Mendim

Thashethemet vijnë e shkojnë… Flori mbetet

Flori Mumajesi fitues i "Këngës Magjike", dhjetor 2018

Nga Zefina Hasani-Ndërsa Flor Mumajesi po tundte mbi skenën e “Këngës Magjike”, fitoren e merituar për këngën më të bukur të këtij festivali, që të përthithte ta shijoje e këndoje që në tingullin e fjalën e parë, i vetmi mendim që me erdhi në të qind të sekondës ishte: sa i mençur që është! Ja doli të bëhet përsëri faktor. Fiks në kohën e gurgulesë së madhe, ngritur mbi mardhënien e tij me Elvanën, që e la për një tjetër, ai erdhi sfidues me atë që di të bëjë më mirë, e që i intereson më shumë: me muzikën e tij.
E bëri sallën të ngrihet në këmbë e të këndojë me të. I ndolli njerëzit ta donin edhe më shumë ndërsa bëri çunin e mirë, që ja dedikon dashurinë e tij të madhe nënës dhe publikut.

Ndërsa po e dëgjoja edhe njëherë të këndonte, mu kujtua se ç’nuk kam dëgjuar e lexuar për të, që prej kohëve kur ai nisi të hedhë shenjat e para në tregun muzikor, si pjesë e grupit “The dreams” e mandej edhe si kompozitori që do të bëhej shumë shpejt më i kërkuari prej të gjithëve.
Është shkruar kaq shumë për historitë hipotetike të dashurive të tij me vajza të ndryshme të showbiz-it, për të cilat mesa jam në dijeni (ndoshta gaboj) as ai e as ato s’janë prononcuar asnjëherë qartësisht bindshëm për mohim apo pohim.
Më shumë se shkruar o Zot sa shumë është përfolur nën zë, sigurisht në rrethin e artistëve, zërat e të cilëve mbërrijnë qëllimisht deri tek ne gazetarët, për të tjera detaje të jetës së tij personale e artistike- se përshembull Flori s’ka mbaruar as shkollën e mesme (se të lartën jo e jo), por shyqyr që Zoti i ka dhënë këtë talent e shkolla s’ka ç’i duhet fare; se ai “vjedh” motive ballkanike ose më përtej dhe i përpunon si këngë të tij; se në fakt në fakt baladat e tij, ato më të mirat nuk i ka kompozuar ai vetë por mjeshtri Gjebrea…
Kohë më pas, kur sigurisht kishte arritur në majat e suksesit të tij, kam dëgjuar të thoshin për të se kish filluar të bëhej arrogant, delirant, kokëfortë që bën vetëm çfarë i thotë truri… pra sjellje prej stari në piedestal.
S’kam ditur kurrë ç’të besoj në fakt sepse Florin e kam njohur nga afër dhe e kam pasur xhan, që në kohën e triumfeve të tij të para, që buronin nga studiot e Radio Energy, që aso kohe ishin në një kat me revistën “Klan”. Ishim fqinj ndaj mund ta takoja çdo ditë, për afro 3 vjet.
Ishte energjik, pasionant, me një batutë gati për të ndezur zhurmë e të qeshura për çdo rast. Punonte pafund, aq sa më dukej se kalonte aty gjithë ditët e netët e tij. Ishte në frymën e ritmin e atij vendi, që më shumë se radio ishte një studio, një ndërrmarje e tërë nga ku po fabrikoheshin yjet e rinj të muzikës (Julka, Besa Kokëdhima, Elvana Gjata, Orinda Huta etj). Flisnim gjatë e shpesh për trendet e reja që bashkë me Andi Gramon (Andy DJ) synonin të sillnin në treg, duke ja dalë gjithmonë të bënin bujë.

https://www.youtube.com/watch?v=qTULrBgM9WA


Pra ai e ka dashur dhe vazhdon ta dojë fort të renë, të ndryshmen, të veçantën. Ka goditur gjithmonë në shenjë, në kohën e duhur, në formën e duhur, me muzikë dhe jo vetëm. Me gjuhën dhe logjikën siç e kërkon bota e showbizit në fund të fundit, që i do dhe dashuriçkat.
Sa për zërat që nuk dalin në media por fliten nën zë, e që me siguri i kanë mbërritur në vesh prej kohësh dhe atij vetë, ma merr mendja se nuk i bëjnë hiç përshtypje.
Le ta përflasin sa të duan që mund të jetë me 8 klasë shkollë apo për plagjiaturën. S’i ka prishur e as ka për t’i prishur asnjë punë.
Gjithçka harrohet kur ai del në skenë. Flori e di mirë fuqinë që ka tashmë. E din që sapo hap gojën të këndojë, jua mbyll të tjerëve. I plas të tërë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë