Vende dhe Udhetime

Tempujt e fshehur të Japonisë

Në vitin 816, një murg me emrin Kukai u end në shpatet e malit Koya-san në Wakayama të Japonisë me shpresën e gjetjes së një vendi të përshtatshëm për të ndërtuar një bazë për sektin e tij të sapo themeluar “Shingon”. Ai zgjodhi një luginë të thellë 800 metra të rrethuar nga tetë maja, të cilat u ngjajnë petaleve të një luleje me tetë peta. Tani, mbas një jete, vendi i çudirave është një vend i Trashëgimisë Botërore të Unesco-s dhe një nga destinacionet më të shenjta të Japonisë, një vend ku aroma e temjanit, murgjit dhe ajri krijojnë një përvojë shpirtërore si askund tjetër.

Sot, Koya-san është pjesë e rrugëve të shenjta të pelegrinazheve të njohura si Kumano Kodo. Pyjet, ujëvarat që përplasen dhe majat e mbushura me tempuj duket se janë pezulluar midis reve në vende të caktuara. Kjo hapësirë 307 km me gurë të mbuluar me myshk dhe shtigje prej dheu, që lidhin tre faltoret e mëdha të Kumanos me Koya-san, ka afërsisht 15 milion vizitorë në vit dhe pasqyron besimin e lashtë japonez të adhurimit të natyrës. Në besimin japonez, pyjet dhe shkëmbinjtë mund të banohen nga shpirtrat e perëndive dhe çdo element i natyrës konsiderohet hyjnor.

Nga 117 tempuj të shpërndarë në të gjithë Koya-san, rreth 50 prej tyre shërbejnë si bujtina ku mysafirët mund të kalojnë natën, të meditojnë dhe të komunikojnë me murgjit.

Historia se si Kukai erdhi në Koya-san bashkon faktin dhe fabulën. Para se të mbërrinte, ai kaloi dy vjet duke studiuar Budizmin Ezoterik në Kinë dhe legjenda thotë se ndërsa u përgatit të lundronte për në Japoni në vitin 806, ai hodhi në ajër një gurë të quajtur ‘sanko’ dhe tha: “Unë tashmë i kam trashëguar këto mësime, kështu që nëse ka një vend të mirë për t’i përhapur ato, të lutem shko më parë dhe më trego.”

Sanko dyshohet se fluturoi drejt Koya-san dhe 10 vjet më vonë ndërsa Kukai po ecte nëpër pyll, ai takoi një gjahtar dhe qentë e tij i treguan një sanko në një pemë pishe. Sot në një tempull janë të shkruar emrat e gjuetarit dhe qenve të tij në një pllakë ku shumë vizitorë shkruajnë lutjet e tyre aty.

Para se Kukai të fillonte ndërtimin e bazës se tij, ai duhej të merrte leje nga Oborri Imperial i Japonisë. U ndërtuan 1000 tempuj të vegjël dhe përfundimisht u bashkuan disa ku u bënë vetëm 117, aq sa janë dhe sot.

Këto tempuj ishin shumë të frekuentuar nga familja Perandorake, aristokratët dhe njerëzve të zakonshëm, shumë prej të cilëve shprehën dhe dëshirën për tu varrosur në ato tempuj.

Sot, nëse shikoni disa nga monumentet, ju mund të shihni se si kompanitë e mëdha si Nissan, Panasonic.

Gjithashtu është e pamundur mos të hasësh autobuzë turistikë, dyqane suveniresh dhe turma turistësh që e bëjnë Koya-san një destinacion turistik.

Edhe pse shumë prej 3000 banorëve kanë lidhje me sektin ‘Shingon’, qofshin ato murgj apo punonjës të tyre, Koya-san ka shumë tipare të një normaliteti.

Ka dyqane normale, shtëpi njësoj si kudo dhe restorante normalë. Aty ka një pakt interesant midis antikës dhe modernes.

Megjithëse disa pelegrinë ende ecin nëpër shtigjet për në Koya-san, shumica e adhuruesve dhe turistëve sot arrijnë me autobuzë, makinë ose tren që kulmon me një udhëtim teleferik pesë minutash nga baza e Koya-san 900m lart maleve në qytetin me të njëjtin emër.

Sidoqoftë, gratë nuk u lejoheshin të hynin në qytetin e Koya-san deri në 1872.

Një ndalesë tjetër është dhe Danjo Garan, një nga vendet e para të ndërtuara.

Sot, është një nga ndalesat kryesore të Koya-san për adhuruesit dhe turistët, edhe pse shumica e ndërtesave janë rindërtime relativisht moderne. Ndër pikat më interesante këtu është pisha në oborrin e një prej ndërtesave, ku thuhet se ishte ulur sankoja fluturuese e Kukai.

Sidoqoftë, pa dyshim gjëja më e mrekullueshme aty është Konpon Daito, një faltore 47 metra. Brenda, adhuruesit që e vizitojnë pastrojnë veten e tyre duke fërkuar një temjan të mykur, me karafil në duart e tyre dhe luten para një statuje prej bronzi të Dainichi Nyorai (objekti qendror i devotshmërisë në Budizmin Ezoterik). Statuja është e mbrojtur nga katër statuja roje dhe 16 kolona të pikturuara që së bashku formojnë një hartë tre-dimensionale metafizike të kozmosit. Sidoqoftë, siç shpjegoi Takimoto-san (një murgeshë në Konpon Daito), çdokush mund të hyjë.

"Nuk duhet të jesh fetar për të vizituar Koya-san, shumë vizitorë nuk janë. Çdokush mund të vijë të ndezë një qiri ose të djegë temjan, ”thotë ajo.

Disa qindra metra nga Danjo Garan qëndron Kongobuji, tempulli kryesor i rreth 3,600 tempujve Shingon në të gjithë vendin. Sipas standardeve të Koya-san, Kongobuji është ndërtuar në 1593 nga sundimtari i atëhershëm i Japonisë, Toyotomi Hideyoshi, për nder të nënës së tij të ndjerë. Por ndërsa Hideyoshi e donte nënën e tij, ai nuk ishte i dashur për të gjithë në familjen e tij dhe urdhëroi nipin e tij, Hidetsugu, të bënte vetëvrasje rituale. Ai e bëri me detyrim, në një dhomë në Kongobuji. Po aq goditës është Banryutei, kopshti më i madh i Japonisë, i cili përdor 140 shkëmbinj graniti në një bazë rëre të thërrmuar për të sugjeruar formën e një dragoi mashkull dhe femër që del nga reja për të mbrojtur tempullin.

Në skajin e kundërt të Koya-san drejt stacionit të teleferikut është Okunoin, një varrezë e gjerë pyjore përmes së cilës pelegrinët ndjekin një shteg prej 2 km për të arritur në pikën më të shenjtë të Koya-san: mauzoleun e Kukait, ku thuhet se ai do të ulet në meditim të përjetshëm.

Ndërsa ecni në Okunoin, mund të shikoni gati 200,000 gurë varresh dhe memoriale Budiste.

Vizitoni Okunoin ditën dhe hasni një numër të vogël pelegrinësh të ditëve moderne të veshur me të bardha, në krye me një kapelë konike prej kashte, si dhe grupe murgjish të veshur me mantel dhe turistë.

Gjatë natës, përvoja është krejtësisht e ndryshme. Një errësirë ​​kërcënuese mbledh rrugët e ndriçuara me fenerë, ku heshtja e frikshme herë pas here prishet nga kënga e insekteve ose zogjtë fluturues që vërshojnë nëpër pemë.

Kurdo dhe kudo që të shkelni në ato vende, do të jetë një ndër eksperiencat më të bukura.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë