Njerez

Të vdesësh pesë minuta para mesnate…

Annie Zwijnenberg nuk pati kurrfarë dyshimi. Neurologu i tha: “Më vjen keq, por nuk ka dyshim  se mund të jemi gabuar – është Alzheimer”, thotë Anneke Soute-Zwijnenberg, ndërsa përshkruan çastin, kur e ëma u diagnostikua. “Ndërsa ajo tha: Në rregull, atëherë e di se çfarë dua.”  I vëllai i Anneke-s, shton: “Ndoshta ngurroi për pesë sekonda dhe pastaj tha: Tani e di ç’duhet të bëj.” Ata të dy e dinin se ajo po i referohej eutanazisë. Mund të thuash se historia e Annie-t është një rast për tekste librash, sesi duhet të ndodhë eutanazia në Holandë – me një pëlqim të vazhdueshëm dhe të qartë. Por,  ka raste të tjerë ku pëlqimi i pacientëve është më pak i qëndrueshëm dhe në çastin e fundit, më pak i qartë. Historia e Annie-t është përshkruar në një film, titulluar “Përpara se të jetë tepër vonë”, nga regjisori holandez, Gerald van Bronkhorst. Në dokumentar, shikuesit ndjekin udhëtimit e saj me Alzheimerin, që përmbyllet  me vdekjen e saj,nga eutanazia,  në moshën 81-vjeçare.

Frank dhe Anneke gjatë momenteve të fundit të jetës së nënës së tyre. Imazhe nga “Përpara se të jetë tepër vonë”, kortezi: Gerald van Bronkhorst

Ata shohin një grua krenare, që ka rritur e vetme tre fëmijë, që i është gëzuar ngjitjeve malore dhe ka pasur besim të fortë fetar, e përkulur prej  demencës. “Dikur shkoja për ngjitje, ose për ski”, thotë Annie në film. “Në fshat, thoshin se Annie-n e gjen gjithnjë duke ecur. Në  mëngjes, hidhja çantën shpinës dhe, nisja ngjitjen. Ecja gjatë gjithë ditës. Tani nuk mundem të bëj asgjë. Ngatërrohem gjatë gjithë kohës.”

Eutanazia dhe ligji

Eutanazia është akti i dhënies fund të jetës së një njeriu për t’i lehtësuar vuajtjet – e dallueshme nga vetëvrasja e asistuar (e njohur edhe si vdekja e asistuar), që do të thoshte të ndihmosh një njeri të vrasë veten. Të dyja janë të jashtëligjshme në Britani, (ashtu si edhe në Shqipëri, ku mungon edhe një debat i gjerë rreth eutanazisë). Eutanazia është e ligjshme në Belgjikë, Kanada, Kolumbi, Luksemburg dhe Holandë, ndërsa vetëvrasja e asistuar është e lejuar në Zvicër dhe në pak shtete amerikane. Në Angli dhe Uells, është e mundur të bësh një vendim parapritë ( një direktivë në parapritë, në Skoci) për të refuzuar një lloj specifik trajtimi në të ardhmen nëse humbet aftësinë për të marrë vetë vendime. Shërbimi Kombëtar i Shëndetit thotë se tërheqja nga trajtimi që të mban në jetë, që është në interesin më të mirë të personit, nuk është eutanazi dhe mund të jetë pjesë e kujdesit të mirë paliativ. Në korrik të 2018-ës, Gjykata e Lartë në Mbretërinë e Bashkuar vendosi që leja ligjore për t’u tërhequr nga trajtimi,  nuk kërkohet tek pacientët në gjendje të përhershme vegjetative. Annie dëshironte që njerëzit ta kuptonin vendimin e saj, kështu lejoi kamerën ta filmonte në ditën që vdiq.

Imazhe nga “Përpara se të jetë tepër vonë”, kortezi: Gerald van Bronkhorst

Ajo shfaqet e ulur në kolltuk, me pamje të çlodhur dhe pozitive. Tre fëmijët janë aty me të, duke bërë shaka me dy mjekët që erdhën të kryenin eutanazinë, rreth darkës speciale,  që organizuan  një natë më parë. “Shkuam tek një restorant me katër yje”, më rrëfen më vonë Franku. “E pyeta, “Ç’dëshiron të bësh përpara se të vdesësh?” Hëngrëm një darkë të bukur, qeshëm dhe qamë. Nuk kishte të nesërme ajo mbrëmje. Ishte aq e veçantë. Por kur kthehesh në shtëpi, është e vështirë të vësh gjumë në sy, një natë përpara.” Anneke përshkruan sesi gjeti një letër, që e ëma e kish shkruar po atë natë. “I shkroi një letër Zotit, i kërkonte të kujdesej për fëmijët e saj. E dinte se nëse kishte një Zot, do të ishte një Zot i ngrohtë dhe i dhembshur.” Franku shton: “Ajo tha, “Sa keq që nuk mund t’u dërgoj një e-mail fëmijëve të mi, për t’u thënë sesi ngjan atje.” Filmi shfaq mjekët që sigurohen mirë që,  Annie është e vetëdijshme se po zgjedh të vdesë me eutanazi.

Imazhe nga “Përpara se të jetë tepër vonë”, kortezi: Gerald van Bronkhorst

Ai pyet disa herë nëse ajo është e sigurt se e di, ç’po bën. “Je e sigurt se do të pish përzierjen që do të të jap?”, e pyet mjeku. “A e di se do të të vërë në gjumë dhe nuk do të zgjohesh më?” Annie thotë: “E mendova edhe njëherë mbrëmë, nga fillimi në fund dhe fundi në fillim dhe, është ajo që dua. Thjesht për veten time. Kjo është më e mira për mua.” Nuk ngurron,  kur i jepet një gotë me një lëng të tejpashëm, që përmban një dozë vdekjeprurëse qetësuesish. Ajo e pi, ankohet vetëm për shijen e hidhur. Familja e përqafon, ndërsa ajo bie të flejë për të fundit herë. “E piu gotën”, kujton më pas Franku. “Por iu desh një copë herë.” Gjumi po bëhej gjithnjë e më i thellë, shton Anneke. “Ishte shumë i butë.” Disa orë kaluan dhe Annie ende po flinte. Kjo çoi në një skenë surreale, që më përshkruhet nga Gerald van Bronkhorst, i cili po filmonte. “Ishte në gjumë, në kolltuk dhe pastaj nisi të gërhasë. Familjarët nisën të thoshin: “Jam i uritur, a do hamë një sanduiç? Kështu po mbllaçiteshim rreth kësaj zonje, që po flinte në kolltuk dhe po vdiste.

“Nuk ka vendim të drejtë apo të gabuar. Është e vështirë të vendosësh se do të vdesësh, por është po aq e vështirë, mendoj, të vendosësh se do të jetosh.

Por kjo tregon sesi mbaron jeta normale, edhe në situata të tilla.” Të shqetësuar se Annie mund të zgjohej, mjekët i bënë një injeksion vdekjeprurës. “Zgjati njëzet sekonda dhe më pas, ajo kishte ikur”, thotë Franku. Frank dhe Anneke thonë se e kanë mbështetur gjithnjë të ëmën në vendimin e saj, pavarësisht rezervave që ndjenë.“Është e vështirë ta shohësh nënën tënde të vdesë nga eutanazia, por nuk ishte vendimi ynë – ishte vendimi i saj”, thotë Anneke.“Nuk ka vendim të drejtë apo të gabuar. Është e vështirë të vendosësh se do të vdesësh, por është po aq e vështirë, mendoj, të vendosësh se do të jetosh. Ajo e urrente kur dikush i thoshte “Sa e guximshme që ke marrë këtë vendim!  Ajo thoshte se të zgjidhje të jetoje me demencë,  ishte po aq e guximshme.” Franku shton: “Një shok i mirë i imi, më tha, “Duhet ta ndalosh mamanë tënde – si bir, duhet ta ndalosh.” I thashë, jo nuk do ta bëj, e mbështes. Mamaja e tij më tha,  “Po vret mamanë tënde nëse vazhdon me këtë histori”. Ishte e vështirë ta dëgjoje.”

Imazhe nga “Përpara se të jetë tepër vonë”, kortezi: Gerald van Bronkhorst


Argumente të tillë janë të zakonshëm mes familjeve dhe miqve dhe pasqyrojnë debatin e gjerë, që ka nisur në Holandë në vitet 1970, kur mjekët nisën të kryejnë të ashtuquajturën “vrasje të mëshirës”, krejt hapur. Argumentet vijuan me legalizimin e eutanazisë në vitin 2002 dhe nuk janë ndalur kurrë. Numri i atyre që zgjedhin eutanazinë është rritur ndjeshëm, veçanërisht dhjetë vitet e fundit. Në vitin 2002, autoritet holandeze u njoftuan për 1 mijë e 882 raste; 15 vjet më vonë shifra shkoi në 6 mijë e 585 të tilla.

Për  të kënaqur ligjin mbi eutanazinë, pacientët duhet të bindin një mjek se vendimi i tyre është krejt vullnetar, se jeta e tyre është bërë, ose do të bëhet, një “vuajtje e padurueshme pa perspektivë përmirësimi” dhe se nuk ka “alternativë të arsyeshme”. Një vlerësim i pavarur duhet bërë nga një mjek tjetër. Rasti i parë i regjistruar i një pacienti me demencë, i cili i nënshtrohej eutanazisë ishte më 2004-ën. Dy vite pasi ndryshoi ligji. Por rastet e eutanazisë që përfshijnë pacientë me demenca, thuajse gjithmonë ndodh në fazat e para të sëmundjes, sepse është shumë e vështirë të bindësh një mjek se pacienti ka aftësinë të kuptojë vendimin për të vdekur, në fazat e mëvonshme.

Më 2017-ën, 166 raste të fazave të hershme të pacientëve me demencë, vdiqën nga eutanazia dhe vetëm tre ishin në fazat e vona të sëmundjes. Pavarësisht kësaj, eticistja mjekësore Berna van Baarsen, beson se ndryshimi është rrugës dhe se në të ardhmen do të ketë më shumë. Ajo bënte pjesë në një komitet që shqyrtonte çdo rast eutanazie,  në një rajon të Holandës, por dha dorëheqjen, duke thënë se rastet problematike po miratoheshin shumë lehtë. “Kam parë ndryshimin”, thotë ajo. “Problemi është se ai ndryshim është i vështirë të rroket. Por po ndodh. Ka ndodhur nën hundën tënde dhe në fund kupton se ka ndodhur një ndryshim.”

Ajo mendon se ka një besim të tepruar në deklaratat e shkruara që,  pacientët që mund të duan eutanazi shpesh u japin mjekëve të tyre,  në fazat e hershme të sëmundjes. “Mund të shkruash se cilat janë frikërat e tua. Çfarë nuk do të përjetosh. Por kjo është një dëshirë. Është shprehje e frikës dhe siç e dimë, njerëzit ndryshojnë. Në fillim ata thonë: “Oh jo, nuk dua të jetoj në një azil. Ose “Nuk dua të rri në një karrige me rrota” dhe pastaj kjo ndodh. Njerëzit gjejnë mënyra për t’u përballur. Kjo është bukuria e të qenit njeri.”Përpara se ta ndihmojnë dikë të vdesë, argumenton ajo, mjekët gjithnjë duhet të verifikojnë se kjo është ende dëshira e pacientit. Dhe me pacientët e fazave të vona të demencës, kjo nuk është gjithmonë e mundur. Nëse nuk mund të flasësh me një pacient, nuk e di se çfarë do pacienti”, thotë ajo. Por, nëse  Berna van Baarsen ka të drejtë, se ai lavjerrës që është lëkundur në favor të eutanazisë për pacientët me demenca të përparuara, ndjekja penale e një mjeku të përfshirë në një rast të tillë,  mund ta shtyjë në drejtimin e kundërt.

Ashtu si Hirushja, të gjithë duan të presin deri në momentin e fundit, të mundshëm, përpara se të largohen nga festa – pesë minuta para mesnate – por shumë ndiejnë se,  është me rrezik ta shtyjnë aq gjatë.

Rasti përfshin një grua 74- vjeçare, e cila kishte firmosur një deklaratë të shkruar,  ku thoshte se dëshironte eutanazi, por vetëm kur ajo të thoshte se ishte gati. Ajo kishte thënë gjithashtu, në herë të tjera, se nuk donte të vdiste nga eutanazia. Mjeku, i cili punonte në një shtëpi të moshuarish, i hodhi qetësues në kafe gruas, pa ia thënë. Më pas, gruaja u zgjua, ndërsa mjeku u përpoq t’i bënte një injeksion vdekjeprurës. Iu desh të mbahej nga të afërmit derisa të përfundonte eutanazia, megjithëse niveli i mbajtjes së përdorur është debatuar. Jacob Kohnstamm, një kryetar bashkërendues i komiteteve holandeze të shqyrtimit, i cili heton çdo rast eutanazie, thotë se është e qartë që,  mjeku e tejkaloi kufirin. “Komisioni ka thënë se deklarata e shkruar nuk ishte mjaftueshëm e mirë dhe se, mjeku duhet ta kishte ndalur procedurën,  në çastin kur pacientja u zgjua”, thotë ai.

Nuk është e pazakontë që, pacientët holandezë me demenca të kërkojnë eutanazi, por në fazat e avancuara të sëmundjes, ata mund të jenë të paaftë të ripohojnë pëlqimin e tyre

Komiteti ka dalë në përfundimin se, mjeku nuk ka vepruar me kujdesin e duhur dhe e referoi rastin tek prokurorët. Ky rast do të shihet më nga afër kur të dalë në gjyq, sepse mund të ndihmojë në qartësimin e rrethanave, se  kur pacientët e demencës mund të vdesin nga eutanazia. Por, ndërsa për shumë mjekë, kjo mund të ishte e mirëpritur, ka një perspektivë shkurajuese për ata që janë përgatitur ta kryejnë eutanazinë edhe mbi njerëzit me demencë të përparuar, ashtu si mjekja e Annie Zwijnenberg-ut, Constance de Vries.

Ajo është e kënaqur që mund t’u japë fund jetëve të pacientëve, të cilët mund ta kenë të vështirë të shprehin dëshirat e tyre, për aq kohë sa ata janë shumë të qartë rreth dëshirës kur,  mund ta shprehin atë. Është e rëndësishme të kesh një marrëdhënie afatgjatë me pacientët dhe familjet e tyre, thotë ajo, që t’ia bësh të mundur të flasë me ta rreth deklaratës së shkruar dhe të vëzhgojë mbi një periudhë të gjatë kohore,  dëshirën e palëkundur për eutanazi. Ajo më rrëfen për një rast të tillë.

Constance de Vries

“Zonja ishte shumë e palumtur; qante dhe bërtiste, nuk hante e as flinte, ishte agresive me të tjerët. Kur e sheh,  sheh edhe sa e palumtur është. E  kishte thënë në deklaratë,  “Kur të mos i njoh më nipërit dhe mbesat, atëherë dua të vdes.” Ndërsa çasti kur ajo nuk i njohu më nipërit kishte mbërritur, Constance de Vries vijoi me eutanazinë, me mbështetjen e familjes së gruas. “Kur i dhashë një gotë me lëng frutash, i thashë: “Kur ta pish, do të flesh përgjithmonë.” Ajo pa nga e bija dhe e bija i tha: “Nuk ka gjë mama”. Dhe ajo e piu. Nuk e di nëse e kuptoi plotësisht, por e di se ajo ç’ka bëmë ishte e drejtë, aq e palumtur ishte.”

E pyes nëse ndjekja penale e një mjeku, i cili i ka dhënë fund jetës së një pacienteje nga eutanazia, e shqetëson se mos e gjen veten të përfshirë në raste të tilla. “Po, më shqetëson”, thotë. Kam pak frikë nga gjykimi, më pas. Ndaj përpiqem të jem shumë, po shumë e sigurt se çfarë po bëj.” Por a ka ajo qëllim të ndalet? “Jo”, thotë, prerazi. Ajo pranon, megjithatë, se rasti mund ta bëjë më të vështirë për pacientët në demencë të përparuar, të mund t’i nënshtrohen eutanazisë në të ardhmen. Dhe, nëse kjo ndodh, mund të ketë gjithashtu një efekt trokitës për ata me demenca në fazat e hershme, që do të donin eutanazi në të ardhmen.

Imazhe nga “Përpara se të jetë tepër vonë”, kortezi: Gerald van Bronkhorst

Shumë prej tyre kanë nisur të shqetësohen që tani se nëse presin shumë gjatë, do t’u mohohet kjo. Frika është bërë kaq e zakonshme sa është përshtatur një frazë e atypëratyshme,  për kohën e përsosur të eutanazisë – “pesë minuta para mesnate”. Ashtu si Hirushja, të gjithë duan të presin deri në momentin e fundit, të mundshëm, përpara se të largohen nga festa – pesë minuta para mesnate – por shumë ndiejnë se,  është me rrezik ta shtyjnë aq gjatë.

Është i vetmi peng që Anneke-ja dhe Franku shprehin rreth vdekjes së nënës së tyre, Annie-it.“Ajo kishte shumë frikë se edhe pse e kishte ligjin nga ana e saj, ose i kishte mjekët në anën e saj do të ishte një pikë, kur dikush do të thoshte: “Në rregull, por ke ikur shumë larg, nuk mund ta marrësh më atë vendim, na vjen vërtet keq, por je tepër vonë”, thotë Anneke. Vetë Annie flet rreth kësaj në filmin e Gerald van Bronkhorst-it, që aludon frikën e saj në titullin e tij,  “Përpara se të jetë tepër vonë”. “Dje fola me një fqinje të vjetër në telefon”, thotë Annie. “Ajo tha: “Por nuk e kuptoj. Ende mund të bësh gjithçka, apo jo?” I  thashë: “Epo çështja është, së pari nuk mundem dhe, së dyti, nëse pres derisa të vijë momenti për ta ndalur, do të jetë shumë vonë. Nuk do të më lejohet të bëj eutanazi, më.”

*Andrew Bomford/ BBC

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë