Biznes

Tërmeti, edhe biznesi kërkon e sugjeron ndihmë

Sabina Veizaj - Të martën ndaj të gdhiri furrat e bukës në Durrës janë përballur me një të papritur të hidhur. Nuk kishin kujt t’i falnin bukën e prodhuar gjatë natës.

Arben Shkodra nga Bashkimi i Dhomës së Prodhueseve e analizon fenomenin e rënies së tërmetit në raport me ekonominë me tre faza. Faza e parë është ajo e paralizimit, thotë ai për gazetën “Si”. Për mesatarisht dy ditë njerëzit e prekur lënë punën, nuk shpenzojnë, por kjo situatë paralitike është tejet minore sipas tij në ciklin një vjeçar të ekonomisë.

Arben Shkodra, Dhoma e Prodhuesëve


Faza e dytë është java solidare post-tërmet, kur të gjithë njerëzit, bizneset shpenzojnë për bamirësi, për t’ju ardhur në ndihmë të prekurve nga fatkeqësia natyrore.

“Blihen ushqime, veshmbathje, pajisje. Përfiton ekonomia duke rikuperuar fazën e parë. Por kjo nuk zgjat shumë, sepse njerëzit në mënyrë organike tentojnë ti kthehen rutinës, përditshmërisë. Dhe konsumi i madh stopon sepse bie ndjeshmëria e njerëzve. ”- shpjegon Shkodra.

Në fazën e tretë sipas tij, aktorët kryesorë që kontribuojnë në situatën post tërmet janë donacionet e huaja dhe qeveria.

Por për Shkodrën, donacionet e huaja nuk ndikojnë në ekonomi sepse për ta ka lehtësira fiskale. E gjithçka që dhurohet është për kampin.

Alban Zusi nga Qendra Shqiptare e Eksporteve e shikon të zymtë tablon e ekonomisë post tërmet.

Ai parashikon ulje konsumi dhe investimesh.

Alban Zusi, Qendra Shqiptare e Eksporteve


“Në vend që biznesi të investonte për të qenë konkurrues në treg, tani do të investojë për të riparuar dëmet që të shkojë atje ku ishte. Rënie në treg ka që tani, sepse njerëzit nga frika u larguan e lanë gjithçka. E rënia parashikoj se do të vazhdojë.”- thotë për gazetën “Si” Alban Zusi.

Edhe pa ndodhur tërmeti perspektiva ekonomike nuk ishte e mirë për vitin e ardhshëm. Vetë qeveria kishte ngrirë investime e reja ndërkohë që rritja ekonomike sipas ndërkombëtare do të ishte me ulje. Tani me tërmetin biznesi është edhe më pak optimist. “Ra ky mort dhe u pamë” thotë Ardian Civi ekspert, por “çfarë pamë, kjo është çështja” duke theksuar se ka nevojë për një analizë profesionale të detajuar që “ky moment në dukje me kosto mund të edhe të rikthehet në një mekanizëm që mund t’i jap shtysë investimeve dhe konsumit.

“Do ketë shpenzime në vazhdimësi, por përllogaritja është e vështirë. Ajo që do të ndryshojë strukturën e ekonomisë është rindërtimi. Duhet riparë projektbuxheti i 2020-ës. Rritja e parashikuar, inflacioni, etj duhet të rialokohen për rindërtimin. Por ajo që mund ti japë nxitje ekonomisë është përdorimi i burimeve të brendshme. Çdo gjë duhet rindërtuar me Made in Albania”- sugjeron Shkodra.

Ndërsa Zusi e shikon zgjidhjen tek lehtësirat e mundshme fiskale që mund të ndërmarrë qeveria.

“E para të hiqet tatimi mbi të ardhurat personale për shtresën e mesme që të ketë potencial për rritjen e konsumit. Kurse për bizneset e dëmtuara, mbi bazën e vetdeklarimit për një periudhë të arsyeshme të përjashtohen nga taksat.”- shpjegon Zusi, sepse sipas tij duhet gjallëruar konsumi e duhet lehtësuar kostoja e investimit.

Biznesi i vogël , i cili thotë se është më i dëmtuari në të gjitha rrethanat e veçanërisht nga tërmeti e sheh më të errët situatën ekonomike në vend.

Albert Nasto nga Shoqata e Biznesit të Vogël thotë se tërmeti për këtë kategori ka nisur që me paketën fiskale e cila u hartua pa marrë fare parasysh sugjerimet e biznesit duke parashikuar dy-fishim të gjobave, sistem të ri fiskalizimi të papërballueshëm, etj.

Albert Nasto, Shoqata e Biznesit të Vogël

“Biznesi i vogël dhe i mesëm është dëmtuar më shumë nga tërmeti. 40 mijë biznese të tilla ka Tirana dhe 20 mijë Durrësi nga 108 mijë e gjithë Shqipëria. Pra 30 % e biznesit të vogël është prekur nga tërmeti. Katet e para të pallateve kanë qenë të gjithë biznese; furra buke, markete, dyqane, restorante, bare. Kanë pësuar dëme ose janë shkatërruar. Minimalisht 10 mijë euro dëm secili. Nuk është folur deri tani për dëmshpërblim dhe si do të procedohet. Biznesi ishte i pari që dha ndihmën për tërmetin dhe askush nuk mendoi për të. Bizneset aktualisht janë të mbyllura, por detyrimet vazhdojnë, si për qiranë, ashtu edhe taksat e tatimet”- thotë Albert Nasto për gazetën “Si” dhe tregon se biznesi është psikologjikisht i dëmtuar dhe pesimist për të ardhmen si nga tërmeti, situata politike, korrupsioni dhe klima në tërësi.

Nasto shprehet i shqetësuar se njerëzit po largohen dhe po bie fuqia blerëse, prandaj thotë ai, qeveria duhet të marrë masa serioze e ti kthejë sytë nga biznesi i mesëm dhe i vogël.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë