Financa Personale

Tatimet premtojnë lehtësira për biznesin e prekur nga tërmeti

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se ka marrë shumë ankesa nga bizneset të cilët tregojnë se janë të dëmtuar dhe kërkojnë lehtësira fiskale.

Në të njëjtën kohë, Tatimet sipas procedurave të zakonshme më datën 28 nëntor kanë njoftuar tatimpaguesit për të dorëzuar inventaret e biznesit sipas afateve që ua dikton ligji në fuqi.

“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kujton tatimpaguesit se duhet të depozitojnë pranë Drejtorive Tatimore Rajonale, inventarin analitik të datës 31.12.2019, bazuar në Ligjin nr.9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 60 “Detyrimi i tatimpaguesve për të dhënë informacion administratës tatimore”.- citon njoftimi i tatimeve.

Inventari duhet të përmbajë informacione në lidhje me lëndën e parë, produktet e gatshme, mallrat për rishitje, të detajuara në njësi, sasi çmim dhe vlerë.

Ky informacion, njoftojnë tatimet, duhet të ngarkohet elektronikisht në sistemin e tatimeve e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”, brenda datës 05.1.2020.

Tatimpaguesi mund të bëhet objekt i kontrollit në vend, për saktësinë e këtij inventari.
Administrata Tatimore nxit tatimpaguesit të përmbushin me korrektesë këtë detyrim ligjor brenda afateve e të shmangin penalitetet.

Tatimet shpjegojnë për gazetën “Si” se njoftimi është bërë në përmbushje të ligjit, pa marrë parasysh situatën post tërmet dhe bizneset e prekura.

“Jemi në dijeni të dëmeve që kanë pësuar bizneset nga fatkeqësia natyrore, e kuptojmë nga ana njerëzore. Ankesat që kemi pasur ia kemi përcjellë Ministrisë së Financave që është institucioni politikbërës dhe vendimmarrës. Sigurisht që do merren masa për kategorinë e prekur, por deri tani nuk ka një vendim të tillë. Do ta bëjmë me dije vendimin menjëhërë. Besojmë se të paktën do të ketë një shtyrje të afatit për këto biznese”- shpjegojnë tatimet për gazetën “Si”.

Deri më tani nuk një vlerësim të saktë të kostove, por vetë bizneset janë duke bërë inventarin e dëmeve që u janë shkaktuar.

Sipas Zyrës Operacionale për menaxhimin e fatkeqësive vetëm në Tiranë janë 146 biznese të dëmtuara, ndërsa për Durrësin, nuk ka ende informacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë