Ngjarje

Të rinjtë shqiptarë pesimistë për politikën

Sondazhi i fundit i kryer nga Rrjeti Kombëtar Për të Rinjtë në Shqipëri dhe Qendra për të drejtat e fëmijëve (ANYN, CRCA/ECPAT), ka treguar problemet e të rinjve në 12 qarqet e vendit. Kryesisht pyetjet e sondazhit ishin të fokusuara në çështje të ndryshme për sa i përket vendit tonë, përfshirë këtu edhe rolin e partive politike.
Evidentimet e problemeve rezultuan se 57% prej tyre mendonin se Bashkia në qytetin e tyre nuk kishte punuar mjaftueshëm për ta. Ndërsa, 49% të tjerë mendojnë se buxheti i shteti nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur problemet e të rinj në Shqipëri dhe pjesa tjetër, rreth 7% e tyre mendojnë të kundërtën.
Sociologu Gëzim Tushi ka thënë për Gazetën “Si”, se ky raport disproporcional dhe antipatik i të rinjve me politikën, është tejet shqetësues. Ai shprehet se pas kësaj fshihen gjëra të mëdha e me përgjegjësi, për të sotmen dhe të ardhmen e rinisë dhe rrjedhimisht edhe të atdheut.
“Përfytyrimi oligarkik i shtresës se politikaneve, është një nga shkaqet që të rinjtë e shikojnë politikën të zbrazur nga brenda. Kjo është një krize legjitimiteti e politikes që ka ulur respektin ndaj politikaneve në sytë e të rinjve,” shton Tushi.

Gëzim Tushi

Pjesa më e madhe e tyre mendonin së partitë politike, konsultohen me ta vetëm kur kanë zgjedhje dhe rreth 4% janë shprehur se partitë politike, janë të hapura për të zgjidhur problemet e të rinjve.
“Të rinjtë duan biopolitike që lidhet me fatet e tyre dhe jo spektakle boshe që janë në distance me problemet reale të jetës dhe rinise. Rinia nuk duron politiken për buje apo si retorike dramaturgjike. Sondazhi tregon nivelin e lartë të mosbesimit të të rinjve ndaj politikës. Ata kërkojnë reflektimin e politikaneve qendrore e lokale, të maxhorancës dhe opozitës. Ndryshe skepticizmi i të rinjve mund të thellohet deri në nivele kritike,” shprehet sociologu.
Gjithashtu edhe Altin Hazizaj njw prej themeluesve tw Qendrws për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri shprehet se, të rinjtë anembanë Shqipërisë i kanë dhënë të gjitha partive politike, një platforme të gjerë për të punuar dhe mbështetur të rinjtë.
“Gjendja e të rinjve kudo në vend duket tragjike, ndaj në këtë kuadër, ne i ftojmë seriozisht Qeverinë dhe partitë politike të ndërtojmë së bashku një Shqipëri, që mbron dhe kujdeset për të rinjtë e të rejat,” shton ai.

Altin Hazizaj

Gjithashtu, mungesa e besimit tek politika e vendit i shtyn ata, të jenë më ngurues në dhënien e votës. Një ndër shkaqet që ka çuar në këto vlerësime, është se pjesa më e madhe e tyre mendojnë të largohen nga vendi dhe se politika në Shqipëri nuk i’u ngjall asnjë shpresë.
Sipas Tushit, elita politike duhet t’i vlerësojë gjykimet racionale të të rinjve tanë. Duhet një vështrim me kritik i politikaneve, ndaj gjetjeve të këtij sondazhi për të zbutur situatën serioze të ftohjes se rinise me politiken. Ndër të tjera ai shton se nuk janë cinike të rinjtë por janë politikanet të kapur nga një lloj oligarkizmi, që shpesh i bën të rinjtë ta shikojnë politiken si "dialog bosh", pa vlera për jetën dhe synimet e tyre.
“Duhen goditur fort nepotizmi, klientelizmi, militantizmi favorizues në emër të rikthimit të plote të sistemit të vlerave dhe meritës. Këtë të rinjtë e duan me çdo kusht nga politika,” shprehet sociologu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë