Politike

Kulmon konflikti, Meta: Rama kërcënon, mua s’më bën shantazh

Konflikti mes kryeministrit dhe presidentit arrin kulmin. Përplasjet mes Ramës dhe Metës për çështjen e mos dekretimit të ministrit të Jashtëm, Gent Cakajn nuk kanë të ndalur. Pasi kryeministri Rama lëshoi një “breshëri” sulmesh ndaj kreut të shtetit, sot ishte dita e Metës për të sulmuar ashpër kryeministrin.
“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nën komisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, reagon presidenti në Facebook.
Më pas Meta thekson se asnjë fuqi në botë nuk i bën presion atij për ushtrimin e kompetencave si president.


“Nuk ka fuqi në botë t'i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!”, shkruan Meta në Facebook.
Ndërsa i menjëhershme ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama ndaj postimit që bëri presidenti.
“Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj është në atë fazën kur i bën thirrje popullit për të marrë armët, ngaqë s'di si te dale nga gropa që i hap vetes! I çova provat e mëkatit ndaj Gentit dhe vuan tani”, thekson Rama.

https://twitter.com/ediramaal/status/1083646854221492224


Pas shpalljes së vendimit të presidentit për mos dekretimin e Cakajt, kryeministri menjëherë e sulmoi me anë të një mesazhi në Twitter, duke e cilësuar këtë akt si antikushtetues.
“Refuzimi i Presidentit për dekretimin e Ministrit të ri për Europën e Punët e Jashtme, është jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm. Argumentet e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin. Ndjesë Kosovës për këtë turp”, do të shprehej Rama.
Por çështja e Cakaj predominoi gjatë gjithë ditës së djeshme. Presidenti iu kundërpërgjigj se: “Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”.
Ndërsa kryeministri do të replikonte ashpër duke e krahasuar Metën si dëshmitari “X”, i njohur ndryshe si Babale.
“Që Presidenti ynë të shkelë Kushtetutën, godasë qeverinë, nëpërkëmbë një djalë të ri e të paktën 1000 herë më të ditur se ai, duke u marrë paturpësisht me fjalë si të ishte Dëshmitari X…Oh çfarë marre! IM me qyqarët e kadrinjtë mbrojnë Kosovën nga një shqiptar i Kosovës.Pu, pu,pu”, do të replikonte Rama në Twitter.

Socialistët nisin sulmet ndaj Presidentit

Ndryshe nga precedenti “Lleshaj”, ku Rama i kërkoi deputetëve të tij që të mos bënin asnjë mesazh kundër presidentit Meta me qëllimin se kjo krisje e shkaktuar nga refuzimi i dekretimit të ministrit të Brendshëm do të rregullohej, me çështjen “Cakaj”, mazhoranca po ndjek një taktikë tjetër.
Përfaqësuesit e shumicës kanë nisur të sulmojnë presidentin për aktin e tij të refuzimit. Numri dy i PS-së, Taulant Balla me anë një postimi në rrjetet sociale duket se i kërkon falje elektoratit se e ka zgjedhur si president i vendit, pasi sipas tij, Meta po sillet si një lider i opozitës dhe jo si një kryetar shteti.
“Presidenti nuk mendon më as për Kushtetutën, as për dinjitetin e institucionit, po për lidershipin e opozitës! Ai sot ngriti flamurin e kryetarit imagjinar të opozitës në Presidencë dhe sulmoi kryeministrin me të gjithë librin e SHQUPIT dhe LSI-së bashkë. Fatkeqësisht ky është sot Ilir Meta, një president i votuar nga ne për të përfaqësuar edhe opozitën (me votat në dispozicion dhe pa PD në sallë, ishte e vetmja zgjedhje për të mos e çuar vendin në kaos institucional), tanimë i kthyer në kryetar alternativ opozite”, shkruan Balla në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë