Politike

Të gjitha të “zezat” e Gent Cakajt: I papërgjegjshëm, i rrezikshëm!

Bledar Hoti - “Mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, përgjegjshmërie. Pa certifikatë sigurie, qëndrime që cenojnë politikën dhe stabilitetin rajonal. Kandidaturë me tregues të rrezikshëm për të qenë Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme”.
Këto janë disa arsyet e renditura të presidentit Ilir Meta që kanë çuar në refuzimin për të dekretuar Gent Cakaj si Ministër i Jashtëm.
Një vendim që Meta e bëri publik vetëm një ditë pas takimit në Presidencë me kryeministrin Edi Rama. Ndryshe nga refuzimi që i bëri disa muaj më parë Sandër Lleshajt për postin e Ministrit të Brendshëm, kësaj here Presidenti i ka paraqitur në mënyrë të argumentuara arsyet se pse nuk pranon të dekretojë njeriun e propozuar në këtë post nga Rama.

Në këtë letër prej 5 faqesh kreu i shtetit ka renditur shkaqet se pse “Profili i z.Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi. Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”.

Certifikata e Sigurisë
Një ndër arsyet kryesore që ka bindur presidentin është mospasja e kandidatit për ministër të një certifikate sigurie, e cila lëshohet nga ana e Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar (DSIK). Madje ai ka nuk e ka marrë një të tillë edhe pse ka ushtruar detyrën e zv.ministrit të Jashtëm, duke neglizhuar zbatimin e ligjit dhe akteve nënligjore që garantojnë qarkullimin e sigurt të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror.
“Konkretisht z. Gent Cakaj me VKM nr.342, datë 07.06.2018 është emëruar në detyrën e Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ushtrimi i së cilës kërkon domosdoshmërish pajisjen me certifikatën e sigurisë personale, me qëllim që personi të njihet, administrojë apo përpunojë informacion të klasifikuar. Nga ky moment subjektit në fjalë, në zbatim të ligjit “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror” dhe VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, VKM nr. 836, datë 14.10.2015 “Për miratimin e rregullores për punën me informacionin e klasifikuar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian” dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, të nxjerra nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj i lind detyrimi ligjor që të aplikojë dhe të pajiset me Certifikatat përkatëse të Sigurisë. Nga informacioni zyrtar i administruar nga MEPJ, nga DSIK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese rezulton se z. Gent Cakaj, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi”, shkruhet në letrën e Presidentit, drejtuar zyrtarisht Ramës.

Ndërsa bëhet e ditur se sipas konfirmimit shkresor të MEPJ dhe DSIK, kandidati për ministër i ka plotësuar formularin e aplikimit vetëm më datë 03 janar 2019, pra vetëm 3 ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër të MEPJ.

Rama dhe Meta

“Z. Cakaj, me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mos pajisjen me Certifikatat përkatëse të Sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor. Gjithashtu me mosplotësimin e formularit të sigurisë në kohën e kërkuar, ai ka penguar verifikimin e sigurisë për këtë periudhë, pasi sipas nenit 12 të Rregullores së Sigurimit të Personelit, miratuar me VKM nr.188, datë 04.03.2015, ku parashikohet se verifikimi i sigurisë fillon vetëm pasi individi aplikues ka pranuar dhe ka dhënë pëlqimin me shkrim, pavarësisht se funksioni dhe detyra që ai ka ushtruar e kishte të domosdoshme dhe të detyrueshme nevojën për njohje me informacion të klasifikuar. Shmangia prej tij i zbatimit të këtyre detyrimeve ligjore, së pari është shkelje për të cilën çdo funksionar duhet të mbajë përgjegjësitë që i takojnë, por njëkohësisht kjo sjellje tregon për mungesë të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksionit publik si Zv.Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe është një tregues tepër i qartë për rrezikun që mbart kjo kandidaturë, për të ushtruar detyrën shumë të rëndësishme të propozuar për emërim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”, thuhet më tej në letër.
Presidenti ngre pikëpyetjen edhe për mënyrën e vlerësimit të figurës së Cakajt nga ana e DSIK-së, duke e cilësuar të realizuar në kohën e urgjencës, çka për presidentin nuk ka
nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).
Aplikimi rezulton se është bërë me 3 janar, ndërsa certifikata e sigurisë është lëshuar më 4 janar nga DSIK.
“Z. Genc Shkëlzen Cakaj, lindur në Prishtinë më 06.07.1990, është i pajisur me CSP të nivelit “Tepër Sekret”, për njohjen e informacionit të klasifikuar “Sekret Shtetëror”; “Cosmic Top Secret” për njohje të informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe “EU Secret/Sekret UE”, për njohjen e informacionit të klasifikuar të BE-së. Këto CSP janë lëshuar më datë 04.01.2019 dhe janë të vlefshme deri më datë 03.01.2024. Pra rezulton se, procesi i verifikimit, i kryer në këtë rast nga (DSIK) si Autoriteti i Sigurimit Kombëtar në Shqipëri është realizuar brenda 1 (një dite) që referuar fakteve, dhe të dhënave të Gent Cakaj, tregon qartë se nuk është kryer një proces i mirëfilltë verifikimi sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar në Rregulloren e Sigurimit të Personelit, miratuar me VKM nr. 188, datë 04.03.2015”, thekson presidenti.
Ndërsa si argument tjetër theksohet se Cakaj me dy shtetësi, i Shqipërisë dhe Kosovës, ka kryer shkollim në shtetet Hungari dhe Belgjikë, shtete këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë. Sipas VKM-së do të duhej të kryehej edhe verifikimi në këto shtete.

“Nga informacioni i administruar rezulton se i gjithë procesi për verifikimin dhe vlerësimin e sigurisë për të përcaktuar nëse z. Gent Cakaj, është një individ besnik, i besueshëm dhe i sigurt që vërteton nga pikëpamja e sigurisë se ai i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar, është realizuar në më pak se 24 orë. Ky veprim tregon qartë se procesi i verifikimit, nuk është kryer i plotë, nuk është objektiv, por i ndërmarrë vetëm për përmbushjen proceduriale (jo përmbajtësore) të informacioneve shtesë që do të mund të kërkonte Presidenti i Republikës në funksion të verifikimit kushtetues për shkak të procesit të emërimit të këtij shtetasi në detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.”, thuhet më tej në letër.

Faksimile e shkresës së Presidentit drejtuar kryeministrit për refuzimin e dekretimit të Cakajt

Deklarata për ndarjen e Kosovës
Mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi, si dhe qëndrimet e Cakajt si zëvendësministër janë disa nga arsyet që presidenti është bazuar si argumente të tjera për rrëzimin si kandidat për ministër. Madje deklaratat e tij, për kreun e shtetit cilësohen si të papranueshme dhe të ëshme.

“Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme (citoj nga intervista e Zv/ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, për emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, dt. 01 nëntor 2019: “…Tani te korrigjimi i kufijve semantikisht kjo nuk është thjeshtë një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje. Evoluimi i parë është, sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”…). Këto deklarata të dëmshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian”, thekson Presidenti.

Sipas tij, përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon.

Rama sulmon Presidentin: Vendim antikushtetues
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama në lidhje më këtë vendim të presidentit për të refuzuar emërimin e Cakajt si ministër i Jashtëm. Ai e ka cilësuar si antikushtetues vendimin e Presidentit.
“Refuzimi i Presidentit për dekretimin e Ministrit të ri për Europën e Punët e Jashtme, është jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm! Argumentet e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin! Ndjesë Kosovës për këtë turp”, shkruan Rama.
Ndërsa nuk dihet ende hapi i kryeministrit, nëse do të insistojë, për ta riparaqitur kandidaturën e Cakajt ose jo.

https://twitter.com/ediramaal/status/1083341597943783424

Shprehjes së kryeministrit që i kërkon ndjesë Kosovës për mos dekretimin e Cakajt, presidenti Meta i është kundërpërgjigjur në distancë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Sipas kreut të shtetit integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe se atë do ta mbrojë.
“Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”, shkruan Meta në Twitter.

https://twitter.com/ilirmetazyrtar/status/1083374030630125569

Në konferencën për shtyp të 31 dhjetorit 2018, Cakaj do të ishte njeriu më i vlerësuar për kryeministrin Rama, duke etiketuar si njeriun më të lexuar. Madje ai i cilësoi të turpshme hipotezat e ngritura se Cakaj nuk ka certifikatë sigurie, duke i komentuar si insinuata nga mediat. “Për sa i përket pastaj insinuatës në fjalë, të përsëris fjalën? Nuk po e përsëris se e di që ti pyetjen e ke bërë pa tendencë negative dhe jam i bindur që është një pyetje e pafajshme. Nuk ka lidhje fare. Gent Caka është vendosur ministër për Europën dhe Punët e Jashtme për atë që ai përfaqëson, si një ndër njerëzit më të ditur që unë kam takuar në jetën time, si një njeri i përkushtuar ndaj një pune shumë të vështirë, si puna që ka bërë duke mbuluar të gjithë procesin e integrimit, ku kam mundur të vlerësojë kapacitetin e tij edhe si drejtues i një procesi shumë të vështirë dhe patjetër, edhe si një djalë që është shumë pranë vizonit, programit, mënyrës së të parit të gjërave të familjes sonë politike. Historia e tij nuk është shumë e gjatë, sepse ai është djalë i ri, por i tregon të gjitha këto”, do të theksonte Rama.

Refuzimi i kandidaturës së ministrit të Jashtëm, duket se mban në detyrë kryediplomatin Bushati, pasi presidenti Meta deri më tani nuk është shprehur për ta pranuar propozimin e shkarkimit ose jo.
Kjo është hera e dytë që Presidenti i refuzon kryeministrit kandidaturën për postin e ministrit. Në tetor të 2018 ai refuzoi fillimisht dekretimin e Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm.
Kjo shënoi konfliktin e parë mes Presidentit dhe Kryeministrit, i cili shkaktoi që Rama të mos tërhiqej nga qëndrimi i tij për të emëruar Lleshajn në postin e ministrit. Për këtë ai riparaqiti emrin e Lleshajt, duke bërë që presidenti të firmoste dekretin, vetëm pasi u paraqiti kërkesa për lirimin e tij si ushtarak.
Tashmë mazhoranca në kushtet e mos funksionimit të Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar në se presidenti gëzon ose jo të drejtën për të rrëzuar kandidaturën për ministër i duhet të vendos për hapin e radhës, i cili duket se do të jetë një emër i ri për kryediplomat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë