Shendet

Të moshuarit pa dhëmbë, në QSUT ofrohen proteza me çmime të lira por lista e pritjes është shumë e gjatë

Nga Gazeta Si - “Kam ndërruar dy herë protezat e dhëmbëve deri më sot. Unë jam 77-vjeç dhe kam vënë proteza për herë të parë 55 vjeç. Ndërsa në 2016 bëra proteza të reja në QSUT. Rastësisht mësova se atje protezat kushtojnë lirë dhe pas disa muaj pritje, i bëra”.  

Nënë Qabireja nga Tirana, është shumë e kujdesshme për protezat e saj. Me gjithë pritjen e gjatë për shkak të kërkesave të shumta, ajo ia ka dalë të mësohet me to, ndryshe nga të moshuar të tjerë që duket se mërziten shpejt nga protezat.

Në klinikën stomatologjike universitare prej disa vitesh ofrohet vendosja e protezave për të moshuarit, kundrejt një çmimi modest, 8 mijë deri në 10 mijë lekë.

Por problemi qëndron tek lista e gjatë e pritjes për shkak jo vetëm të kërkesave, por dhe një sërë shkaqesh siç janë fondet për laboratorin që lidhen me procesin e tenderimeve. E megjithatë, për të moshuarit që nuk kanë mundësi të bëjnë protezat në klinika private, QSUT është e vetmja alternativë.

Syrjai është 76-vjeç. Në vitin 2019, bashkë me bashkëshorten bënë protezat në klinikën stomatologjike universitare të QSUT, por ndryshe nga ai, e shoqja nuk i vendosi kurrë protezat.

“Atje punojnë mirë, me cilësi. Janë studentë të kursit të Stomatologjisë që udhëhiqen nga pedagogët e tyre, përveç kësaj kanë një laborator të mirë. Në klinikë vijnë dhe mjekë të huaj që japin përvojën e tyre”, thotë stomatologia Anila Mullai e cila vetë punon në një klinikë private.

Doktoreshë Anila thotë se çmimet që ofrohen në QSUT janë të pranueshme për të moshuarit, por shumë prej moshës së tretë qëndrojnë gjatë pa dhëmbët e tyre deri në vendosjen e protezave, gjë që ja bën pothuajse të pamundur mbajtjen e protezave në gojë.

“Një nga problemet që konstatoj gjatë punës janë të moshuarit që kanë vite pa protezë në gojë. Është e pamundur të ndërhysh. Mungesa e financimit apo dhe neglizhenca bën që shumë prej të moshuarve të jenë pa dhëmbë. Pas heqjes së dhëmbëve, duhet të qëndrojnë të paktën 40 ditë deri në 2 muaj pa vendosur proteza, e më pas duhet ti drejtohen specialistit, pasi çdo vonesë u shkakton probleme të mëdha duke ja vështirësuar vendosjen e protezave në gojë”, thotë stomatologia për Gazetasi.al.

raportin e OBSH për shëndetin oral shkruhet se 1 në 3 shqiptarë mbi 60 vjeç humbin dhëmbët si pasojë e mungesës së higjienës dentare dhe kostos financiare që kushton mirëmbajtja e tyre.

Midis vitit 1990 dhe 2019, numri i rasteve të vlerësuara të problemeve orale u rrit me më shumë se 1 miliard persona.

Syrjai thotë për Gazetasi.al se sapo ka hequr 3 dhëmbët e fundit në pjesën e poshtme të gojës dhe ka shënuar emrin në klinikën e QSUT për të vendosur proteza poshtë.

“Më kanë thënë që protezat e dhëmbëve poshtë janë pak problem, por unë s’dua të qëndroj pa dhëmbë. Mjekët më kanë thënë se deri në fund të muajit Maj janë mbyllur kërkesat për vendosjen e protezave dhe më duket do të mbetet për në vjeshtë, por sërish do të pres dhe do ti bëj. Kushtojnë pak dhe unë s’kam zgjidhje tjetër”, thotë ai.

Mjekët stomatologë të klinikës universitare në QSUT thonë se kjo klinikë ofron shërbim në të gjithë territorin e Shqipërisë por duket se jo të gjithë të moshuarit e dinë këtë fakt.

Përveç barrës së madhe financiare, OBSH shkruan se personat që kanë probleme me dhëmbët në Europë vuajnë edhe nga stigma. Disa njerëz kanë përvoja të mëparshme të dhimbshme dhe traumatizuese që shpesh rezultojnë në vonesa të mëtejshme të kujdesit.

Ndërkohë aksesi në shërbimet e shëndetit oral është i pabarabartë brenda dhe ndërmjet vendeve dhe ata me nevojën më të madhe shpesh kanë më pak akses në shërbime.

Ndërsa një pjesë presin që ti ndihmojnë fëmijët për vendosjen e protezave, të tjerë të moshuar, kryesisht ata në Tiranë, shpresojnë se në QSUT do të përfitojnë shërbimin cilësor dhe me pak kosto.

Mjekët stomatologë bëjnë thirrje që t'u kushtohet vëmendje që në fëmijëri kujdesit për dhëmbët me qëllim që të kenë sa më jetëgjatësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë