Pamjet apokaliptike të Durrësit natën, të braktisur nga të vetët, të terrorizuar, ditët e para pas tërmetit, duhet të na trembin edhe për të ardhmen.
Kur dhimbja të tërhiqet, kur paniku të shporret e mendja të urdhërojë zemrën, jeta do të rinis sërish me ritmin e saj të zakonshëm. Njerëzit do të duhet të punojnë, të ushqehen të pushojnë. Por Durrësi nuk është një qytet dosido në Shqipëri. Ai është një nga qendrat më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të vendit që përfaqëson rreth 10 për qind të prodhimit të përgjithshëm ekonomik të vendit, aq sa p.sh. ka kontribut në një vit ekonomia turistike e të gjithë vendit.
Pavarësisht luhatjeve, rritja ekonomike në Durrës ka trend rritës. Zona mbetet një nga kryeqendrat e turizmit kombëtar dhe pritësit e parë të pushuesve të rinj që po zbulojnë Shqipërinë.
Por çfarë ndodhi me tërmetin?
Megjithëse jo vetëm Durrësi, por edhe qytete të tjera të vendit nuk janë destinacione të turistëve të huaj në këtë periudhë të vitit, sërish edhe ata pak që duhet të vinin nuk kanë ardhur. Zak Topuzi i Shoqatës së Turizmit i tha Gazetës “Si” se “edhe aktivitetet që kanë të bëjnë me seminare, trajnime, pothuajse janë anuluar për dy javë. Tirana dhe Durrësi janë dy nga qendrat të mëdha turistike janë pothuajse të shokuar dhe janë ndërprerë gjithçka”.
Ndoshta ka shpresë që për festa e fundit vitit numri i turistëve në Durrës mund të rritet, por Besnik Vathi i “Tour Operator” thotë se ”është shumë herët për të diskutuar pasi nuk ka as anulime as rezervime”.
Kjo situatë ishte afërmendsh dhe të flasësh për pushimet në të tillë kohë është siç thotë një shprehje ironike popullore në kësi rastesh: qajeni ju burrin tim se unë do shkoj në dasmë. Por këtu nuk është çështja tek qejfi (pushimet), por tek ekonomia, pikërisht tek mirëqenia dhe nevoja bazike për të jetuar me më shumë dinjitet në të ardhmen.
Dy shqetësimet më të afërta janë si do të menaxhohet situata dhe e panjohura tjetër sesi është perceptuar rreziku. Sot zona e Durrësit e veçanërisht zona e plazhit me dendurinë më të madhe të hoteleve ku pati edhe dëme nga tërmeti përfaqëson rreth 11 për qind të turizmit të brendshëm në shkallë vend, po aq sa Korça dhe të dy qytet ndodhen në vend të dytë pas Tiranës. Numri i njësive akomoduese vetëm vitin e kaluar u rrit më 18 për qind në këtë zonë. Është njerëzore që në këto momente gjithkush të pyes se sa të sigurt janë gjithë hotelet apo ndërtime tjera ?! Vetëm në zonat e mbrojtura në Durrës ka pasur vitin e kaluar mbi 450 mijë vizitorë çka do të thotë që akomodime për qëllime të tjera turistike numri i turistëve i kalon milionat. Mesatarisht shpenzohen 63 euro për një ditë qëndrimi dhe nëse Durrësi dhe hoteleria në të perceptohen si të rrezikshme, atëherë humbja financiare dhe ekonomike është mëse e sigurt që i kalojnë humbjet materiale që shkaktoi ky tërmet. Por ndërkohë që në lojë është e ardhmja të paktën afatshkurtër ekonomike e vendit pasi vetëm të ardhurat nga akomodimi në rang vend zënë 8.5 miliardë lekë ku padyshim Durrësi , veçanërisht zona ku dy hotele në plazh pësuan kolaps nga tërmeti, zënë pjesën më të madhe.
Në terren që ditët e para pas tërmetit ka nisur verifikimi i ndërtimeve nëse mund të qëndrojnë apo të prishen. Megjithëse situata është emergjente,procesi dhe vendimet nuk duhet të jenë nën presion. Kërkohet shumë seriozitet dhe profesionalizëm të lartë. Ndërkohë ka nevojë për rregulla të reja që të kuptohet njëherë e mirë se nuk mund të luhet kaq rëndë me jetën dhe me të ardhmen e një vendi. Nuk duhet të ketë më vetëm përgjegjësi kolektive, shqiptarët nuk duhet të paguajnë më për babëzinë, vjedhjen, injorancën dhe korrupsionin që në çdo rast ka emra konkret. Dhe pasi imazhet e qyteti të rrënuar të zhduken dhe kjo gjë duhet të ndodh shpejt, agjencitë qeveritare duhet të përdorin të gjitha kanalet dhe mënyrat e komunikimit për të dhënë dhe promovuar garancitë shtetërore e ligjore se që pas kësaj tragjedie, Durrësi do të jetë më i sigurt. Në lojë nuk është vetëm e tashmja, por e ardhmja. Duhet shpëtuar e ardhmja e Durrësit që të shpëtojë edhe Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.