që dy djemtë e tyre një ditë ta ndjekin shembullin e të rinjve të tjerë.

“Ata punojnë në pyje duke prerë dru, por ne do të donim që ata të transferoheshin në Angli. Gjithçka është më mirë në Angli”, thotë Lavdija.

Sait Shabaj thotë se përderisa Anglia ka nevojë për punëtorë, pse mos të shkojnë shqiptarët që punojnë shumë.

“Përpara se të kishim këtë shtëpi, jetonim në një ndërtesë guri me një dhomë gjumi. Nëse do të kisha pasur mundësinë kur isha më i ri të shkoja në Angli, do të kisha shkuar”, përfundon Saiti.

*Burimi: The Sun. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë