Vende dhe Udhetime

Teraanga, fjala që përfaqëson Senegalin

Nga Colette Coleman - Ndërsa prisja të merrja avionin për në Dakar nga Nju Jorku, një grua e mbështjellë me pëlhurë shumëngjyrëshe më pyeti nëse mund të përdorte telefonin tim. Unë hezitova pasi nuk e dija se çfarë mund të bëja dhe për mua ishte e çuditshme që një person të bëjë një kërkesë ndaj dikujt që as nuk e njeh. Ndërkohë që unë nuk e kisha vendosur akoma, një grua tjetër, e veshur njësoj si e para i zgjati telefonin pa e menduar dy herë.

Histori të ngjashme më shoqëruan gjatë gjithë udhëtimit tim në Senegal dhe shumë shpejt kuptova se ato nuk ishin kërkesa të guximshme nga të huajt. Ata ishin hyrja ime në ‘teraanga’.

Senegali është i njohur si "Toka e Teraanga". Shpesh, njerëzit e përcaktojnë fjalën ‘teraanga’ si kuptimi i mikpritjes por “kjo është vetëm maja e ajsbergut” thotë Pierre Thiam, kuzhinier Senegalez dhe dhe bashkëthemeluesi i restorantit “Teranga” në Nju Jork.

“Është diçka shumë më komplekse se kaq. Është një mënyrë jetese.” tha ai.

Gjatë verës punova vullnetarisht në një shkollë në Yoff, një komunitet prej 90.000 personash në veri të qendrës së qytetit Dakar. Aty teraanga më ndihmoi të mësoja dhe të përqafoja kulturën senegaleze. Më ftoi një familje vendase për të qëndruar me to gjatë gjithë qëndrimit tim atje dhe çdo ditë merrja ftesa nga komshinjtë e tyre për të vizituar shtëpitë e tyre dhe për të pirë çaj. Ndërsa vazhdoja misionin tim, kuptova sa ndryshon ai vend nga të tjerët.

Bujaria, ngrohtësia dhe familjariteti, përbërësit kryesorë të teraanga, zunë vendin e tyre në zemrën time.

Gjatë drekës në punë, unë bashkë me 6 kolegët e mi uleshim rreth një tavoline dhe hanim në një pjatë të madhe, të gjithë bashkë.

Kur bënim shëtitje në plazh, fëmijët që mëzi më njihnin hidheshin në krahët e mi për t’ju shpëtuar valëve të detit që nuk ishin aq të trembeshin. Unë u habita nga kjo derisa mu kujtua se ato janë rritur me idenë se të gjithë pjesëtarët e komunitetit dhe ato që pranohen në atë komunitet janë gjtihmonë të gatshëm për të ndihmuar njëri-tjetrin.

Katër vjeçarët shkonin në shtëpi vetëm, nga qendra ku unë punoja dhe askush nuk shqetësohej për to. Shpesh kam parë të rritur duke këshilluar fëmijët e lagjes apo një fëmijë në rrugë njësoj sikur të ishin prindërit e tyre dhe kjo ishte diçka shumë normale.

Sipas Ibra Sene, një historian Senegalez që jep mësim në “The College of Wooster” në Ohajo, kjo është pjesë e teraanga, ku, “ju jeni të gatshëm t'i shikoni njerëzit dhe t'i këshilloni ata si anëtarë të familjes tuaj"

Pavarësisht se teraanga është e kudogjendur sot në Senegal, origjina e saj mbetet mister por historianët bien dakord se ajo ka qenë një pjesë e kulturës së rajonit për shekuj, ekzistuese shumë më para 300 viteve të sundimit kolonial Hollandez, Britanik dhe Francez që zgjati nga 1659 deri në 1960.

"Kjo nevojë e ndërveprimit, shkëmbimit dhe komunikimit me njëri-tjetrin mund të gjurmohet që nga koha e perandorive të mëdha të Afrikës Perëndimore", tha Sene, duke iu referuar Perandorive të mëdha të Mali, Gana dhe Songhai që dikur lulëzonin në rajon. Sene shpjegoi se për më shumë se 1000 vjet ky rajon e bazoi ekonominë e saj në tregti dhe se shkëmbimi i mallrave dhe ideve mbi të cilat u ndërtuan këto perandori lulëzoi për shkak të kësaj fryme bujarie dhe komunikimi.

"Edhe nëse nuk quhej teraanga, ju mund ta shihni kuptimin e saj në forma të ndryshme gjatë gjithë historisë së Afrikës Perëndimore." tha Sene.

Sene tha se termi teraanga e ka origjinën në qytetin veri-perëndimor të Senegalit që quhet Saint-Louis. Megjithatë kjo nuk është e vërtetuar dhe mbetet vetëm një ide.

Saint-Louis është një vend i Trashëgimisë Botërore të Unesco-s dhe ishte qyteti kryesor në kolonizimin Francez të Afrikës Perëndimore. Ishte vendi ku ata ndërtuan vendbanimin e parë në rajon në 1659 dhe vendosën kryeqytetin.

Por Sene shpjegon se ndërsa Saint-Louis shërbeu si "themeli i parë i shtyllës së shpërthimit të kolonisë franceze në Afrikën Perëndimore", njëkohësisht, "qyteti gradualisht u bë një vend i një rezistence delikate, por shumëplanëshe kundër kolonializmit”. Komuniteti Afrikan në qytet, me guxim jetoj sipas mënyrës së tyre edhe pse në koloni.

“Me kalimin e kohës, njerëzit e Saint-Louis krijuan një reputacion të madh dhe u bënë të njohur për sjelljen, kuzhinën dhe mikpritjen.” tha Sene.

Pavarësisht nëse teraanga filloi ose jo në Saint-Louis, ajo mbetet veçanërisht e fortë atje sot. Astou Fall Gueye, një pedagoge në Universitetin e Wisconsin, shpjegoi se Saint-Louis "përfaqëson mishërimin" e kësaj vlere.

"Sa herë që mendoni për teraanga në Senegal, ju gjithashtu mendoni për Saint-Louis.” tha ajo. Kjo është shumë e rëndësishme në kulturën e atij qyteti. Njerëzit nga ai qytet mburren me faktin se janë ata që dinë më mirë të praktikojnë teraangan.

Kur Senegal u bë i pavarur në 1960, fjala "teraanga" u përdor si një mënyrë për të formuar identitetin e vendit që po lindte. Bërja e teraanga-s më e dukshme përmes përpjekjeve si emërtimi i ekipit kombëtar të futbollit "Luanët e Teranga" ndihmoi kombin të mblidhej rreth virtytit dhe ta paraqiste atë si një vlerë të veçantë Senegaleze në botë. Sot, një larmi biznesesh mbajnë emrin "teraanga" dhe vizitorët e shohin dhe e ndiejnë këtë koncept në të gjithë vendin.

Teraanga është veçanërisht e dukshme në kulturën ushqimore të Senegalit. Marie Correa Fernandes, një pedagoge në Universitetin e Kansas, shpjegoi se si mikpritja “piqet në çdo vakt”.

“Në shumë familje, kur gatuajnë, ata mbajnë në mend se dikush mund të vijë, mund të jetë dikush që ju e dini, ose mund të mos e dini." tha ajo.

Për t'u përgatitur dhe për të përshëndetur edhe vizitorët e  “paplanifikuar” me teraanga, shpesh ka një pjatë shtesë të gatshme "për çdo rast".

Ato gjithashtu ruajnë gjithmonë pjesën më të mirë të ushqimit për mysafirët pasi teraanga tregon edhe “sa më shumë jepni, aq më shumë merrni.”

Roli i ushqimit në teraanga nuk përfundon me vaktet. Ai gjithashtu unifikon anëtarët e feve të ndryshme. Senegal është një komb me shumicë myslimane dhe për pashkë, ka një ushqim që të krishterët e pregatisin për t’jua dërguar myslimanëve dhe e njëjta gjë ndodh dhe anasjelltas.

"Ne i festojmë të dyja fetë pasi teraanga na ka mësuar të kemi tolerancë mes njëri-tjetrit.”

Senegal përbëhet nga disa grupe etnike dhe në ndryshim nga fqinjët e saj, të cilët kanë luftuar për shkak të këtyre grupeve, Senegali është një nga “vendet më të qëndrueshme të Afrikës” dhe sipas Sene, teraanga ka ndihmuar në unifikim.

Correa Fernandes thotë se një nga aspektet më të rëndësishme të teraanga është përshëndetja.

“Përshëndetjet janë shumë të rëndësishme. Është shumë e pasjellshme që thjesht të hysh dhe të fillosh të flasësh pa u përshëndetur me tjetrin.” tha Correa Fernandes.

Kjo frymë e mban jetën harmonike.

Është një shprehje që thotë se fqinjët tuaj janë familja juaj dhe nëse ndodh ndonjë gjë, të parit që do ju ndihmojnë janë fqinjët tuaj.

Festimet janë gjithashtu gjithëpërfshirëse. Nëse ke një festë, nuk mund ti thuash njeriu “mund të vini” apo ta ftoni të vijë. Nëse bën një festë, janë të gjithë të ftuar.

Kur Correa Fernandes u martua në fshatin e saj, nuk kishte asnjë ftesë. Prindërit e saj i’u thanë fqinjëve se kur dhe ku do të bëhej dasma dhe "atë ditë, të gjithë u paraqitën".

Të gjitha këto vlejnë dhe për të huajt që vendasit i pranojnë në mesin e tyre.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë